Armët kimike, dilemë servilizmi!

E vetmja gjë, e cila i ka bashkuar këto ditë shumë nga zërat e arsyeshëm të këtij vendi, është mospritja e armëve apo lëndëve kimike. Nuk i priti Norvegjia, të mendosh me ato hapësira pa fund dhe krejt të pabanuara; Belgjika, e disa syresh. Kurse Shqipëria me një infrastrukturë dhe hapësirë modeste gjeografike, duket se përgatitet për pritjen e një arsenali të frikshëm armësh apo lëndësh kimike, ku prej kohësh hamendësohet se janë zhvilluar bisedime që s’kanë qenë asfare transparente për publikun. U desh ndërhyrja e medias së huaj, që shpjegonte sesi do të eliminoheshin armët kimike të Sirisë dhe pastaj si në reaksion zinxhir janë zbardhur të gjithë hapat e një operacioni që mund të quhet transkontinental. Asadi, njeriu që i dhuroi pa fund viktima vendit të tij, Sirisë, arriti të ndante turpshëm edhe botën e qytetëruar, një pjesë e të cilës ka ngrohur paq duart në zjarrin e vendit të vet. Në këtë tollovi, Rusia arriti t’ia zgjasë sundimin një satrapi, duke i ofruar dhe formula lehtësimi, mes tyre njërën që kishte lidhje me eliminimin e armëve kimike.
Duke u kthyer në Shqipëri, ka qenë e habitshme se në bashkimin e zërave të arsyeshëm, kanë munguar shumë prej figurave që duhej të shpreheshin prej politikës. Kuptohet, s’duhet llogaritur në asnjë radhë zëri i politikanëve sot opozitarë, pasi dihet mirë se kushdo në këtë pozicion në Shqipëri e ka shumë komod të tregojë sesa kinse atdhetar është. Që kjo çështje për një shtet si Shqipëria është tejet e koklavitur - këtë e kupton nga një ekuacion që po i shtohen ndryshoret rrugës. Më shkoqur, t’panjohurat lidhen nga qëndrimi sesi duhet mbajtur marrëdhënia me SHBA-në, aleatin strategjik; si i duhet manovruar ligjit, që ndalon në mënyrë të prerë importimin e mbetjeve të rrezikshme për qëllime asgjësimi apo të tjera; përballjen me Sigurinë Kombëtare, mbase nga të fundit për nga rëndësia për politikanët, por aspak më e parëndësishmja për vendin. Si për ironi, maxhoranca e sotme fitoi pikë të shumta kur u pozicionua hapur kundër historive që kishin lidhje me mbetjet, një qëndrim që e shpalli që në opozitë. Por, është e thjeshtë të mbash qëndrim në role ku nuk ke pushtet ekzekutiv dhe, me sa duket qenka e papërballueshme në pozita të tjera, siç po ndodhet sot me pushtetin e Ramës. Të paktën nga lajmet, shteti shqiptar ka ceduar me kohë, sepse që ditë më parë se lajmi të përhapej në Shqipëri, media ndërkombëtare e kish trajtuar problemin dhe, madje, ishte pak a shumë edhe lajmi dhe shumë elementë sesi do të zhvillohej i gjithë operacioni. Edhe kjo s’mbaron këtu, ngaqë ndërsa lajmi vërtetohej shumë diplomatikisht nga ministri i Jashtëm, ministrja e Mbrojtjes kish dhënë urdhër të pastrohej impianti i Mjeksit, gjë që do të thoshte se gjërat kishin lëvizur ndryshe në Shqipëri. Siç po shihet, ka mbetur vetëm ambalazhi sesi e gjithë kjo punë që lidhet me shkatërrimin e armëve do t’i shitet opinionit. Një rrugë dihet dhe ajo e ka nxjerrë faqebardhë ish-kryeministrin Berisha: Respekti për Aleatin e madh, celebruesin e pavarësisë së Kosovës apo atë që tha pak më parë për SHBA-në: Do jemi në ditë të mira dhe të këqija. Ky do të jetë dhe asi i kryeministrit Rama.
