Dimri që ka mërdhirë Serbinë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6134_1_3021.jpg?itok=u7n9tKxh)
Serbia, sikur pjesa tjetër e Ballkanit, është mbuluar nga një shtresë e trashë bore. Në qendër të Beogradit një shenjë paralajmëruese bie në sy. Shumë trotuare janë rrethuar e kufizuar për qarkullim nga rreziku i rënies së akujve të zgjatur. Më 7 shkurt një grua është goditur për vdekje nga një akull 4- kilogramësh që ka rënë nga lart. Në tërë vendin është raportuar edhe për 20 njerëz të tjerë të vdekur. Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Nuk është çudi që presidenti serb, Boris Tadiq, duket i dërmuar teksa i viziton rajonet e prekura. Ai po i mohonte raportimet e shpeshta për shëndetin e tij të dobësuar, por nuk duket si burri që ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, dikur e kishte quajtur “President Clooney” për shkak të ngjasimit me aktorin zemërthyes amerikan.
Ai ka gjasa që të duket edhe më i dërmuar pas referendumit të 14-15 shkurtit në komunat serbe të veriut të Kosovës. Në të serbët do të përcaktohen se nuk kanë të bëjnë asgjë me Kosovën e pavarur të dominuar nga shqiptarët. Referendumi nuk do ta ndihmojë Tadiqin në përpjekjen e tij për ta siguruar statusin e shtetit kandidat të BE-së, kur ministrat e jashtëm të këtij unioni të takohen në fund të muajit. Ndërkohë atij po i kalon koha për të arritur një marrëveshje që është parakusht i BE-së: Serbia dhe Kosova duhet të pajtohen që të ulen bashkë në nismat rajonale.
Natyrisht, edhe nëse një marrëveshje e tillë arrihet, kandidatura e Serbisë mund të mbetet në dyshim. Angela Merkel, kanceralja gjermane, e ka bërë të qartë kërkesën e saj që të shpërbëhen institucionet e Serbisë në Kosovë. Kjo u referohet policisë dhe shërbimeve sekrete jo aq diskrete të Serbisë në pjesët e Kosovës ku zhvillohet referendumi.
Presionet e Tadiqit shtohen me çështjen e nxehtë nëse serbët e këtyre katër komunave do të lejohen të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe lokale të Serbisë. Herën e fundit kur Serbia i ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, katër vjet më parë, ata kanë qenë aty. Kjo ka qenë pasi që Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 2008, por para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarojë që shpallja e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Po qe se Qeveria e Serbisë vendos të mos organizojë zgjedhje në veri të Kosovës, opozita do ta etiketojnë Tadiqin dhe partinë e tij si tradhtarë, peng të NATO-s. Por nëse ua mundëson serbëve të Kosovës votimin mund t’i rrezikojë shpresat e Tadiqit për sigurimin e statusit kandidat.
Qëllimi i tij politik për vitin 2011 ka qenë që ta ketë të siguruar kandidaturën deri në dhjetor. Ai do të thërriste atëherë zgjedhje, duke shpresuar që suksesi në frontin e BE-së do t’ia rriste përkrahjen partisë së tij. Kur liderët e BE-së në dhjetor e shtynë këtë vendim, Tadiqi ishte tepër i hidhëruar. Serbia ka punuar shumë vjetëve të fundit për të ecur përpara drejt BE-së. Por në muajt para vendimit, serbët në veriun e Kosovës, hynë në konflikt me trupat gjermane. Kjo ua hoqi gjermanëve vullnetin për ta shpërblyer Serbinë.
Tani çështja është prapë në agjendë, por Tadiqi ka gjasë që është duke shpresuar se do ta marrë lehtë. Me fat, ai do ta fitojë kandidaturën deri në fund të muajit, para se t’i thërrasë zgjedhjet që pritet të mbahen më 6 maj më së voni.
Me Evropën e zhytur në krizën financiare, perspektiva e hyrjes në BE edhe ashtu nuk do të inspirojë shumë serbë. Shumica e tyre janë të brengosur për vende pune dhe të ardhura dhe mund t’i kenë humbur shpresat. Papunësia që para katër vjetësh ka qenë 13.6 për qind është ngritur në 23.7 për qind në nëntorin e kaluar. Në fund të janarit qeveria është obliguar të blejë Fabrikën e Çelikut në Smederevë nga US Steel për 1 dollar. Kompania amerikane është tërhequr nga marrëveshja, e cila kur është arritur, është cilësuar si një shembull privatizimi, për shkak të mungesës së materialit të porositur pjesërisht si pasojë e krizës së eurozonës.
Lajme të gëzueshme nuk ka as në horizont. Sipas Ivana Pricas, ekonomiste në Universitetin e Beogradit, një “çështje tjetër e nxehtë dhe e pazgjidhshme” përveç papunësisë është deficiti i lartë tregtar i Serbisë që po e shton borxhin e jashtëm të shtetin. “Nëse diçka nuk ndryshon”, ajo thotë se “ne jemi rrugës drejtë bankrotimit apo duke shkuar rrugës së Greqisë”.
Në një anketë të zhvilluar së fundi del se Partia Serbe për Progres (SNS) e dalë nga një parti nacionaliste, por që është pozicionuar si e qendrës së majtë, ka përkrahje prej 30 për qind. Anketuesi Zoran Luciq thotë se çdo gjë është e mundur, veçanërisht kur vetëm gjysma e respondentëve thonë se do të dalin në votime. Pas zgjedhjeve, Luciq parasheh që Serbia do të mbetet edhe për një kohë të gjatë në turbulenca politike. Krijimi i qeverisë do të marrë muaj. Të gjitha kombinimet janë të mundshme.
Ndërkohë Tomislav Nikoliq, lider i SNS-së që i ka sytë nga kryeministria, ka qenë mjaft i mbyllur në zbulimin se çfarë do të bënte për çështjet si Kosova. Braca Grubaciq, analist politik dhe anëtar i SNS-së, sqaron se partia synon njerëzit e zakonshëm të pakënaqur me qeverinë aktuale dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Mediat, shumica e të cilave varen nga reklamat e kompanive të afërta me qeverinë, rrallë shkruajnë për korrupsionin, thotë ai.
"Situata nuk ka qenë kaq e vështirë që nga viti 2000", ka thënë një burim i afërt me qeverinë, vitin kur është rrëzuar Slobodan Milosheviqi. "Dëshpërimi dhe nervozizmi po pushtojnë gjithçka".
Comments
Dimri që ka mër-dhirë
<p> </p><h1 property="dc:title"><strong>Dimri që ka mër-dhirë Shqipërinë</strong></h1>
Shpresojme qe Merkel mos
<p>Shpresojme qe Merkel mos ndryshoje mendje.Serbia eshte burim destabiliteti ne Ballkan.Nuk duhet te shperblehet me statusin e kandidatit por te detyrohet te paguaje per ato cka bere e vazhdon te beje.</p>
Add new comment