Çil e mbyll

“Ça kena anej ka ju more – pyeste dje pasdite një shkodran dikë në anën tjetër të celularit – a janë t’u u çilë kutijat?”. Fjala e vjetër gege “me çilë” (prej nga vjen edhe emri çilci = çelësi) do të thotë me hapë, të hapësh, hap. Në rastin për të cilin po flasim bëhet fjalë për rinumërimin e kutive të votimit në Shkodër, i cili nisi dje pasdite në KQZ, pasi kishte përfunduar më parë numërimi i atyre të Lezhës.
Jo vetëm sepse vetë termi i thënë në dialekt është thuajse gjithnjë dykuptimësh dhe përdoret si në raste normale serioze, ashtu edhe në raste humori gjysmë të fshehtë, që vetëm shkodranët e vjetër dinë t’i kuptojnë, por edhe se nga kjo lojë të hapen a të mos hapen, herë të hapen sikur të ishte gjëja më e arsyeshme e botës e herë të tjera fletët e votimit të digjen shpejt e shpejt në anë të përrenjve pa emër, na u kujtua se kjo punë e të hapurit a të mbyllurit të kutive të votimit nuk duhet marrë edhe aq seriozisht sikurse e marrin shumë vetë tani, pas përfundimit të zgjedhjeve.
Për ne, që kemi luajtur më shumë shah, damë, tavëll, mosunxe, pra për të gjithë brezin që nuk e mbërriti plotësisht jetën “e amshueme” elektronike është ende krejt familjare loja “damë 9-tshe”. Në të kulmi i shijimit të fitores ishte kur gurët e tu kishin një pozicion që mund t’i hanin kundërshtarit gurë në çdo drejtim. Ai le të hidhej përpjetë, loja ishte e fituar. Kështu fitimtari i shtynte edhe ca minuta duke luajtur në këtë pozicion triumfues. Këtij pozicioni, të paktën në Tiranë dhe në krejt Shqipërinë e Mesme i thonin “çil e mbyll” (shqiptohet çil e myll).
Ky togfjalësh, që vinte nga loja, merrte herë pa here edhe konotacione të një proteste me humor. Besim Levonja, autori i famshëm i komedisë “Prefekti” e pat përdorur me mjeshtëri teksa shpjegonte marrëdhëniet e tregtarëve tiranas me prefektin përgjatë pushtimit italian. Për të gjithë ata që nuk e kanë parë, por edhe për ata që e kanë nisur ta harrojnë, skena në komedi është pak a shumë e tillë. Prefekti pret një tregtar të madh manifakture, Shaqir Agën në zyrën e tij pas një demonstrate të organizuar nga komunistët. Prefekti është i revoltuar sepse situata duket se i ka dalë nga kontrolli dhe andaj qorton edhe mikun e tij të vjetër Shaqir Aga, pak a shumë me këto fjalë: M’ka mbet hatri ene me ju tyxharët Shaqir Aga, se ene për ju m’kan thonë qi keni nihmu kamunistat me pare! I zënë ngushtë tregtari përgjigjet në fillim me ndrojtje: Amon o Zoti prefekt, kena bo sikur i kena ndihmu. I kena dhon ka dhjetë fronga t’qelbta… Mirë më mirë – përgjigjet prefekti – po dhjet fronga t’qelbta ti, dhjetë tjera ai tjetri, i del era atyne masanej e nuk jon mo t’qelbta ato! Pikërisht këtu tregtarin dinak e ka shpëtuar “çil e mbylli” i lojës që luante përditë. “Amon o Zoti prefekt se na ka zonë edhe ne belaja. I herë vijnë karabinierët e na hapin dyqonin. Masanej vijnë demonstrataxhinjtë dhe na e myllin. I herë çil e i herë mbyll, s’po dimë ka t’ja majmë as vetë me ner Zotnis sate. U bo puna çil e mbyll, vallahi o Qazim bej…”.
