Burrat e vegjël

Shënim i Respublica-s
Shkrimi i mëposhtëm ka ardhur në redaksi shoqëruar me shënimin: “Une e ndjek Respublica-n cdo dite, dhe pavaresisht se nga ana vizive eshte modeste, mund te them se per mua eshte nje nder faqet me te mira shqiptare. Sidomos me pelqen rubrika e lajmeve, per vet menyren e servirjes se tyre. Po ju dergoj nje tekst (Burrat e vegjel, attach), qe mua me ka vene ne dileme: a duhet te germojme ne moralin e shprishur te burrave qe merren sot e gjithe diten me punet e politikes, biznesit dhe drejtesise ne Shqiperi? Ju lutem me shkruani, gjithashtu do deshiroja te me njoftoni a do ta publikoni apo jo. E them kete, pasi shkrimi eshte paksa i ashper. Ne pritje te pergjigjes tuaj, Sinqerisht, Ed Martini..”
Faleminderit Edi. Respublica do botojë në kolonën e opinioneve prurjet analitike të lexuesve dhe i inkurajon ata të na shkruajnë. Nuk premtojmë që do botohen domosdoshmërisht të gjithë emailet e dërguar.

Triumfi i demagogjisë është kalimtar, por gërmadhat e saj janë të përjetshme.
Charles Péguy
Në odat burrave, të kthyera në institucionin e kuvendit në traditën popullore, gjuha kishte një dimension të papërsëritshëm. Por kur ndodhte që dikush bënte çfarë kishte në dorë, lihej mënjanë kortezia dhe thuhej troç: Burrë pak!
Kur një njeri bën gjithçka ka në dorë, dhe për fat të keq njeriu ka shumë mundësi të bëj punë të shëmtuara, aq më shumë kur këto mundësi shumëfishohen nga pushteti, atëherë emri Burrë pak mund të duket si një trajtë përkëdhelëse. Të përpiqemi të shohim në thellësi të moralit të Burrave që merren sot e gjithë ditën me punët e këtij vendi të mjeruar, të mjeruar sepse ka dalë nga një diktaturë 46 vjeçare, të mjeruar sepse ka 22 vjet që vidhet (vota, taksat, pasuria e tundëshme dhe e patundëshme) diten për diell me ligj e pa ligj, të mjeruar për drejtësinë e munguar, të mjeruar sepse nuk ka plane të qarta zhvillimi, të mjeruar sepse ka 22 vjet që ëndërron integrimin në Europë por përsëri kjo mbetet një ëndërr, të mjeruar sepse plagë të tilla shoqërore si hakmarrja dhe gjakëmarrja e kanë mbushur me varre te reja jugun dhe veriun, të mjeruar për 1000 arsye që do të përpiqemi t'i sqarojmë më poshtë.
Burrat e Drejtësisë
Kush i njeh Burrat e Drejtësisë në Shqipëri? Njihni ndonjë prokuror, gjykatës apo avokat që nuk ka qenë i përlyer në diktaturën komuniste? Po ndonjë të tillë që t'i ngjajë sadopak, me një gjest të vetëm Xhovani Falkones? Mos po pretendoj shumë me këto pyetje? Me siguri që po! Që të jem më i drejtëpërdrejtë po sjell këtu një monolog të vërtetë me një prokuror shqiptar: unë nuk mund të shkruaj këtu emrin e tij, prandaj mbetet vetëm të më besoni se të gjitha këto që po shkruaj janë ashtu siç i kam dëgjuar.
"Kur rifillova punë si prokuror thosha me vete se sido që të vejë puna, unë do të përmbahem disa normave elementare, të paktën nuk do të marr njerëz në qafë. Por nuk ishte e thënë që të ishte kaq e lehtë! Shumë shpejt, të njohur të vjetër dhe të rinjë më zunë derën, për çeshtje nga më banalet deri tek ato më të rëndat. Pothuaj i kam liruar nga akuzat kriminelë të deklaruar dhe të provuar. Gjithmonë gjendet një kleçkë që një provë ose rrethanë të mos merret si e tillë. Në fakt në punën time kam shumë shokë, bashkpunëtorë; të gjithë punojmë në një drejtim, duke vendosur çmime dhe pazare për çdo veprim tonin. Unë e di se çfarë ka bërë njeri ose tjetri prokuror, njëri ose tjetri gjykatës, çfarë ka bërë njëri ose tjetri hetues i prokurorisë. Të gjithë, pa përjashtim të gjithë jemi të zhytur deri në grykë. Çeshtjet shkojnë shkallë shkallë duke paguar tarifën e nevojshme, tek ne si organ akuze, tek gjyqtari i çeshtjes, tek avokati, tek strukturat e policisë kur duam që të zhvlerësojmë një provë ose rrethanë të caktuar. Kjo situatë i ka inkriminuar të gjithë, pa përjashtim. E di se kush merr zakonisht dënimin e merituar? Ata që nuk kanë bërë kushedi çfarë, vjedhje të vogla, sherre të rinjësh, përdorues droge, fshatarë, në përgjithësi ata që nuk kanë mundësi të paguajn. Ndonjë herë tjetër do të të tregoj gjëra që do të lënë pa fjalë! Dhe unë jam pjesë e kësaj maskarade… “ (Çdo ngjashmëri me persona të caktuar është krejt rastësore! Ed Martini)
