Boll më!

Postuar në 21 Tetor, 2012 13:26
Dr.Adem Harxhi

Nga New  Yorku, me interesim qytetar dhe shqetësimin e një mjeku, e ndjek grevën e urisë të ish të përndjekurve politikë.
Së pari përshëndes sakrificën madhore të grevistëve, të cilët pa marrë parasysh shëndetin, që është gjëja më e shtrenjtë për këdo, hynë në grevë urie pwr të kërkuar të kërkuar dëmshpërblimin që u takon me ligj.  
Së dyti, më duket i pajustifikuar qëndrimi mospërfillës, madje cinik, i qeverisë, ndaj shëndetit dhe jetës së tyre. Për të shpëtuar shëndetin e këtyre  njerëzve, duhen të ndërmerren hapa konkrete të menjëhershme, të cilat do të ndihmonin në zgjidhjen e situatës. Qëndrimi refraktar i qeverisë, ndaj kësaj situate shëndetësore tejet serioze, ku dy prej tyre u vetëdogjën, është i papranueshëm. Sot,situata shëndetësore e grevistëve, nuk lejon që problemi të zvarritet akoma.
Indinjata ime ndaj këtij qëndrimi të qeverisë në përbërje të të cilës ka tre mjekë, buron nga dëshira që kam ta shoh vendin tim të ecë si të gjitha vendet e tjera demokratike të botës, pa i detyruar qytetarët e tij, sado qofshin ata, të sakrifikojnë shëndetin në këmbim demokracisë.   
Kur shoh këta burra të moshuar e të munduar në një grevë urie,  e cila është me pasoja negative, imediate dhe të vona, për shëndetin e tyre, si mjek, nuk mund të ri indiferent. Indinjata ime bëhet më e madhe kur shoh që në mes të një rruge në Tiranë, është hapur një pavijon spitali, pa asnjë kusht. Këta njerëz i mban gjallë shpresa, se një ditë do të fitojnë atë që u takon.  
Greva e sotme e Tiranës, ka vënë në rrezik serioz shëndetin e grevistëve.  Grevistët nuk janë përzgjedhur nga pikëpamja shëndetësore. Midis tyre ka të sëmurë, të moshuar, të sëmurë me kancer etj. Ata hyrën në grevë pa përgatitje paraprake, sepse këtë e diktoi situata. Kjo e bën edhe më heroike qëndresën  e grevistëve.
Greva e urisë, është një formë e njohur e protestës, por megjithatë, një formë e pa përdorur shumë shpesh. Si pasojë, eksperienca mjekësore botërore në menaxhimin e tyre, është akoma e pamjaftueshme, veçanërisht, kur bëhet fjalë për grevë që zgjat tridhjetë ditë dhe në kushte të këqija e nën presion psikologjik e policor të paparë. Greva e urisë, nga pikëpamja shëndetësore,  është e rrezikshme. Ata që i kanë hyrë asaj, i kanë marrë parasysh këto rreziqe, madje, ata shkuan edhe më tej, u vetëdogjën.
Grevistëve u pengohej furnizimi me ujë, ndërkohë që ata duhet të merrnin sa më shumë lëngje, sepse kur një person është në gjendje urie, trupi i tij dehidratohet më shpejt.
Grevistët duhet të evitonin lëvizjet dhe shqetësimet psiko-emocionale. Ata janë të lodhur fizikisht dhe është,  krejtësisht, e pashëndetshme që ata të lëvizin, të flasin dhe të shqetësohen psiko-emocionalisht nga jashtë. Çdo qëndrim cinik, provokues dhe demobilizues për ta, është i dëmshëm për shëndetin e tyre. Shpresoj që këtë ta kenë parasysh të gjithë ata politikanë, gazetarë, analistë e opinionistë, që provokojnë grevistët dhe i detyrojnë ata t’u përgjigjen provokimeve të tyre.
