Desha të di çmimin...

Rruga që zbret drejt Drimadhës është e asfaltuar por e ngushtë e me kthesa, stolisur plot tabela që lajmërojnë për klube e hotele por, e varfër në sinjalizime që parandalojnë aksidentet. Këtë rol e luajnë vetë aksidentet. E pamundur t’i përshkojmë ato disa qindra metra pa u ndeshur me ndonjë makinë të përplasur në kthesë. Dhe, në Shqipërinë e vogël ku Drimadha është një ndër destinacionet më të rrahura, nuk ishte çudi që shoferi i makinës fatkeqe të ishte një nga të njohurit tanë. Kishte katër orë që ishte ngulur në shtyllën elektrike të njërës prej kthesave pasi makina e tij ishte përplasur nga një tjetër simotër e Himarës, drejtuesi i së cilës ishte vendas dhe natyrisht, me të drejtën e të zotit të shtëpisë, i jepte makinës me shpejtësinë që i ”donte qejfi”. ”O vlla! Mo u mërzit, o vlla!”, i thoshte i zoti i lokalit përballë, ”këtu ngjeshen çdo ditë, o vlla!” Epo mirë! Meqë qenka kështu, u ndjemë më të lehtësuar brenda përplasjeve tona kolektive dhe i aksidentuari i dha zemër vetes për të shtyrë kohën në pritje të carroattrezzo –s nga Vlora.
Drimadha e kishte përmirësuar dukshëm infrastrukutrën e vet, një shëtitore e re po ndërtohej (si gjithmonë, brenda sezonit turistik!) e dekoruar me gurë e trotuarë. Ndjehej iniciativa private në mirëmbajtje e cila, nëse funksionon, është për t’u përshëndetur e për t’u marrë shembull nga fqinji i vet, Dhërmiu, ku plehrat vazhdojnë të mbeten pronë e patundshme publike. Baret në plazh e restorantet krah tyre kanë pamje ndjellëse. Si ngjyrat e tyre të bardha e të kaltra, ashtu edhe format e tejdukshme me vello valavitëse janë në harmoni të plotë me natyrën, plazhin e diellin. Por para se të shijonim një nga koktelet e freskët me fruta që të propozonin banakierët simpatikë, profesionistë e të buzëqeshur, na duhej të vendosnim se ku do të flinim. Kishim ndërkohë një sugjerim: kampingu Totoreto nën ullinjtë e Drimadhës. Gjithsesi nevoja për të plotësuar dijen hoteliere të zonës si dhe për të hequr çdo dyshim ndaj çka na ishte propozuar, më shtyu në një mision zbulimi në hotelet përreth.
Hotel Ionian
Një verandë gjigande me pamje nga deti i ftonte turistët nën një mbulesë fantastike jaseminësh, dorëzonjash e soj-soj bimësh të tjera kacavjerrëse. I afrohem kuvlisë në cep të restorantit që shërbente si recepsion. Djaloshi që rrinte pas kompjuterit më vështroi me sy pyetës. ”A mund t’ju pyes për dhomat?” iu përgjiga unë vështrimit të tij. ”Sa veta jeni?” tha. ”Desha të di çmimin”, ia ktheva unë. ”Sa netë do rrini?” ”S’e kam vendosur, por dua të di sa kushton një dhomë familjare”, trasha disi zërin.
Recepsionisti më përgjonte me bisht të syrit ndërsa i shmangej përgjigjes së drejtëpërdrejtë dhe me minuta të tëra rrotullonte kursorin mbi ekranin e kompjuterit në kërkim të atij çmimi. Unë prisja. ”Prit pak”, më tha dikur duke u ngritur për të shikuar diku drejt dikujt. Dikushi më vëzhgonte nga larg ndërsa fliste me recepsionistin. E ndjeva që më kishin hedhur në njërën anë të kandarit e po vinin gurët e parave nga ana tjetër derisa të shihnin që çmimi që do më jepnin të vinte fiks me aq sa atyre u hante mendja se unë mund të paguaja. Zuri të më zbaviste kjo lojë (për mua) sociologjike dhe po prisja me nge të mësoja sa vleja. ”100 euro!” erdhi përgjigjia bashkë me recepsionistin. Ja ku u ndjeva një viktimë krenare, se 100 euro në hotelet e zonës është një goxha çmim. I kërkova kandarxhiut të më tregonte një dhomë. Hezitoi gjatë cilën prej dhomave