Ndërkohë një gjë që na bën disi butaforikë, është se në dokumentet ndërkombëtarë Shqipëria mbahet si një nga vendet që i ka eliminuar lëndët kimike. Gjë, e cila, sipas një grupi ushtarakësh të lartë që kanë qenë aktivë këto ditë në sensibilizimin e opinionit, jo vetëm nuk është e vërtetë, por është krejt e sajuar. Më 2007-ën është pohuar se kemi asgjësuar armë kimike 16 tonë dhe SHBA-të dhanë 35 mln dollarë. “Ne nuk kemi pasur armë kimike. Ishin lëndë helmuese luftarake, të tilla quhen ato që kanë disa cilësi që bëjnë të mundur dëmtimin e njerëzve, bimëve, kafshëve. Por nuk janë armë, me ato mbushen municionet. Armët kimike përbëhen nga lëndë helmuese dhe mjetet e hedhjes së tyre, që janë raketat, municione. Janë tjetër gjë lëndët kimike në Qafë Mollë dhe tjetër armët kimike. Ne nuk e meritojmë atë që kemi zënë vendin e parë në botë për lëndë kimike, që shkruajnë mediat e huaja”, thotë një nga ekspertët veteranë të toksikologjisë shqiptare, Qemal Poçi.
Po atëherë pse u fry e gjithë kjo histori? Shqipëria do duhet të shërbejë për magazinim apo edhe për eliminimin e tyre, apo thjesht si një nga vendet e përmendura ku edhe mund të kryhet si operacion. Nga ajo që shkruan “Foreign Policy” çështja është përfunduar gati: dy diplomatë të Këshillit të Sigurimit deklaruan në kushte anonimati se SHBA është gati drejt arritjes së marrëveshjes me Shqipërinë dhe se kanë filluar dhe përshkrimet e punëve, sipas të cilave në mënyrë të detajuar shpjegohet dërgimi i laboratorëve të lëvizshëm amerikanë në Shqipëri për shkatërrimin e gazrave helmues të Sirisë. Kjo i shkon paq përgatitjes së Mjeksit, pra gadishmërisë sonë shtetërore. Por pse e tepron vallë Shqipëria në dashurinë e vet ndaj SHBA-së? Thjesht mirënjohja, faktin e provuar se politika shqiptare ka nevojë ende për patericën e SHBA-së apo se jemi të detyruar? Koha ka treguar se politikanët shqiptarë e duan mbështetjen e SHBA-së më shumë për kapitalin e tyre dhe para kësaj nuk llogarisin asgjë. Në rastin e Ujgurëve as nuk u kërkua një konsultim i gjerë dhe kjo ndodhi dhe në rastin e dhjetëra muxhahedinëve nga Iraku, që gjenden sot në vend.
Në të dy rastet, si dy pika uji, erdhën zyrtarë amerikanë që falënderuar shtetin, dhe në media u shit si e tillë, ndërkohë fakti ishte se vizitat ‘e papritura’ të tyre ishin për të rakorduar. Një provë e gatishmërisë së tepruar të shqiptarëve është ajo që gjendej në kabllogramet, që u botuan nga “New York Time”, sipas të cilave Shqipëria pasi kishte pranuar 5 ujgurët në vitin 2006, Berisha ofroi gatishmërinë e tij për të strehuar të dënuar të tjerë, por vetëm të mos ishin kinezë, në 2009-ën. Atëkohë, diplomatët amerikanë e përshkruan këtë ofertë “si të mirë, por të ekzagjeruar”. “Si gjithnjë, shqiptarët duan të bëjnë më shumë se sa duhet, të shkojnë përtej, vetëm për të ndihmuar në një prej prioriteteve të politikës tonë të jashtme” - thuhej atëherë në mesazhin e diplomatëve amerikanë.
Me pak fjalë, duke u kthyer edhe një herë në çështjen tonë: një vend që nuk e ka infrastrukturën e nevojshme, si mund të marrë përsipër të bëjë një aksion që i kalon mundësitë e saj?! Ç’do të bëhet me toksinat që do dalin, njerëzit që do merren, ata që do e ruajnë dhe fjalën se nuk do merreshim me mbetje... Ah, por edhe për këtë ne bashkohemi: ne mund të bëjmë gjithçka, thjesht të jemi dashamirët më të mëdhenj të amerikanëve!
GSH
Comments
Nuk eshte dileme servilizmi
Nuk eshte dileme servilizmi por eshte pritje e mencur per te sensibilizuar njerzit qe te ngrihen dhe bota ti shohe shqiptaret qe shprehen kunder sjelljes se armeve me vendin e tyre.
Pa USA sot nuk e dime ku do

