CEZ qe dështim i shtetit shqiptar

Postuar në 28 Tetor, 2013 06:47
Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare po përpiqet të mbyllë një telash që filloi në vitin 2008 me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe që arriti kulmin me përzënien e kompanisë privatizuese e nisjen e procesit të rishtetëzimit të kompanisë që dikur quhej OSSH dhe tashmë quhet CEZ. Problemi ka potencialin t’u kushtojë shqiptarëve dhjetëra apo qindra milionë euro.

Telashi CEZ është pjesë ose produkt i një telashi më të madh të Shqipërisë, mungesa e shtetit ligjor ose shtet i dështuar.

Tri janë rrugët e zgjidhjes së kësaj situate: vlerësimi i aseteve të CEZ dhe shpronësimi i saj, një procedurë që do të kushtojë ca para; arritja e një marrëveshjeje për rikthimin e kompanisë te pronari i vet, grupi çek, CEZ, ose rishitja e kompanisë te një palë e tretë.

Cilado prej këtyre zgjidhjeve nuk e zgjidh në thelb problemin, ose shkaqet që e krijuan këtë situatë.

E para, CEZ dështoi se nuk mblidhte dot faturat e energjisë elektrike. Kur ka një kontratë dhe njëra palë refuzon ta respektojë atë, (në këtë rast qytetarët dhe institucionet publike që nuk shlyen faturat), kompania nuk mund të marrë një revole e të shkojë t’i mbledhë me dhunë. Ajo ka nevojë që policia ose shteti ta detyrojë shkelësin të plotësojë detyrimet e veta kontraktuale. Kur shteti nuk e ndihmoi, nuk kreu funksionin e vet themeltar. Kjo do të thotë që shteti dështoi.

E dyta, rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike është një monopol natyror dhe si i tillë, nën pronësi shtetërore apo private, duhet të mbikëqyret për mbrojtje të konsumatorëve. Në rast se mbikëqyrësi nuk e kryen këtë funksion, sërish kemi të bëjmë me dështim të shtetit.

Konkretisht, CEZ pati disa liri nga autoriteti, në drejtim të importit të dritave, të cilat sollën kosto të pajustifikuara për konsumatorin. Formula e tenderimit të energjisë së importit dhe rregullimi i marrëdhënies së CEZ me prodhuesin shtetëror KESH, qenë në dëm të KESH dhe të konsumatorit. Shkurt, CEZ hyri në Shqipëri si një korporatë ndërkombëtare që filloi të përdorë mekanizmat e zakonshëm të biznesit politik në vendin tonë. Zhvatje dhe ndarje fitimesh. Të ashtuquajturat kontrata për mbledhjen e borxheve të këqija, a thua se kishte nevojë që faturat e papaguara nga institucionet publike të mblidheshin nga një palë e tretë, qenë vetëm një pjesë e praktikave korruptive të kompanisë së nderuar CEZ. Por në thelb, CEZ kërceu sipas muzikës. Në një shtet ku nuk zbatohen kontratat, nuk ka se si të bësh biznes.

Privatizime të tilla kanë dështuar në shumë vende të tjera, si në Maqedoni e Bullgari. E gjithë logjika pas privatizimit të sektorit të energjisë elektrike ka rezultuar e gabuar në shumë vende europiane. Në të gjitha rastet, mungesa e rregullave të sakta dhe mungesa e zbatimit të rregullave, janë shkaktarë të dështimit. Askush nuk mund të pretendojë se faji qe i njëanshëm, i kompanisë apo i shtetit. Por është i sigurt detyrimi i zbatimit të kontratave është parakusht për funksionimin e vendeve.

Qeveria do të zgjedhë praktikisht mes shpronësimit dhe kthimit të CEZ në ndërmarrje shtetërore ose rikthimin e saj në administrimin e CEZ-it. Rishitja e kompanisë te një palë e tretë, nuk ngjan një ide shumë e mirë. Çmimi i shitjes do të qe minimal dhe ka gjasa që vetëm ndonjë kompani aventurore do të afrohej.