të shpaloste. Kishte zgjedhje. Me shumë mirësjellje më udhëhoqi përmes bimësisë së harlisur për qejf. Ngjitëm një palë shkallë prej betoni të murrmë të cilat, të zotët e hotel-restorantit nuk e shihnin të nevojshme t’i vishnin të paktën me pllaka. Hymë në një korridor të errët. ”Ah, qenka djegur llampa! Se deri sot punonte...” Dera e dhomës prej duralumini (të shëmtuar) u hap: dhoma e shtruar me parket (këndshëm), dollap i vogël i bardhë, i pastër, dy shtretërit dukeshin të mirë në të parë por pa komodina. Ndeza dritën e banjës: lavamani i pastër me dy sapunë të vegjël, WC –ja konturohej dukshëm nga një kordon myku i zi që të vriste sytë.
- Po dush s’ka?!
- Ja ku është, më tregoi djali një kokë dushi që varej në mur si zgjatim i tubit prej inoksi.
- As këtu s’ka kabinë apo të paktën një pllakë! mendova me zë të lartë.
Në çast më përshkoi trurin sindroma klasike e hotelerisë shqiptare që shfaqet me mungesën e kabinës a të perdes së dushit dhe madje edhe të pllakës së dushit siç ishte ky rast. Nuk e pengova dot përfytyrimin e pllaquritjes së ujit nëpër dhomë dhe të pastrueses sezonale të hotelit e cila, duke të mbajtur me hatër, të jep borxh kovën e shtupën, duke të trajtuar si zonjë shtëpie. Recepsionisti e pa se si m’u rrudhën buzët e më ftoi drejt ballkonit si çelësi i suksesit të 100 eurove. Në fakt ai ishte një korridor i jashtëm me parmak, i përbashkët për dy a tri dhoma. Heshtja ime me sa duket fliste më shumë dhe ai nxitoi të më joshte:
- Kjo nuk ishte dhoma më e mirë. Ka ca të tjera që janë shumë, po shumë të mira ama!
- Që do të thotë? u përpoqa unë, si zyshë, t’i bëja një test gjuhësor parafrazimi që ai, sipas meje, nuk e kaloi dot.
- Po ja, sa i sheh janë shumë të mira!
- E mora vesh. Tani do më thoni sa është një dhomë familjare? ngrita unë tonin duke i kujtuar se ende s’kisha marrë përgjigjen e pyetjes me të cilën kisha filluar këtë dialog eksperimental.
- Kjo dhoma është 80 euro, më erdhi përgjigjia pa lidhje.
- Po me the 100 qëparë! ndjeva me kënaqësi që kandari po lëvizte e mua po më binte vlera.
- E, po kjo është 80.
- Po një dhomë familjare ?? ngula këmbë unë, a thua se më duhej në çast ajo dhomë.
- 120! foli ngazëllimi i grepit që bie në peshk dhe, hop! u ngrit aty për atykandari.
Gjithësesi, ne hëngrëm aty darkën, ku çmimet ishin njësoj si në restorantet e ish-bllokut në Tiranë dhe frutat e detit po aq të ngrira sa në supermarketin e lagjes time. Zhurma e valëve dhe era e jaseminëve plotësonin pjesën tjetër të iluzionit. Ndërsa kamerierët, me pamje studentësh të ardhur aty për të siguruar disa të ardhura për vete, ishin shumë të sjellshëm dhe e meritonin me gjithë zemër bakshishin.
Hotel Ambel –Perivolo
Me pamje shumë tërheqëse të tipit bungalow, bojatisur me të bardhë e të blertë, rrethuar me oborre të vogla të lulëzuara e të dekoruara me gurë të rrumbullakët. Një kartolinë para së cilës nuk mund të mos i mbaja këmbët. Fillova dialogun nga e para me kamerierin i cili më drejtoi te banakieri e ky i fundit, mori në telefon një farë Doni, i cili dukej që i bënte banakierit pyetje të ngjashme me vështrimin e atij tjetrit që më kishte hedhur në kandar një hotel më parë. Pas shkëmbimeve të njëjta të tipit sa netë, sa vetë, sa dhoma.... po prisja përfundimin e ankandit, dhe: 80 euro!
- Të shoh pak dhomat?
- Patjetër.
