Demokraci pa popull
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5649_1_203.png?itok=i6EIHPoA)
Dhuna e policisë së Kosovës atë ditë ishte shpërfaqja më brutale dhe më e hapur e karakterit të shtetit të Kosovës. Kjo e bëri edhe më të domosdoshme shtrimin e disa pyetjeve fundamentale: Shtet PO, por çfarë shteti? Shtet për kend? Kjo është pyetja themelore pas demonstratës së 14 Janarit. Tendenca për ta lexuar dhunën dhe brutalitetin policor/shtetëror të policisë nga prizmi i ngushtë i sistemit juridik e ligjor të vendit. Të gjithë e pranojmë se atë ditë pati tejlakim të kompetencave të policisë, pati shkelje të së drejtës për organizim dhe protestë, etj. Siç shkruan Pashukanis, në raport me ligjin, çështja nuk është të afirmohet ose të mohohet ekzistenca e ideologjisë së ligjit, por të demonstrohet se si kategoritë e ligjit nuk kanë kurrfarë rëndësie tjetër përveç se asaj idelogjike. Së këndejmi, studimi i vetëm në raport me ligjin është nëse ai analizohet si nën-kategori ideologjike. Rrjedhimisht, në Kosovë ne përballemi me domosdoshmërinë e ri-mendimit të koordinatave ideologjike-politike të ekzistencës së shtetit të Kosovës. Sepse, sistemi juridik nuk është përmbajtja e shtetit – ai është veçse sanksionimi juridik i ideologjisë dhe marrëdhënieve ekzistuese të prodhimit.
Çka do të thotë të rimendohen koordinatat ideologjiko-politike të vet shtetit të Kosovës, pa rënë në grackën formal-juridike, dhe atë të ‘urgjencës’, si dhe brengat tona tradicionale për konstelacionet gjeo-politike? Pyetja e parë në raport me Shtetin është: nëse na duhet dhe duam shtet, atëherë pse e duam atë? Shteti nuk është një abstrakcion metafizik, e as objekt i cili shkakton kënaqësinë (jouissance) kolektive. Shteti shfaqet në një kontekst të caktuar historik dhe si i tillë, ai ka një rol të caktuar shoqëror. Shteti është shfaqur si nevojë për rregullimin e antagonizmave klasore në territor të caktuar, rregullim të marrëdhëdhënieve të prodhimit dhe distribuimit, e kështu me radhë. Duke pranuar karakterin represiv të shtetit (mes tjerash, duhet kujtuar që shteti ka monopolin mbi ushtrimin e dhunës), duhet përsëritur Marksi për tezën e tij mbi karakterin klasor të shtetit: shteti është krijim i “rendit”, i cili e legalizon dhe e normon opresionin klasor, nëpërmjet moderimit të tij.
Me fjalë të tjera, raporti i shtetit me dhunën duhet të analizohet në dritën e raportit të shtetit me kapitalin. Kështu, dallimi ndërmjet shtetit dhe kapitalit është dallim strukturor dhe logjikat e tyre janë të ndryshme, por në kapitalizëm shteti është instrument i kapitalit, kurse në forma tjera të organizimit politiko-ekonomik, shteti do duhej të ishte ai që dirigjon interesat e popullit e jo të kapitalit. Kjo do të thotë që raporti i dhunës nuk mund të kuptohet drejtë pa u marrë parasysh raporti i shtetit me kapitalin dhe në këtë linjë të argumentimit, përgjigja me dhunë e shtetit natyrisht se është e tmerrshme dhe përtej çdo logjike të shëndoshë, por jo e paarsyeshme, kur kihet parasysh dhe vështrohet nga syzet e shtetit: kur modaliteti i funksionimit të tij është në shërbim të kapitalit – si pasojë, sa më i madh të jetë sulmi ndaj qarkullimit të kapitalit, aq më e madhe është ‘hakmarrja’ e shtetit. Mirëpo, edhe pse shteti definohet përmes përdorimit të dhunës, modalitetet e përdorimit të saj nuk janë të njejta në shtet. Përdorimi i dhunës nuk është i domosdoshëm për shtetin (tezë e elaboruar nga Althusser), por ai është i domosdoshëm për kapitalin. Shteti, pra, mund t’i përdorë Aparatet Ideologjike Shtetërore për të zgjidhur problemet e veta, por kapitali që është tërësisht apolitik e jo-nacional, është i detyruar të përdorë dhunën.