Pa USA sot nuk e dime ku do ishim. Kjo nuk behet as per te fituar ca lek, as per biznes, kjo behet per ti ardhur ne ndihme NATO-s, sepse tjeter ndihme s'japim dot. Mendoj se nese do na i kerkojne duhet te themi po sepse keshtu fitojme rendesi strategjike. Sa per ndotjen qe do na shkaktojne duhet ta durojme, ne i kemi ca borxhe NATOs dhe USA.

Me lejo te te quaj ashtu sic

Me lejo te te quaj ashtu sic je: injorant me brire dhe gomar pa dhembe. Po si ore trap i stazhinuar duroke semundje te tilla si kancerin dhe mutacionet gjenetike? Po cfare borxhi i paske Amerikes ti, qe duhet ta paguash kaq shtrenjte me gjene me te shenjte qe njeriu ka: jeten?

Ne shqiptarët vetëm për një

Ne shqiptarët vetëm për një gjë nuk kemi pasur kurrë dilemë: për servilizmin.

Në këtë pikë nuk ka rëndësi

Në këtë pikë nuk ka rëndësi pse duan ta bëjnë këtë krim të paralajmëruar qeveria jonë, rëndësi ka që importimi mos të ndodhë dhe për këtë çdo shqiptar i përgjegjshëm, dhe jo i fantaksur pas Amerikës si dikur pas Bashkimit Sovjetik, duhet të ngrejë zërin.

Shqiperia i ka borxhe

Shqiperia i ka borxhe Shteteve te Bashkuara.

Por asnje gje qe kercenon me shfarosje tere kombin shqiptar nuk duhet konsideruar si nje forme e pranueshme e pagimit te borxhit. Ne Shqiperi ku nuk ka me as shkolla e as spitale, as ushtri e as eksperte, afrimi i ketyre lendeve kimike mund te jete vendimi i fundit qe disa inkompetente me mandat politik marrin ne emrin e popullit.

Impianti i Mjeksit eshte mu ne mes te vendit. Larg qofte, po ndodhi gje i hap helmet nga Veriu ne Jug dhe do te shuaje pleq e femije, burra e gra, te mire a te liq (ndokush do te me quaje 'injorant' qe nuk di si perhapen lendet kimike. Une thjesht dua te kujtoj se sa larg mund te perhapen nga nje shperthim i dyte si ai i Gerdecit). Dua te bej nje verejtje per nje nga komentuesit me lart; keto lende nuk do te shtojne kancerin apo mutacionet (joo ate do ta benin planet berthamore te z. Berisha). Keto lende te vdesin ne vend, mes vuajtjeve me te keqija qe ka pare ndonjehere bota - kanceri eshte lule.

E fundit: nje vend qe lejon te trajtohet si laborator mos te cuditet shume kur njerezit e tj te konsiderohen pergjithmone si minj laboratori per eksperimente. Keto helme nuk i pranoi as Rusia (aleate e Sirise e interesuar te beje cdo gje per ta), as Amerika vete. Nuk duhet ti kete me ndonje qejf te madh as Gjermania, Franca, Britania apo Italia se ndryshe do ti kishim degjuar ti kerkonin dhe te na benin konkurrence per kete nder.

Shpresoj qe opnioni publik te mos tutet perpara nje klase politike te paafte dhe servile. Dhe nese qeveria e re ka deshire ta filloje keshtu mandatin e vet - ky fillim nuk eshte premtues dhe kjo qeveri nuk do te na duhet me.

Add new comment