Për hir të së vërtetës, dhoma ishte e këndshme, e re, e çarçafët e pambuktë e borë të bardha të të tre shtretërve ta bënin me sy. Një ekran i madh televizori pajisur me marrësin e Digitalb-it, shoqëronte mobilimin e plotësuar të dhomës me rafte, minibar, kondicioner e komodina. Banja ishte dritë e pastër. Dushi, natyrisht pa kabinë por, të paktën kishte një pllakë. Mirë ishte s’kam ç’them, të paktën me aq sa pashë.
Në restorantin e këtij hoteli hëngrëm drekën të nesërmen. Kamerierët ishin po aq të sjellshëm por kuzhina linte shumë për të dëshiruar, pavarësisht emërtimeve të sofistikuara të menysë dhe çmimeve të kripura. Interesit tonë për të ëmbla, kamerieri iu përgjigj:
- Kemi një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare: krem-karamelin!
Duke buzëqeshur për padijen e tij e porositëm nga një krem-karamel dhe në tryezë na erdhën pjatat me ... hasude! që në fakt s'ishte e keqe.
Ndjehet në ato plazhe që gatimi në restorante është edhe më sezonal sesa vetë njerëzit që punojnë në atë sektor. Kuzhina është një profesion që do ushtruar me kohë të plotë. Nuk e di nëse kjo dihet në ato zona turistike, par excellence.
Hotel Summer Dream
Është skaji fundor verior kur zbret në Drimadhë. Larg bareve të zhurmshme, me një hapësirë plazhi të virgjër, mbi ca shkëmbinj natyrorë gati dekorativë. Dy ngrehina të sapozbardhura mbi një bregore që është dhe pjesa më e zhveshur nga gjelbërimi e atij gjiri. Dy ngrehina me dy kate, njëri në nivel gati nëntoke duke shfrytëzuar themelin, tjetri sapo ngrinte syrin mbi bregore. Pa çati. Një terracë betoni që piqej në diell duhej të ishte në pritje të hedhjes së një kati tjetër, sapo t’ia mbathnin turistët që ende s’kishin mbrritur. Në krah të këtyre betoneve shtrihej një verandë me një bar të vogël, të hapur e disa tavolina, si një lloj ballkoni mbi det, ku rrinin ulur pak njerëz. Kërkojmë me sy dikë që të na priste. Një meso-grua me pamje të paqme na mirëseardhi me një theks gegnisht. I shprehëm interesin tonë për dhomat. Me një modesti për t’u respektuar na sqaroi se ajo është “veç e punësuar” por se nuk përtonte të na rrëfente udhën. Na tregoi naivisht dhomën më të mirë duke theksuar se hoteli ishte i ri, çka provohej edhe nga materialet e ndërtimit që ende s’ishin hequr plotësisht, nga pirgjet me dhe që e ndanin nga plazhi, e nga era e bojës të sapotharë. Ishte vërtet gjithçka e re, ndonëse mobiljet kineze të errëta, dekoracionet prej letre me lule aziatike e abazhurët me dragonj s’kishin asnjë lidhje me detin përkarshi. Po jua kursej përshkrimin e banjës, që të mos përsëris vetveten. Por megjithatë, dhoma dukej e rehatshme, e freskët dhe e ajrosur ku mund të rrinin rehat 4 shtretër.
Pyetjes për çmimin e dhomës, zonja iu përgjigj: “50”. “50 euro?” shtova unë.
- Jo, jo, tha e mira, 50 mijë lekë të vjetra, të paktën aq e kam dëgjuar pronarin të thotë.
- Aha, thashë e kënaqur nga çmimi në lekë, me gjithë mëngjes?
- Me gjithë mëngjes shkon 60 mijë më duket, dha përgjigjen e fundit punonjësja e shërbimit, duke na treguar me dorë se pronari ndodhej te veranda në krah.
Në raportin cilësi-çmim na u duk interesant dhe menduam se ia vlente ta merrnim në konsideratë. Shkuam drejt verandës me dëshirën për të pirë edhe një kafe. Banakieri kamerier që dukej se s’kishte punë erdhi drejt nesh menjëherë. “Duam të pyesim pak për dhomat” i thamë. “Ja të vijë pronari”, tha ai duke bërë me kokë nga një tryezë ku vajti e njoftoi interesin tonë. Në fillim erdhi një djalë i ri me syze të bukura dhe na foli mirësjellshëm por, me një shqipe greqisht ose më saktë me një greqishte që do të donte shumë të ishte dhe shqip po zor se ia