Grevistët duhet të marrin multivitamina, veçanërisht, ato që do t’u shtojnë hekurin dhe kalciumin. Marrja e vitaminave, i mban ata të shëndetshëm dhe ndihmon sistemin  e tyre imun, që t’u bëjë ballë infeksioneve. Mungesa e vitaminave dhe lëndëve të tjera ushqimore, në kushtet e papërshtatshme hijeno-sanitare, është e patolerueshme.  Këto barna të domosdoshme, atyre duhet t’u jepeshin falas dhe domosdoshmërisht, jo t’u pengohet edhe marrja e lëngjeve. Ata duhet të jenë të qetë dhe të pushojnë. Po ku të pushojnë? Në rrugë, në shi, rrethuar me policë dhe tellallë që nuk lenë pisllëk pa nxjerrë nga goja kundër tyre.!
Ata janë të moshuar dhe kjo i shton rreziqet shëndetësore për ta. Rënia në peshë është, veçanërisht, me pasoja të këqija për të moshuarit. Ata  që humbasin në peshë, kanë më shumë shanse për fraktura të bacinit, që i rrezikon ata me vdekje. Kjo ndodh nga humbja e masës kockore dhe muskulore, dhe nga lëshimi i toksinave dhjamore. Ata janë më të prirur për sëmundjet e zemrës.  Natyrisht, këto nuk i dinë ata që kanë hyrë në grevë, por këto duhet t’i dinë mirë doktorët, veçanërisht, doktorët në qeveri që duhet të ulen me grevistët dhe bëjnë që ata të dalin nga greva.
Është e tepërt të themi se mirëqenia shëndetësore e grevistëve, është sot gjëja më me rëndësi. Tridhjetë ditë grevë urie është heroike, sepse ka kaluar cdo mundësi biologjike për mbijetesë, ndaj, ajo nuk duhet lejuar të vazhdojë më. Si mjek unë u them atyre që nuk ndjehen mirë nga shëndeti, të dalin nga greva. Kjo duhet kuptuar si një kërkesë me shumë rëndësi mjekësore. Kjo është kërkesë mjekësore dhe nuk ka të bëjë me lënien në mes të kauzës. Secili nga ne është një organizëm unik dhe përgjigjet në mënyrë unike ndaj kushteve të caktuara, siç është dhe greva e urisë.
 Trupi i njeriut mund të mbijetojë me dhjamin e tij deri një muaj, por kjo është shumë e rrezikshme. Jo të gjithë e durojnë njësoj urinë.
Unë, si shumë bashkëqytetarë të mi,  do të isha i lumtur, po të mësoja se sot,  grevistët e urisë i arritën objektivat e tyre kryesore dhe greva e urisë u ndërpre. I bëj thirrje Kryeministrit, të harrojë politikën dhe urrejtjen dhe si  mjek, të ndërhyjë për plotësimin e kërkesave të grevistëve. Është domosdoshmëri mjekësore, që kjo grevë  të ndërpritet menjëherë. Pasojat e dëmshme të urisë janë imediate, por janë edhe të vonuara dhe këta njerëz do t’i vuajnë ato.
U uroj grevistëve të urisë, që me këtë sakrificë të jashtëzakonshme, të arrijnë objektivat që i kanë vënë vetes.
Uroj shëndet sa më të mirë dhe ta kenë kaluar sa më lehtë dhe pa pasoja këtë  grevë të tejzgjatur.  
 

Comments

Submitted by Saimir (not verified) on

Shqiptaret kane nevoje per pak humanizem, solidaritet njerezor, dhe mirekuptim qytetar.Kane nevoje te mirren vesh dhe jo te injorohen e perbuzen. Fatkeqesisht, qeveria po mban nje qendrim te paaresyeshem qe do ti kushtoje me vota pas disa muajsh. Me e keqja, megjithate, mbetet jo injorimi aq sa perbuzja dhe fyerja e tentativa per ti njollosur ne menyren all-Berishe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.