Pa fjalë, mos më thoni se nuk ndodh pikërisht kështu, pothuaj me të gjithë Punëtorët e Drejtësisë në Shqipëri. Megjithatë unë shpresoj se ka akoma ndonjë që e vret ndërgjegja për çfarë bëjnë e nuk bëjnë me të drejtën në këtë vend të mjerë! Sigurisht, këta punëtor drejtësie që nuk ia kanë shitur shpirtin djallit, përpiqen dhe bëjnë aq sa munden, diku në ndonjë skutë periferike dhe ndodhen nën presionin e paparë të paras dhe Maliqit Ligjor, për t'u kthyer edhe ata si shumica, ndryshe nuk mbijetesa në këtë sistem është mision i pamundur.
Burrat e Biznesit
I njihni Burrat e Biznesit në Shqipëri? Këtu e kam fjalën për të gjithë ata që "ndërtojnë" Shqipërinë: që ndërtojnë kryesisht pallate, që kanë gurore dhe eskavatorë bregut të lumenjëve, që kanë ngritur mijra pika karburanti rrugëve të Atdheut, ata që kanë kompani telekomunikacioni, televizione, banka; ata që sjellin prodhime agro ushqimore, pije, ilaçe, cigare, karburante dhe kafe për një popull prej tre milion banorësh, ata që kanë marrë liçensa kombëtare për bizneset e tyre. A njihni ndonjërin? Me siguri që po. Duhet të ketë një listë me këto biznese të mëdha që marrin çdo ditë qindarkat tona. Po kush janë ata? Mua më rezultojnë të jenë Burra të lidhur me politikën e dy krahëve, të majtë dhe të djathë, më rezultojnë edhe ministra dhe deputet, më keq akoma ka të tillë që janë të lidhur edhe me Mafian! Unë nuk do të citoj asnjë emër, pasi nuk jam aq budalla sa të rrezikoj jetën e familjes time. Shqipëria është një fshat i vogël ku të gjithë mblidhemi tek kafja e lagjes dhe meditojmë nën zë për mjerimin që na ka zënë dhe burimet e jetës që i kanë zaptuar këta Burrat e Biznesit, që në fakt diktojnë edhe politikën ekonomike dhe sociale, gjithmonë në favor të interesave të tyre madhore. Që për fat të keq, nuk janë interesat e shumicës absolute të popullit të mjeruar shqiptar. Puna është se sikur këta të përbëjnë një klasë të mirëfilltë shoqërore do të ishtë një mrekulli, por numri real i tyre nuk i kalon pesëqind Burra Biznesi. Dhe mendoj se pesëqind persona nuk përbëjnë një klasë shoqërore. Por të kuptohemi, tek këta pesëqind Burra Biznesi nuk hyjnë shumica e mesme e tregtarve të vendit, që në fakt mbajnë barrën e madhe të taksave që mbush financat e vogla të shtetit.
Burrat e Administratës
Të më falin femrat që punojnë në Administratën Shtetërore, por për arsye etike edhe në këtë rast do të flas vetëm për burrat, pasi ato nuk janë me shumicë në këtë Administratë, shto faktin që nga natyra nuk janë aq të korruptueshme si Burrat e zyrave të shtetit shqiptar.
Më thuaj të drejtën, ti lexuesi që po lexon këto rradhë, a ke paguar ndonjëherë ryshfet për diçka shumë të thjeshtë? A je përballur ndonjëherë me sekser që të ofrojnë zgjidhje kundrejt pagesës për gjëra krejt banale? A je sorollatur zyrave të shtetit për të drejta themelore që të takojnë si shtetas i Republikës së Shqipërisë? Nëse kjo nuk ka ndodhur me ty, atëherë mendoj se nuk je banorë i vendit të shqiponjave, që pas një muaji feston 100 Vjet Pavarësi. Sepse përndryshe do ta kishe prekur shëmtinë e nënpunësit të bashkisë, komunës, tatimeve, doganave, ministrive, shëmtinë e punonjësve të arsimit, maskarallëkun e mjekut dhe infermerit, fodullëkun dhe arrogancën e policit, që flet dhe sillet si një batakçi duke bërë presion direkt ose indirekt për të paguar për shërbimin që të takon të paktën si qenie njerzore! Për këto punë Burrat e Administratës janë bërë unikal në llojin e tyre, mjeshtra të zhvatjes duke shitur pa ju dridhur qerpiku shërbime jetike që u takojnë ligjerisht këtij populli të mjerë! Në këtë rast nuk ka nevoj për emra, ata gjenden në çdo zyrë të shtetit shqiptar. Pikë!
