Detroit, falimenti i një qyteti

Postuar në 22 Korrik, 2013 03:44
The Economist

Kur General Motors plotësoi dokumentet e falimentit në vitin 2009, shumë menduan se ishte fundi i atij që, njëherë e një kohë, qe prodhuesi më i madh i makinave në botë. Kompania kishte mbetur pa para. Aksionet e saj kishin rënë në 3 dollarë. Kostot e pensioneve për punonjësit e saj ishin gjymtuese. Por shpallja e falimentimit e ndihmoi GM të bënte një kthesë për mirë dhe shpejt. U bë më i fortë dhe më i vogël. Aksionet e tij u rritën. Dhe vitin e shkuar bëri 6 miliard dollarë fitime.

Tani qyteti i GM, Detroit, po shpreson për një kthesë të ngjashme. Qyteti plotësoi letrat për faliment bashkiak më 18 korrik, duke u bërë qyteti më i madh ndonjëherë që falimenton në Amerikë.

Dikur një nga qytete më të mëdha e të pasura të Amerikës, Detroit ka qenë në grahma për një gjysmë shekulli. Vendet e punës u zhdukën, bashkë me njerëzit. Popullata e Detroit ra nga 2 milion në vitet 1960, në 700 mijë aktualisht. Papunësia ka kapur 16 përqind, më shumë se dyfishin e përqindjes kombëtare dhe shtetit të Michigan-it, (kryeqytet i të cilit Detroit është). Cka mbetur nga pjesa taksapaguese është në vështirësi dhe e mbingarkuar. Detyrimet janë të pamata, rreth 17 milard dollarë, apo rreth 25 mijë dollarë për rezident.

Në mars, Rick Synder, guvernatori i Michigan-it caktoi Kevyn Orr, një avokat falimentesh, si menaxher emergjence të qytetit. Dy muaj më vonë ai e shpalli qytetin të pashpresë. Në qershor ai publikoi një plan për ristrukturimin e borxhit dhe detyrimeve të qytetit. Një propozim thoshte se qyteti duhet të shiste veprat e artit me vlerë që zotëronte. Një tjetër pakësimin e benefiteve shëndetësore për pensionistët. Z. Orr shpalli një moratorium mbi ripagimin e rreth 2 milard dollarëve në borxhe të pasiguruara. Ai tha në atë kohë “ajo çka detroitasi i zakonshëm duhet të dijë është se kemi rënë në zero”.

Detroitasit ndoshta e dinin këtë ndërkohë. Më shumë se një e treta e banorëve jetojnë poshtë nivelit të varfërisë. Qyteti përreth tyre po rrëgjohet. Pothuajse gjysma e nenonëve në rrugë nuk punojnë. Shumica e parqeve në qytet janë mbyllur. Shkollat, gjithashtu nën kontroll shtetëror të gradës emergjente, janë në gjendje të tmerrshme. Siç pritet, krimi ka dalë jashtë kontrollit. Vrasjet janë më të lartat që nga vitet 1970. Koha e përgjigjes për telefonatat e policisë ‘911’ është rreht një orë. Vetëm një e treta e autoambulancave të qytetit janë në shërbim.

Falimentim do të thotë që banorët e qytetit mund të përballen me më shumë shërbime të prera. Punonjësit e bashkisë, si dhe penisonistët, me gjasë do t’i shihin sërish të shkurtuara benefitet. (Në një tjetër shenjë të asaj se çfarë e ligështon qytetin, dy fondet e pensioneve kanë paditur z. Orr dhe z. Snyder në mënyrë që të mund t’i bllokojnë nga shkurtimi i pensioneve të punonjësve aktualë bashkiakë). Kreditorët gjithashtu parashikojnë vështirësi. Sipas Detroit News, plani i falimentit të qytetit mund të jetë i ngjashëm me propozimet ristrukturuese të Orr-it i cili kërkonte nga kreditorët që të përfitonin të qindtën e kredive të tyre.

Disa banorë shqetësohen nga stigma e falimentit, ndërkohë që kontetë fqinje kanë frikë se problemet fiskale të Detroit do të prekin aftësitë e tyre për të financuar. Por z. Snyder thotë se ‘është i vetmi opsion praktik për të zgjidhur problemin që ka gjashtë dekada që krijohet”. GM, për sa i takon, shpreson se falimenti ‘do të shënojë një fillim të ri për qytetin”. Në një deklaratë kompania e prodhimit të makinave vërente se industria e shëndetshme e makinave do të luajë një rol në ringritjen e Detroit. Kjo është natyrisht e vërtetë, por le të shpresojmë se Motor City ka mësuar t’i zgjerojë horizontet.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.