Deri sa filluan “lodrat” me kutitë e votimit ky ishte çil e mbylli më i famshëm të paktën në kryeqytet, por ishte krejt i padëmshëm. Ishte më shumë objekt humori dhe askush nuk e merrte seriozisht. Derisa doli loja “luajale” e politikës, ose më saktë sivjet e Berishës. Ky, në fillim pranoi humbjen, dha dorëheqjen dhe u duk sikur i la kohë vendit dhe qeverisë, që do ta pasojë të bëhet gati për një jetë normale, ndonëse mes shumë sfidash. Pastaj, papritmas kërkoi rinumërimin e votave në Lezhë e Shkodër. Ndërsa votat numëroheshin ende u dukën sërish deklarata kërcënuese që lidheshin me mosnjohje të qeverisë që “bazohet mbi vjedhjen e votës” apo mbi “kartele të drogës e të krimit”. Pastaj sërish deklarata që ai do të njohë vendimin e KQZ. Me një fjalë, askush nuk e ka kuptuar mirë nëse PD, Berisha dhe të tijtë e kanë njohur apo jo rezultatin që është shpallur tashmë pak a shumë? Kujt i shërben kjo mënyrë të vepruari, qetësisë në vend, kthimit të administratës në punë, punëve të shumta që na presin të gjithëve, duke përfshirë edhe vetë Berishën dhe opozitën e re, apo është thjesht “çil e mbylli” që do të kalojë si e gjithë propaganda që e dëgjojnë tani vetëm pak militantë të përbetuar? Tek e fundit dihet se parregullsitë që u verifikuan, apo që do të verifikohen nuk mund ta ndryshojnë më trendin zgjedhor. Aq më pak akuzat nuk duken të besueshme të formuluara nga një njeri që në 1996-n ishte duke fituar 200 për qind me anë të vjedhjes së programuar dhe me dhunë të votës së shqiptarëve. Se çfarë solli kjo e kombinuar me piramidat vetëm një vit më vonë më mirë të mos e kujtojmë, por që dikush të formulojë akuza të rënda të tipit lidhje me krimin apo me drogën duhet më parë të jetë i kulluar vetë që nga kryet e deri te këmbët. Dhe më pas të japë fakte dhe të mos bëjë demagogjira, duke luajtur me naivitetin e përkrahësve.
Më e bukura është se akuza për parregullsi u dëgjuan dje pasdite edhe në vetë kampin e demokratëve, teksa pritej të thuhej emri i pasuesit të Berishës. Kështu për shembull Zarifi nga Lumasi, me mbiemrin prestigjioz Sala, u ankuan se kryetari i degës së Beratit i kishte fshirë emrin atij dhe 100 anëtarëve të tjerë të PD-së. Të tjerë të paktën, në Korçë, Durrës e Gjirokastër, u ankuan se nuk po gjenin dot emrin në lista. Është krejt normale për një vend ku letrat dërgohen ende me adresën: Merr X.Y., dyqani i berberit përballë me ish-Fabrikën e Orizit… Mirëpo votimi është votim si në parti, si për Parlament. Atëherë këto parregullsi që kanë denoncuar dje Zarifi i Lumasit dhe të tjerët kush i ka bërë? Edhe këto kartelet e drogës dhe njerëzit e krimit? Apo duhet të kemi dy metra, njërin ta përdorim kur pantallonat na rrinë mirë dhe tjetrin kur ato na rrinë shtrënguar? Po kështu nuk shkon more zotërinj! Kështu puna, do bëjë si do bëjë, dhe do shkojë njësoj si “çil e mbylli” i vjetër. Hap e mbyll, e mbyll e hap dhe ja ku u kthyem sërish të paktën nja 70 vjet prapa në vend që t’i kemi sytë e mendjen nga e ardhmja.
Shqip
Comments
Shkrim as mish as peshk, ose
<p>Shkrim as mish as peshk, ose me mire, cjapi mish e dhia tavë, ose edhe sheleg i dhirtë. Spjegimet e autorit Baxhaku janë si kofini pas të vjelit. ....</p>
Sic e shkruan edhe Dardan, ne
<p>Sic e shkruan edhe Dardan, ne kete shkrim bajat dhe te mbarsur me idiotizma nuk gjen asnje ide pervec se kupton se sa i matufepsur eshte truri i ketij pijaneci alla anal-ist.</p><p>Autori shkan deri ne lajthitje kur kerkon te na beje ''gjuhetarin akadhemyk'' sic shkruante dikur para nje viti per kuptimin dhe konceptet e fjales Krahine =kraj. Do t'i sygjeroja qe here tjeter te merret me fjalet Angli= angle ose fjalen -caro mio- te italishtes me -.ari im- ne shqip.</p>
Add new comment