Burrat e Politikës
Këta të fundit, jo pa qëllim po ua lë këtë renditje, janë Burrat më të vegjël që keni parë ndonjëherë. I keni parë si shahen me njëri tjetrin, gjoja duke bërë politikë të madhe? I keni ndjekur në parlament se si vjellin baltë dhe të pëgëra në emër të besimit që ne u kemi dhënë për të bërë diçka të mbarë për këtë vend? Po ministrat që rëndohen dhe u bie një hije madhështie tek lëvizin në sheshin Skenderbej me benza me xhama të zinjë, ndërsa u japin drejtim punëve të shumta që kanë me Burrat e Biznesit, me Burrat e Drejtësisë, me Burrat e Administratës? Po kur na sulmojnë në televizion me patetizëm çdo orë të ditës dhe natës, me motivin e vetëm që ne të pranojmë se atyre po u digjet shpirti për këtë vend, kur në fakt ata po na tërheqin zvarrë në mjerimin tonë? Dhe këtë e bëjnë të bindur se ata janë të zotët e këtij vendi, prijësit e ndershëm dhe plot moral të lartë, të zgjedhur me votën tonë, dhe ne, "sovrani" që u jep këtë pushtet gënjehemi nga kjo lojë e ulët, sa çdo katër vjet bëhemi palë me njërin krah politik, duke u dhënë fuqi atyre që vazhdojnë të dhunojnë dhe vjedhin, të vrasin dhe të mashtrojnë, sot e gjithë ditën, sot e përherë. Këta pra janë Burrat e Vegjël, të cilët po na marrin frymën, sepse bëjnë gjithçka kanë në dorë, kanë ngritur një sistem të tërë të lustruar me ligje perëndimore demokratike, të cilat në përgjithësi nuk i zbatojnë, vjedhin dhe nuk dënohen, vrasin dhe nuk ndëshkohen, mashtrojnë dhe nuk gjykohen.
Në krye të këtij shkrimi është cituar Charles Péguy, me thënien: Triumfi i demagogjisë është kalimtar, por gërmadhat e saj janë të përjetshme. Në fakt gërmadhat e këtyre Burrave të vegjël janë bërë male betoni. Ata mbahen për bukuri duke u rrekur të na mbushin mendjen se ata janë ajka e këtij vendi, se ata janë më të mirët në politikë, biznes, administratë, drejtësi, ata kanë shkatërruar shpresat për ligj e drejtësi, ndërsa në zyrat e shtetit gjenden me shumicë lakej dhe hajdutë që vjedhin pa u bërë syri tërr nga taksat tona, nga të drejtat tona. Ndërsa në krye të këtyre punëve të zeza si nata, janë ata, më demagogët e demagogëve, pushtat që bëjnë atë çfarë kanë në dorë, duke u tallur me ne dhe me të ardhmen e fëmijve tanë, Burrat e Vegjël te politikës së vogël shqiptare. Sepse e tillë është sot e gjithë ditën politika në Parlamentin tonë, në Qeverinë tonë, në partitë tona politike; të majta, të djatha, të qendrës. Kjo politikë e vogël, sepse nuk mund ta quaj ndryshe, nuk ka mundësi kurrsesi të jetë e madhe sa kohë që produkt i saj kanë qenë vitet 1996-97-98, më vonë Tragjedia e Gërdecit dhe 21 Janari. Nuk mund ta quaj ndryshe sepse asnjëherë të vetme politika nuk mundi të bëj zgjedhje vërtet të lira, asnjëherë të vetme nuk mundi të bjerë dakort edhe për interesa madhore të këtij vendi (Integrimi Europian) duke e lënë vendin tonë gjithmonë në fund të vendeve të rajonit.
Në rrethana të tjera kurrë nuk do kisha patur dëshirë të shkruaj diçka të tillë. Në rrethana të tjera do kisha preferuar të lexoja ndonjë autor, ta zëmë Viktor Hygo, ose të degjoja Mark Knopfler (Brothers in Arms). Në rrethana të tjera do të kisha patur dëshirë që mëngjesin e 28 Nëntorit të ngrija flamurin e pavarësisë në ballkonin e shtëpisë time. Por nuk e di a ia vlen ta festojmë këtë përvjetor kur këta Burrat e Vegjël kanë përvetsuar çdo burim jetësor të kësaj toke të lashtë.
Morali është si çdo lloj bazamenti; po gërmove shumë thellë rreth e qark tij, e gjithë ndertesa shembet.
Butler
Comments
Duhen shume shuplaka te tilla