Rikthimi te CEZ apo shtetëzimi janë dy opsionet që mbeten. Sido që të jetë zgjidhja, problemi mbetet tek aftësia e shtetit për të detyruar nënshtetasit e vet të respektojnë kontratat e nënshkruara. Aftësia e zbatimit të ligjit nuk varet shumë nëse bëhet fjalë për ndërmarrje shtetërore apo ndërmarrje private. Varet nga vullneti politik për urdhërim dhe ndëshkim.

Nuk është se ka shumë rëndësi se cila do të jetë zgjidhja për pronësinë e CEZ Shpërndarje, por ka shumë rëndësi çështja nëse ekziston vullneti politik për të mbledhur faturat e dritave.

Mbledhja e faturave të dritave është edhe një ushtrim i mirë për ligjzbatimin në përgjithësi në Shqipëri. Duke qenë se mospaguesit janë me dhjetëra mijëra, një fushatë reale për mbledhjen e detyrimeve përbën një gur themeli në ndërtimin e një shteti normal. Në rast se kjo nuk bëhet, atëherë do të vijojmë me të njëjtën situatë siç kemi qenë në të shkuarën, dhe siç jemi aktualisht, një shtet i dështuar.

Gazeta Shqip

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Mah, aritikull shume siperfaqesor qe, per mendimin tim, nuk prek thelbin e ceshtjes. Gjergji nuk permend fare faktin qe privatizimi ne fjale qe nje nga kerkesat e hershme dhe te vazhdueshme te institucioneve nderkombetare si FMN dhe BB, qe do te permbyllte me sukses reformat ekonomiket ( lexo: privatizimet).

Une qe ne ate kohe isha kunder privatizimit pikerisht duke njohur problematikat e sektorit. C'do kompani e huaj nuk mund te pretendonte te mbidhte faturat e energjise nga nje dite ne tjeter, pa patur nje strategji te mirefillte se si do realizonte kete gje. Dmth, kjo ishte mema e te gjitha problemeve dhe nuk mund te lihej menjeane. Pikerisht ketu qendron nje nga arsyet e privatizimit te CEZ.  Nje zgjidhje mund te kishte qene investimi i fokusuar ne menyre te tille qe te arrihej nderprerja e nergjise per ata te cilet nuk paguanin energjine, ashtu sic ndodh ne gjithe boten. Nder te tjera, problemi i zbatueshmerise se kontratave e gjejme edhe ne sektorin bankare. Shume shtepi, sidomos ato te ashtuquajtura private ( jo ne pallat), jane shume te veshtira per tu sekuestruar, e jo me per tu shitur. Por kjo gje nuk po ve ne veshtiresi bankat shqiptare, te pakten jo deri ne piken sa te falimentojme.

Nje tjeter ceshtje eshte realizimi i investimeve nga ana e CEZ ?? Kontrata realizaohet ndermejet dy paleve. Ne artikull do te duhej te ishte permendur faktin qe ndoshta ( nuk kam te dhene te sakta) CEZ-i nuk ka realizuar aspak planin e saj te investimeve te parashikuar ne kontraten e shitjes me shtetin shqiptare. A nuk mund te jete edhe kjo nje arsye deshtimi ???

Submitted by ina (not verified) on

teresisht dakord me Anonim. analiza le shume per te deshiruar pasi edhe pse prek problemet kryesore nuk shkon pertej analizes mainstream e kornizave ekzistuese politike, dmth nuk ve ne pikepyetje se pari llogjiken e privatizimit te sektoreve strategjike. Akoma me shume, pyetja kryesore qe mendoj personalisht duhet shtruar eshte: a eshte energjia elektrike nje "e mire publike"? mendoj qe ka ardhur koha qe brezi i ri i analisteve te sfidoje argumentat shabllon dhe te nise te zhvilloje nje diskurs te ri. Nese energjia eshte nje e mire publike, atehere duhen politika teresisht te tjera qe sigurojne qe cdo qytetar te kete te drejten e nje limiti energjie falas - nje limit qe siguron qe kushtet baze per jete normale - dhe ata qe konsumojne me shume te taksohen akoma me shume; ketu kostoja duhet te bjere vecanerisht mbi bizneset. Ne Shqiperi ndodhi teresisht e kunderta: perpjestishmerisht, konsumatoret e thjeshte paguajne me shume se korporatat apo te pasurit. deri sa kjo logjike do te vazhdoje asnje te mos prese mbledhje te faturave.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.