Bashkimi Europian fundoset në Ibër

Postuar në 04 Gusht, 2011 04:24
Agon Hamza

Si duhet të mendohet ekzistenca e EULEX-it në Kosovë? Si duhet të kuptohet impotenca e tyre vepruese dhe arroganca e tyre tipike neokolonialiste? Niveli i parë është analiza e vetë Bashkimit Europian, domethënë me strukturën ekzistuese ideologjiko-politike të BE-së si organizatë. Larg së qenit strukturë anti-shqiptare/pro-serbe (siç e prezantojnë ca romantikë në vend), BE-ja është strukturë impotente politike, që funksionon me një burokraci të tipik Kafkian, në njërën anë pa kurrëfarë vizioni të qartë për vetveten dhe  në tjetrën, e nxënë në kleçkat e vetvetes. E zënë në strukturat e dominimit të brendshëm (siç thotë Althusser, secila situatë e zakonshme është e “strukturuar në dominim”), konjuktura ekzistuese e BE-së e ka arritur limitin e vet. Ekonomikisht, recesioni në Greqi, Irlandë, Spanjë e Portugali (dhe problemet ekonomike në Slloveni, Hungari, etj) dëshmojnë për një stërkeqje dhe limit të konjukturës së sotme ideologjike-politike të BE-së. Shiheni krizën në Greqi dhe reagimin e BE-së: Greqia është simptomë e asaj se çka nuk është në rregull me vetë BE-në. Pyetja që duhet bërë këtu është nëse kriza në Greqi është krizë e vetë shtetit grek, apo e BE-së si e tillë, duke e refuzuar argumentin racist të tipit “gjermanët punëtorë financojnë dembelët orientalistë grekë”.

Niveli i dytë i analizës është ai në raportin BE-Kosovë. Konjuktura politiko-juridike e Kosovës është eksperiment, dhe si rezultat edhe Kosova është e tillë; gjatë eksperimentimit të vazhdueshëm, eksperimentuesit tentojnë të bindin të tjerët (dhe vetveten) se kjo që po ndodh në Kosovë është alternativa më e mirë e mundshme, e përcjellë me fjalitë e bajatshme dhe të zbrazëta mbi “perspektivën euro-atlantike”, “demokracinë”. Rrjedhimisht, struktura politike në Kosovë, me konsensusin absolut (dhe rrjedhimisht, absolutisht të përshtirë) për integrim në BE/NATO, beson më shumë në BE se sa beson vetë BE-ja në vetveten (dhe qytetarët e saj; për kuriozitet, shih anketat e qytetarëve të shteteve anëtare të BE-së për disponimin e tyre karshi organizatës). Thënë shkurt dhe pa ekuivoke: kjo është kleçka kryesore në të cilën ne kolektivisht jemi zënë. BE-ja nuk duhet të shihet si caku përfundimtar i vendit, sepse (thënë ironikisht), vështirë se BE-ja do të jetë kështu siç është deri në momentin kur ne të bëhemi gati për t’u integruar. Secila politikë gjenuine dhe emancipuese duhet ta harrojë BE-në si model, sepse nëse duam impotencë politike, degradim ekonomik, kaos shoqëror, racizëm, dhe mungesë të politikës e perspektivës – atëherë këto i kemi në Kosovë (natyrisht se në nivel dhe formë tjetër). Në këtë kontekst, nëse brenda BE-së (shteteve-anëtare) Greqia është e vërteta e BE-së, atëherë EULEX-i është e vërteta e BE-së në nivelin e politikës së jashtme. Këto dy të vërteta kanë një të përbashkët, dhe ajo është impotenca dhe arroganca.