dilte. Vetëdija gjuhësore profesionale më bëri t’i përsërisja me durim disa herë pyetjet e mia duke i shqiptuar ngadalë. Por, duke qenë se dialogu, në thelb, ishte po aq i komplikuar sa dhe në shembujt e mësipërm, pengesa gjuhësore po ia vështirësonte jetën kandarit i cili u kthye drejt pronarit të vërtetë, që duhej të ishte babai ose xhaxhai i tij. Pronari i vërtetë, një burrë që i kishte kaluar të pesëdhjetat ndonëse fytyra e rrudhur i tregonte më shumë, u çua si me përtesë nga tryeza e tij a thua se e parandjeu që ne nuk ishim klientë në hall të madh për dhoma. Një cep të këmishës me katrorë jashtë e një cep brenda rrypit të pantallonave, tundi kokën duke na vështruar shpërfillshëm. Unë përktheva me vete atë tundje koke: “Hë, ç’doni?”
- Na ndjeni që ju ngritëm nga vendi, po deshëm ndonjë informacion për dhomat, sa është çmimi?”, thamë si të zënë në faj.
Ai na përfshiu me një vështrim që i ngjante sërish gurëve të kandarit e na hodhi në tryezën tonë një “60”.
- 60 mijë lekë, pohuam ne.
- Jo, or jo! 60 euro!
- Mëngjesi është i përfshirë? shpresuam më kot.
- Jo! Me mëngjes shkon 65!
- Po dhomat familjare sa shkojnë?
- Aaa! S’kam ashtu! Nuk fus krevat portativ në dhoma unë, se i kam pllakat e reja e më gërvishten nga këmbët e krevateve…
Në çast, thashë t’i shpjegoja hotelxhiut se ka dhe krevatë më cilësorë që s’ua bëjnë atë punë pllakave, por toni i tij nopran nuk më frymëzoi për të ndarë informacion mobilerie me të dhe, për të zbavitur më shumë veten time, iu drejtova me të njëjtin kod siç më foli dhe ai:
- Po mirë, ore vlla! Po ne që kemi bërë dy fëmijë si t’ia bëjmë hallit?
- Aaa, s’di gjë unë! Merr dy dhoma! na u përplas përgjigjia e pronarit të bezdisur nga pyetjet tona.
Hak kishte! Kush është ai i marrë që ka thënë së klienti ka gjithmonë të drejtë?! Gjepura!
M’u duk sikur po e shihja botën kokëposhtë. E falenderuam pronarin duke i kërkuar thellësisht ndjesë për shqetësimin e duke i uruar një ditë të qetë dhe morëm të largoheshim. Ai u nis drejt tryezës së vet por, i mbajti këmbët. E kishte menduar veten me sa duket më tërheqës se aq dhe nuk e priste, madje as nuk e kuptoi si ne u tërhoqëm. U kthye sërish si njeriu që, bën si bën, i jep edhe një mundësi atij tjetrit (domethënë neve) për të përfituar nga e mira që ka përpara:
- Ore, më erdhi njëri këtu dje e mori dhomë te unë. Iku ore, iku nga ai tjetri (e bëri me dorë diku nga plazhi) se e mbante 100 euro dhomën ai atje, ça thua ti!
Në fakt ne s’thamë gjë, i bëmë një shenjë mirëkuptimi me dorë duke i dhënë formalisht të drejtë, dhe i lamë shëndenë. U pamë sy më sy mes nesh dhe i lexuam njëri-tjetrit të njëjtin mendim : “këta janë për oficerë, jo për kamarierë”!
Totoreto –ëmbëlsira për në fund.
Në krye të këtij rrëfimi përmenda kampingun Totoreto. Vetëm 450 metra nga deti. Nën hijen e ullinjve, në dy shkallë të tarracuara, është ngritur një kamping me rreth 10 -15 çadra të bukura, të reja, të hapura mbi platforma druri, me dritare të madhe prej rrjete të hollë që fut brenda bujarisht dritën dhe ajrin por lë jashtë insektet. Dy shtretër për çdo çadër, të rehatshëm e me dyshekë cilësorë, me çarçafë pambuku të pastër e me ngjyra në harmoni me blertësinë e ullinjve. Tarracat janë të ujdisura shumë mire. Rrugicat me pllaka guri krijojnë ndarje mes çadrave, hamakëve ekzotikë që varen në trungjet e ullinjve dhe restorantit të vogël nën pjergullat plot me vile rrushi, poshtë të cilëve varej një ekran i madh televizori ku shfaqeshin gjithë kanalet e