Duhen shume shuplaka te tilla per te na zgjuar nga gjumi... Por, zgjohemi nga gjumi ne? Ne jemi mesuar te fleme nga 500 vjet rrjesht. Apo te zgjohemi nga gjumi i ''diktatures'' dhe kanaqemi ne ''demokracine'' e Sali Berishes dhe Fatos Nanos...

Ttre gjera mbaj nga ky shkrim

Ttre gjera mbaj nga ky shkrim ...

Germadhat e kthyera ne nje mal ...

Ne gjithe boten ka vetem nje lloj germadhe, ajo e shkatrrimit nga lufta ... besoj se jemi nga te rrallat vend ne bote qe kemi dy, ate te shkatrrimit dhe germadhat e "ndertimit" te nje vendi qe s'kaloi lufte ... dhe per fat te keq ... germadhat po shtohen ...

Shkatrruan shpresat e shqiptareve per ligj e drejtesi ...

Ktu s'kam cfare shtoj, pervec faktit qe tek ne as qe behet fjale per bashkim, nje fjale e thjeshte dhe e bukur shqipe por pa te cilen nuk mund te bejme perpara ... (thuprat e skenderbeut)

Dhe e treta eshte nje nje shprehje e perdorur nga autori qe do te doja te mos e kishte perdorur ...

"Une nuk do citoj asnje emer, pasi nuk jam aq budalla sa te rrezikoj jeten e familjes sime."

Kuptoj arsyen pse e ka vene, per te na thene qe ktu nuk funksionon asgje ne menyre demokratike dhe kush do guxoje te ngreje koke, do t'i pritet ... njesoj si ne diktature ...

Jo se une jam me trim e s'do beja njesoj si ti, por nga ana tjeter kjo shprehje, TREMB, tremb shume ... Tremb dhe ata te rinj qe dalin nga bankat e shkolles e duan te behen nje Falcone per vendin dhe idealet e tyre (dhe mos me thoni qe shqipja s'ka pjellur te tille djem) ne keshtu z.Edi, i trembim ata ... jo se s'e dine ... por kur e shohin te dale nga goja e nje njeriu qe shkruan gjera qe jo te gjithe e bejne, TREMBEN ...

Eshte shkrimi me domethenes

Eshte shkrimi me domethenes qe kam lexuar prej kohesh.

JU SIGUROJ PER NJE GJE. MOS PRISNI FARE ME MIRE. ME KEQ DO BEHET SE KETA BURRAT E VEGJEL KANE FEMIJET E TYRE QE PO RRITEN TE SHUMTE DHE ME TE VEGJEL SE BABALLARET E TYRE.

shume e qarte, shqiperia ka

shume e qarte, shqiperia ka rene ne gjume letargjik dhe ska ndermend te zgjohet dhe te reagoje dhe per shume vjet, mjere ne qe jetojme ketu dhe rrisim femijet ne kete palo shtet!!!!

burra te vegjel vertet,por me

burra te vegjel vertet,por me para te madhe.Shkrim shume i bukur!

Add new comment