Por, cila është përmbajtja e shtetit të Kosovës? Në analizë të fundit, shteti i Kosovës është produkt i luftës (së ftohtë) ndërmjet forcave imperialiste dhe fuqive të mëdha botërore. Thënë ndryshe, shteti i Kosovës është shtet anti-popullor. Baza e tij ideologjike është intervenimi neo-imperialist, i sanksionuar në një dokument politik, i cili më pastaj u bë baza e vet shtetit – e ky dokument quhet Plani i Ahtisaarit. Ky plan është negacion arrogant i asaj që Peter Hallward, nën ndikimin Jacobinian, do ta quante “vullneti politik emancipues”. Në kontekstin Fanon-ian, kjo do të përkthehej si “vullnet i njerëzve” nën ndikimin e traditës Rousseau-iane, Lenin-iste e Mao-iste. Në këtë frymë duhet lexuar intervenimi brutal i Shtetit të Kosovës ndaj protestuesve me datën 14 Janar. Ajo që duhet rezistuar është personalizmi i problemit: nuk është problemi tek Hashim Thaçi si individ (i korruptuar, me prirje të rrezikshme autoritare, e kështu me radhë), por te sistemi politik i Republikës së Kosovës që i mundëson atij të jetë i tillë. Me fjalë të tjera, është gabim fatal politik dhe mistifikim ideologjik nëse Thaçi përceptohet si thelbi i problemit. Natyrisht, prirjet e tij autoritare të dëshmuara përgjatë gjithë kohës sa është në pushtet, akuzat për korrupcion, krim të organizuar, presion në media, e kështu me radhë nuk duhet venë në pikëpyetje – por, ai (personalisht) nuk është as shkaku. Ai është shprehja më e lartë dhe më komplete e sistemit politik të shtetit të Kosovës! Në linjë me Althusserin, duhet thënë se shteti nuk nënkupton vetëm Aparatet Represive Shtetërore. Në fakt, sipas tij, aspekti tjetër shumë i rëndësishëm i mirëmbajtjes së kohezionit në Shtet janë Aparatet Ideologjike Shtetërore. Si funksionon kjo në hapësirën politike të Kosovës? Në Antigona të Sofokliut, sikurse në të gjitha tragjeditë e tjera të antikitetit grek, ekziston kori (khoros) si trup. Kori është trup homogjen, i pa-individualizueshëm, obligimi i së cilit është komentimi kolektiv i aksioneve, ngjarjeve, etj. Pra, ky është kori i common sense-it, aktiviteti i të cilëve bazohet në racionalizimin e asaj që e bëjnë ata në pushtet. Kori ekziston për të racionalizuar dhe mbrojtur veprimet e atyre në pushtet. Siç ishte rasti në tragjeditë greke, kori i mundësonte audiencës përcjelljen e performancës. Në politikë, kori i mundëson pushtetit racionalizmin e vetvetes në fushën shoqërore. Kori grek komentonte në temat e tragjedive dhe tregon se si një audiencë ideale reagon ndaj dramës/tragjedisë. Në politikë, kori na tregon se si ne duhet të bëhemi masë ideale shoqërore dhe si të reagojmë ndaj veprimeve të atyre në pushtet. Në politikë, kori i common sense-it janë ata që ne sot ju referohemi si analistë, publicistë, edhe deputetë. Mediat e kontrolluara nga qeveria dhe analistët në to si dhe disa deputetë të pozitës, gjatë gjithë këtyre ditëve u mobilizuan për të mbrojtur dhe racionalizuar dhunën shtetërore.
Në analizë të fundit, dhuna e 14 Janarit është e vërteta e këtij shteti. Andaj, pyetja që duhet bërë sot, dhe e cila është më e domosdoshmë se kurrë është se çfarë shteti duam? Cili shtet do të na mbrojë nga një dhunë e tillë e zhveshur dhe brutale? Përgjigja këtu është e qartë: ose shtet kapitalist që na vret e na rrahë, ose një shtet tjetër, formën dhe modalitetin e të cilit duhet medoemos ta mendojmë.
Add new comment