“Loja e kungulleshkave” me shifrat e rendit

Postuar në 20 Janar, 2014 15:17
Eduard Zaloshnja

“Loja e kungulleshkave” me shifrat e rendit filloi në 5 dhjetor, kur deputeti Berisha deklaroi në Kuvend se kishin ndodhur 47 vrasje në një muaj – “si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë”, sipas tij. Dhe në vazhdim, ai i kërkoi Ministrisë së Brendshme që të publikonte statistikat mbi vrasjet. Kjo e fundit iu përgjigj flakë për flakë sfidës së deputetit Berisha, duke publikuar brenda ditës të dhënat e krimit për periudhën 2-mujore tetor-nëntor.

Nga ato të dhëna, rezultonte se kishin ndodhur 18 vrasje për dy muaj (pra, mesatarisht 9 vrasje në një muaj), ose 22% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të verifikuar se kush kishte të drejtë (Berisha me 47 vrasje në muaj vs. Ministria e Brendshme me 9 vrasje në muaj), bëra një kërkim të të gjitha lajmeve online, të të gjitha mediave shqiptare, për periudhën tetor-nëntor (pa u shtrirë në të gjithë historinë e Shqipërisë). Më rezultoi se mediat shqiptare raportuan 16 vrasje për dy muajt tetor-nëntor, pra 1 më pak në muaj se sa raportoi Ministria e Brendshme dhe plot 31 më pak se sa deklaroi Berisha. (Rezultatin e këtij hulumtimi të shpejtë e publikova në respublica.al në 5 dhjetor).

Pasi deputeti i PD-së Berisha kishte deklaruar në Kuvend se në një muaj kishte patur 47 vrasje, doli katër ditë më vonë në konferencë shtypi deputeti tjetër i PD-së, Arben Ristani, dhe deklaroi se në një muaj (nëntor) kishte patur 10 vrasje. Por sipas Ministrisë së Brendshme, edhe kjo shifër ndjeshëm më e ulët e Ristanit, ishte e pasaktë.

Referuar deklaratës së Ristanit të PD-së, për rritje të numrit të krimeve kundër personit, vrasjeve dhe aksidenteve gjatë muajit nëntor 2013, Ministria e Punëve të Brendshme bëri me dije se ajo deklaratë ishte tërësisht e pavërtetë. Shifrat zyrtare, sipas saj, tregonin një pamje krejt tjetër. Konkretisht, MB-ja sqaroi se:

KRIMET KUNDËR PERSONIT. Në nëntor 2013 ishin regjistruar 296 vepra penale të kategorizuara si krime kundër personit, kundrejt shifrës prej 700 krimesh që deklaronte deputeti i PD-së.

KRIMET E RËNDA. Në nëntor 2013 ishin regjistruar 35 krime të rënda kundër personit, nga 46 që ishin në nëntor 2012, por dhe shumë më pak nga 160 që deklaroi deputeti i PD-së. Pra, gjatë nëntorit 2013 kishte një ulje me 24% të krimeve të rënda kundër personit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

VRASJET. Në nëntor 2013 ishin regjistruar vetëm 7 vrasje, nga 12 që ishin në nëntor të vitit 2012 dhe nga 10 vrasje që pretendonte deputeti i PD-së. Pra, gjatë nëntorit 2013 kishte një ulje me 42% të numrit të vrasjeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

AKSIDENTET RRUGORE. Në nëntor 2013 ishin regjistruar 163 aksidente rrugore, nga 180 që pretendonte deputeti i PD-së dhe kishin vdekur 26 persona prej aksidenteve rrugore, nga 32 që deklaronte deputeti i PD-së.

Fill pas deklaratës së mësipërme, deputeti Ristani i PD-së bëri një kundërdeklaratë ku, ndër të tjera, theksoi se, përveç 26 të vdekurve në aksidentet rrugore, kishte patur edhe 7 të vdekur në aksidentet e minierave të Prrenjasit. Por nuk sqaroi se ç'lidhje kishin aksidentet në miniera me ato rrugore...

Me fillimin e vitit të ri, fokusi i deklaratave pothuaj të përditshme të deputetëve të PD-së në lidhje me rendin ka ndryshuar – nuk pretendohet më një rritje e krimeve/aksidenteve krahasuar me një vit më parë, por një pasaktësi e shifrave zyrtare. Sipas PD-së, shifrat zyrtare që tregojnë nivele më të ulta të vrasjeve, vdekjeve dhe palgosjeve të rënda nga krimet e aksidentet rrugore nuk janë reale, sepse Policia e Shtetit po ia fsheh mediave shumë ngjarje të rënda. Në një dalje të fundit të deputetit Ristani, për shembull, ai tha se kjo fshehje arrin pothuaj nivelin 40%.

Kjo deklaratë përbën një sfidë për mediat, sidomos për ato që janë skeptike ndaj transparencës së qeverisë. Në qoftë se Policia e Shtetit u fsheh mediave rreth 40% të ngjarjeve të rënda, ku dikush vdes apo plagoset rëndë nga një krim apo aksident rrugor, i bie që mediat të jenë në gjumë. Media që raportojnë me titra ditë e natë çdo incident, sado të vogël, në çdo cep të Shqipërisë, nuk duhet t’ia falin vetes, që t’u shpëtojnë kamerave dhe reporterëve të tyre rreth 40% e ngjarjeve të rënda...  

Comments

Submitted by Astrit (not verified) on

<p>Mediat sigurisht mund te jan kontributin e tyre.</p><p>Dhe kryesisist mund&nbsp;ta japin kete konribut duke kerkuar qe opozta te&nbsp;rapotje identitetet e viktimve. Nese ka konfuzon dhe moperputhje numrash, e vetmja gje qe ndan shapin nga sheqeri eshte numerimi i drejtperdrejte.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.