mundshme por, ku shërbehej kallamarë e peshk në zgarë me një salcë të mrekullueshme me erëza, sallatë e stinës, byrek shtëpie që të lëpije gishtërinjtë, qofte si të gjyshes e verë të kuqe. Banjat dhe dushet ndodheshin në një ambjent të përbashkët: të mirëmbajtura dhe me ujë të ngrohtë me bollëk. Tim biri i shkëlqyen sytë nga ideja se mund të kalonte një natë në çadër, në ajër të pastër, nën këngën e gjinkallave, dhe me “natën e mirë” të yjeve që pikëzonin qiellin. Harmonia me natyrën dhe respekti ndaj mjedisit ishin aq të forta e joshëse sa, përveç tërheqjes ndaj “aventurës”, dëshira për të kontribuar sado pak në atë investim ishte shumë e fortë. Aty gjetëm një familje sllovene me fëmijë adoleshentë, që kishin vendosur të zbulonin bregdetin tonë dhe ishin ndalur në atë kamping për pak netë, disa të rinj kosovarë simpatikë, ca francezë që merreshin me parashutizëm e një grup të rinjsh bullgarë që zbrisnin nga Kroacia e shkonin drejt Korfuzit.
Roza, Ani dhe Taqo, janë dy motra e një vëlla që jetojnë në Tiranë dhe që nën ullinjtë e trashëguar të familjes, kanë vendosur të ngrenë këtë strukturë të lehtë turistike. Taqo na priti në hyrje të kampingut me shumë butësi e sportivitet. “10 mijë lekë të vjetra për person, është nata”, tha Taqo pa kurrëfarë kandari. Të nesërmen në mëngjes na priste një tryezë nën hije, me fruta, me kafe të fortë e vezë të skuqura, me bukë të freskët integrale e kos dhe reçel mandarinash e limoni nga agrumet e kampingut. Si gjatë darkës edhe në mëngjes, ata shërbenin vetë, si në një familje ku çdo pjatë shoqërohet me shumë dashuri e thjeshtësi e nuk përtonin t’u përgjigjesin modestisht pyetjeve tona. Kam admirim për atë nismë të lavdërueshme por, aspak të lehtë dhe sidomos të guximshme në një zonë turistike ku tensioni i energjisë elektrike mezi arrinte 150V duke nxjerrë jashtë loje frigoriferët.
Do t’i doja shumë më të shpeshta nëpër Shqipëri të tilla struktura, të përsosura për të rinjtë, por edhe për familjet që e dashurojnë natyrën dhe që herë pas here i tundon aventura prej boy-scouts.
U larguam prej andej me shijen e mirë e të dashur që na la ai oaz ekologjik që mbijetonte mes amatorizmit hotelier të Dhërmiut.
Deti dhe plazhi janë të jashtëzakonshëm në Drimadhë, por ndryshe nga një vit më parë pashë me keqardhje në ujë ca shenja që më therrën në zemër e që shpresojnë të jenë vetëm gjurmë të rastësishme të ndonjë anijeje të pakujdesshme. Uroj me gjithë shpirt që vitin tjetër të mos kem asnjë mundësi të bëj ndonjë shkrim me titullin ogurzi “E pat edhe Dhërmiu!”
Kur nëpërmjet reportazheve që guxoj të shkruaj, tregoj në publik përvojat e mia në brigjet e jugut, qëllimi kryesor është të ndaj kënaqësitë që ofrojnë këto vise por, edhe shqetësimet për bëmat tona njerëzore. Aromat e bimëve më yshtën të kaloja natën diku në bregun e Drimadhës dhe shumë mirë bëra.
Më tej udhëtimi vazhdon në një bregdet e peizazh natyror që ta mbajnë shpirtin pezull nga bukuria. E sado të të cingërisin nervat plehrat e derdhurave rrëpirave e fara e betonit që po mbin në zonat e urbanizuara, thirrja për t'u kthyer vazhdimisht në ato brigje është një tundim i pakrahasueshëm. Bujaria e natyrës ka qenë kaq e madhe kur ndërtoi Shqipërinë saqë shpresoj që brezi ynë të mos ketë mjaftueshëm kohë për ta zhbërë, në pritje të një brezi më të mirë kur shqiptarët të jenë ngopur e të kujtohen për mirënjohjen që duhet t'i kthejnë natyrës.
Publikuar fillimisht në Panorama
Comments
Shpetojeni bregdetin Jon!

