Dialog imagjinar me një ish të burgosur politik

Nuk e di nëse je në grevë urie me të tjerët apo jo? Nuk e di nëse fati të ka ndihur në këto vite të tranzicionit për të krijuar një vatër familjare dhe jetesë normale dhe ndoshta i ke harruar bashkëvuajtësit? Ndoshta ke pasur mundësinë për të privatizuar diçka nga prona publike dhe ndoshta ke
marrë me mijëra dollarë shpërblim për vitet e shkuara në burg gjatë regjimit komunist? Ndoshta nuk ke përfituar asgjë materialisht, sepse shteti është shumë i varfër? Ndoshta. Ndoshta. Ndoshta. Po pse zaten nuk dimë me siguri se çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë për shtresën e të përndjekurve politikë gjatë këtyre 22 viteve tranzicion? Ku është transparenca e nevojshme në lidhje me këtë çështje apo çështje të tjera me rëndësi për shoqërinë tonë? Pse në vitin 2011 raportuesi special i Kombeve të Bashkuara mbi ekzekutimet pa gjyq apo jashtëgjyqësore, Filip Alston, duhet t’i rikujtonte qeverisë shqiptare që të merrej seriozisht me krimet e komunizmit? E pra, pse duhej që kjo ndodhte 21 vite pas rënies së komunizmit? Tashmë bëhen 22 vite nga rrëzimi i komunizmit dhe koha e qëndrimit në pushtet mes të djathtës dhe së majtës është e ndarë diku në mes. A me të vërtetë regjimi monist e ka hijen kaq të gjatë dhe pasuesit kaq të pushtetshëm në të dy krahët e politikës shqiptare?
Fajin e ke vetë për persekutimin, i dashur i persekutuar. Jo, po që ta dish. Sepse i je kundërvënë regjimit, ndoshta edhe thjesht duke shprehur pakënaqësinë për kushtet e vështira të jetesës. Ç’të duhej ty o vëlla, o motër? Pse, të tjerët nuk e dinin? Po tani ç’dreqin ke xhanëm që na prish rehatin dhe gjakun duke i vënë zjarrin vetes? Nuk guxon njeriu të hapë televizorin. Në demokraci je, çfarë do më shumë? Do që të ta vëjë veshin qeveria për hallet që ke? Po pse ore, me ty do merren ata? Nuk e di ti se ata merren me gjëra të mëdha, integrime, privatizime, diskutime në forume ndërkombëtare mbi arritjet tona që sfidojnë ekonomitë botërore. Ata flasin mbi Zvicrën me det, Hollandën me male e Norvegjinë pa fjorde. E more vesh de, për Shqipërinë tonë, kopshtin e lulëzuar në brigjet e detit Adriatik. Më fal se ndoshta po flas me fjalë një çikë të mëdha, se ti nuk ke edhe shumë shkollë e ndoshta këto vendet që të përmenda nuk i ke parë apo dëgjuar. Eeee, regjimi monist të la pa shkollë, sepse jo vetëm që ishe armik i klasës por edhe i duheshin krahë pune për të tharë moçalet dhe punuar në miniera. Faleminderit për gjithë punën vullnetare, apo më mirë të them të detyruar! Lekë nuk ka!
Nuk di se si të ta them me diplomaci, kështu që më mirë po ta them hapur. Ti je antikombëtar, i dashur i persekutuar; ke qenë dhe vazhdon të jesh. Po, po, mos u habit. Më përpara na sabotoje punët dhe mbarëvajtjen e sistemit komunist. Tani ke gjetur mënyra të tjera të bësh të njëjtën gjë në sistemin tonë demokratik. Po pse tani e gjete të djegësh veten? Kur ne marrim sihariqe nga Europa? Mbetesh vegël e sistemit monist dhe bllokmenëve, ta dish. Ti, i persekutuari i djeshëm (dhe i sotëm) edhe pse sistemi komunist ka rënë (të paktën nominalisht) akoma ke nostalgji për kohën kur të thyheshin brinjët dhe të shkelej dinjiteti. Po, po, e di, jam doktor unë. Ke sindromën e Stokholmit! Çfarë thua? Ç’është bërë dhe çfarë mbetet për të bërë nga shoqëria jonë për t’u marrë si duhet me krimet e komunizmit duket qartë kur e veja e diktatorit komunist i bën karshillëk një pretendenti për çmim Nobel dhe kur të persekutuarit duhet t’i vënë flakën vetes për të sjellë vëmendjen e shoqërisë sonë të përhumbur moralisht dhe ekonomikisht mbi këtë shtresë të përvuajtur?! Të paska ardhur goja, eh. Bëke edhe krahasime, që të më bësh me turp. Po unë turpin e ha me bukë ore, i fut edhe një gotë verë të kuqe nga prapa, dhe hë.
Fakti që ti nuk e more drejtësinë në duart tuaja pasi u lirove nga burgu ne 1990 nuk flet në favor tëndin. Pse ore shteti do të merrej me dënimin e persekutuesve tuaj? Ai shteti i dobët që trashëguam dhe që na u desh kaq punë sa ta forconim e privatizonim këto 22 vite. Pse më i mirë je ti nga persekutuesit e djeshëm që nuk kanë kurajon të pranojnë gabimet edhe pas kaq vitesh? Çfarë do më thuash? Se shoqëria jonë akoma nuk e ka kaluar katarsisin e nevojshëm? Pse, na duhej që Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca të digjnin veten që ne të reflektonim? Ehuuuuuu, ne reflektojmë e flasim gjithë ditën or mik, para filxhanit të kafesë. Kaq shumë sa pastaj jemi të lodhur edhe të bëjmë dashuri me gruan në krevat në darkë! Më pyet se çfarë ka bërë qeverisja për këtë shtresën tënde në këto 22 vite? Po ku di unë
ore? Pse pak kam hallet e mia? Në vitin 2004 ministri socialist i financave thoshte duhen 1,2 bilionë dollarë për të dëmshpërblyer të përndjekurit politikë, gjë që nuk përballohet nga buxheti. Po kush kërkoi 1,2 bilionë dollarë se? Sipas teje, kësaj i thonë se që nga fillimi pozicioni i së majtës dhe së djathtës ka qenë dhe ka mbetur “ne duam t’u japim shumë, kështu që nuk po ju japim asgjë”? Kjo po më thua që është ironike?
Eeeeh, sa më fute në mendime ore i uruar me gjithë këto që më the. Më thua që përndiqeshe aktivisht dje nga regjimi komunist dhe që je lënë në harresë sot nga regjimi demokratik. Se qeveria nuk ia ka ngenë të qeverisurve se merret me 'punë të mëdha' dhe i lë ata të vdesë urie. Hmmm, tani po filloj të
mendoj se shoqëria jonë ka një mundësi të çlirohet nga vargonjtë mendorë për herë të dytë, përsëri me kontributin e të ish persekutuarve politikë, dhe të kuptojë që duhet të shqetësohemi për fatin e njëri-tjetrit si qenie të arsyeshme dhe humane dhe që qeverisësit përgjigjen para të qeverisurve për atë çfarë premtojnë dhe bëjnë, dhe jo anasjelltas.
Comments
Genti, Eshte nje shkrim
<p>Genti, </p><p>Eshte nje shkrim dritherues per nje realitet qe shkakton dhembje dhe zemerim ne te njejten kohe. Nje 'Bravo'per shkrimim. Groetjes, Zamira</p><p> </p>
Add new comment