Andaj, si duhet lokalizuar impotenca dhe arroganca (neokolonialiste) në predikamentin ideologjik të Kosovës? Gjatë ligjëratave të tij në Prishtinë, filozofi Slavoj Zizek përsëriti tezën e tij të vjetër (të vitit 1999) për Kosovën: liberalët perëndimorë na duan neve për aq kohë sa ne jemi viktima (na dërgojnë ushqim, barna, na ngushëllojnë, etj) dhe kështu ata ndihen mirë. Mirëpo, në momentin kur ne dëshirojmë të marrim përgjegjësinë në duart tona (dmth, të bëhemi ‘subjekte’), atëherë automatikisht shndërrohemi në kriminelë, fundamentalistë politikë/etnikë, etj. Kjo është hipokrizia e liberalëve perëndimorë par excellence. Hipokrizia e misionit neokolonialist EULEX është pikërisht kjo: ju jeni të mirë përderisa ne mund t’ju mësojmë se çka është ligji, çka është e drejta (në kuptimin juridik të fjalës), etj. Por, kur ne duam ta realizojmë atë, atëherë ne shpallemi kriminelë. Ose, thënë ndryshe (në harmoni me racizmin liberal): në momentin kur ne, nxënësit e liberalëve, e mësuam mësimin e tyre për sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës, për domosdoshmërinë e ekzistimit të një shoqërie që funksionon dhe organizohet përbrenda koordinatave ligjore, dhe vendosëm ta praktikojmë këtë mësim, ne u bëmë të dhunshëm. Kujtoni deklaratat e disa diplomatëve: ‘nuk ka dilemë se Prishtina duhet ta kontrollojë tërë territorin shtetëror, pra edhe veriun e Kosovës, por jemi kundër dërgimit të njësive speciale atje’. Këtu qëndron problemi strukturor me EULEX-in. Por si duhet çasur relacionit tonë me këtë strukturë? Kur kemi probleme të mëdha shoqërore, politike, ekonomike – ose në kohët e krizave – problemi ose pengesa kryesore nuk është ofrimi i zgjidhjeve e alternativave, por të bëjmë pyetjet e drejta/sakta, që do të thotë demistifikim i problemit. Zgjidhja e problemeve në kuadër të kornizës ekzistuese është e pamundur; nuk duhet t’i dëgjojmë pyetjet e atyre në pushtet sepse përgjigjet do të jenë gjithmonë-tashmë të gabueshme. Duke qenë subjekte të asaj që Foucault-ianët kanë dëshirë ta quajnë “ të qeverisurit humanitarë”, ne jemi bërë material i ëndrrave të tjerëve (qeverisë, EULEX-it, etj). Dhe kjo është kleçka tjetër në të cilën ne assesi nuk duhet të ngecim: qeveria e Kosovës dhe EULEX-i nuk janë në marrëdhënie kontradiktore antagoniste ndërmjetvete. Përkundrazi, marrëdhënia e tyre është harmonike dhe plotësuese, sepse “konflikti” i përkohshëm Qeveri-EULEX është false dhe si i tillë nuk mund të prodhojë kurrëfarë rezultatesh emancipuese. Nuk është mirë të entuziazmohemi shumë për këto “marrëdhënie të tensionuara” ndërmjet qeverisë dhe EULEX-it. Gilles Deleuze thoshte se “kur ngec në ëndrrat e tjetrit, je i q…” Këtu qëndron sfida kryesore, ajo në braktisjen e ëndrrave të tjetrit. Duhet pushuar së ëndërruari ëndrrën e pushtetit, të mos magjepsemi me to, pavarësisht se sa i urrejmë. A nuk është ky mesazhi kryesor i Pallatit të Ëndrrave të Kadaresë: nuk është vetëm represioni metoda nëpërmjet të cilës një popull i nënshtrohet pushtetit, por është pikërisht investimi që pushteti bën në ëndrrat tona nëpërmjet aparatuseve të veta ideologjike. A nuk është e njëjta është në praktikën psikoanalitike, ku njëra ndër pyetjet kryesore është ‘a e dëshiroj vërtetë këtë që mendoj se e dëshiroj’?

Problemi me misionet neokolonialiste, ose me strukturat politike që zbatojnë politika neoimperialiste është se ata e kolonizojnë demokracinë (sado që, thënë realisht, kushdo që është i interesuar në emancipimin kolektiv, duhet të heqë dorë nga koncepti i demokracisë). Mirëpo, edhe duke qenë koncept anti-emancipues, së paku duhet insistuar pikërisht në demokratizimin e asaj që Peter Hallward e quan “demokraci imperialiste”. Thënë ndryshe, demokracinë duhet shpëtuar nga pushteti, nga partitë, me një fjalë, nga Shteti dhe aparatuset e tij, me të cilat ajo ka marrëdhënie antagoniste. Shihni vendet ku ka misione ndërkombëtare, si Kosovën, Bosnjën, Haitin, Afganistanin, etj. Afganistani është sot kështu siç është pikërisht për shkak të imponimit të dinamikave të kapitalizmit të vonshëm global (kujto historinë e jashtëzakonshme politike të këtij vendi dyzet-pesëdhjetë vjet më herët, ku ishte vendi më përparimtar, sekular, politik, etj në Lindjen e Mesme); Haiti po e paguan çmimin jashtëzakonisht të lartë për guximin e tyre politik për të zgjedhur si president Jean-Bertrand Aristide. Ndërsa, Kosova e Bosnja kanë ngecur në ëndrrën e Brukselit për ne.

Në fillim të filmit të Marx Brother’s At the Circus (1939), Antonio (Chico Marx) i jep një këshillë shefit të tij: “shef, sa herë që ke probleme ne biznes, merre një avokat. Atëherë ke më shumë probleme, por së paku e ke një avokat”. A nuk e shpjegon kjo më së miri raportin tonë me EULEX-in? Po, ne kemi një mal me probleme, EULEX-i është një problem më i madh se të gjitha problemet tona, por së paku ne e kemi EULEX-in të merremi me to. Dhe siç shkon poezia, problemi i parë me të cilin duhet të merret EULEX-i është vetvetja. Por kjo nuk do të ndodhë. Andaj, e vetmja zgjidhje në raport me EULEX-in qëndron në raportin babë-bir, sipas të cilit, për të birin, i vetmi baba i mirë është baba i vdekur. I vetmi relacion krahasimi që mund të ndërtohet me EULEX-in është ai me qeverinë e Kosovës, e cila është jashtëzakonisht e dobët dhe jokompetente – por, është vetëm EULEX-i si mision që heroikisht e mund qeverinë e Kosovës në këtë garë.

Në vitin 1991, Jean-Bertrand Aristide insistonte se “vetëm një revolucion komplet mund ta ndryshojë Haitin” (vendi më i varfër në hemisferën Perëndimore) – a nuk vlen e njejta për Kosovën? Vetëm një revolucion komplet i cili fillon nga pavarësia, kalon nëpër tëdhe radikalisht e transformon atë: vetëm kjo mund ta ndryshojë Kosovën! Sepse, formula në të cilën liberalët besojnë (zgjidhja e ngadalshme, e një-pas-njëshme e problemeve) për çdo ditë e më shumë po e humb kuptimin. Çlirimi ideologjik është beteja kryesore e radhës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.