Shpetojeni bregdetin Jon! Ambientaliste, pushtetare qendrore dhe lokale, qytetare, katundare, gazetare, ligjevenes, biznesmene natyrengrens.Do te jete vone kur perla te jete zhdukur dhe te kete mbetur guacka e betonit! Dhe atehere do te kendejome nder lahutat tona:na ishte nje here bregdeti i bukur Jon!

Shume bukur, stil ala Jerome

Shume bukur, stil ala Jerome K. Jerome, pershkrim besnik i asaj qe te ofrohet. Une vete banoj ne Vlore dhe ka disa vite qe me ze tmerri kur mendoj cfare te ofrojne dhe cfare kerkojne.

Hej, "hoteliere" te bregut, kufiri eshte hapur tashme, e keni idene se cfare ofrojne fqinjet me gjysmen e cmimeve tuaja?

Shkrim i kendshëm. Më dha

Shkrim i kendshëm. Më dha kënaqesi. Edhe letërsi e spikatur, edhe temë sociale e ditës, më se e pranishme në bregdetin tonë. Të përgëzoj Mirela.

per vitet e jetes dhe te

per vitet e jetes dhe te eksperiences qe ka mirela artikulli duhet te ishte i nje stili me te larte se sa ai i nje pershkrimi te dyzuar midis gjuhes letrare dhe asaj gazetareske, ku ajo letrare eshte e paarirre ndersa ajo gazetareske jo profesionale natyrisht. denoncim kafeneje.

Kush të ka vënë në këtë faqe

Kush të ka vënë në këtë faqe sociale të bësh rolin e policit? Pse, pak policë kemi vërdallë gjatë ditës nëpër këmbë, por duhet të të shohim edhe ty loqe nëpër blogje, duke ndërhyrë tek shumica e komentuesve? Mos të ka mbushur mëndjen njeri që je bythë e zgjuar dhe ke zgjedhur ResPublika për t'u afirmuar?

Desha te di

Desha te di cmimin...

"Totoreto –ëmbëlsira për në fund."

Konkluzion:

Edhe sikur pronaret e TOTORETO-s, Taqo me dy motrat e tij Roza dhe Ani,

te kishin paguar gazetaren per kete shkrim...nuk do te dilte shkrim me i mire se sa ky.

You know what I mean.

kjo eshte e verteta e hidhur

kjo eshte e verteta e hidhur e kultures turistike ne Shqiperi. Nese duam te ecim para dhe te jemi konkurrent pronaret e hoteleve para se te vendosin cmimet mire do te ishte te benin nje vizite ne vendet fqinje dhe te shohin cfare cmimesh kane dhe cfare ofrojne hotele te njejtes kategori me ta.

Add new comment