Çfarë çmimi ka shtypi i lirë?

Janë kohëra thellësisht shqetësuese për lirinë e shtypit. Më 7 korrik, News of the World, një gazetë 168-vjeçare, që mund të krenohej me 7.5 milionë lexues të dielave, pushoi së foluri. U mbyll prej pronarit të saj, Rupert Murdoch, por nën presionin e një hetimi të paepur nga Guardian për përgjimet e telefonave dhe një fushatë në Twitter për t’i bindur korporatat e mëdha që të hiqnin reklamat nga tabloidi kryesor i Murdoch.
Një ditë më pas, Kryeministri David Cameron premtoi ta pastronte shtypin. Në dukje, duke harruar që është media që supozohet të hetojë qeverinë, dhe jo e kundërta, deklaroi që do ngrinte një hetim për të shqyrtuar standardet, etikën dhe sjelljen e shtypit. Do shohë edhe ngritjen e një organi rregullator me “më shumë dhëmbë” – që do të thotë të kafshojë më shumë – sesa Komisioni për Ankesat për Shtypin. Ç’ishte më kanosëse, ndërroi, në një stil Oruellian, parullën e vjetër të medias që i thotë të vërtetën pushtetit. “Është jetësore që një shtyp i lirë t’i thotë të vërtetën pushtetit; është po aq jetësore që ata në pushtet të mund t’i thonë të vërtetën shtypit”, paralajmëroi Cameron.
Ditën tjetër, të shtunën më 9 korrik, Policia Metropolitane bastisi zyrat e Daily Star Sunday. Kërkuan nëpër dosjet e sendet personale të Clive Goodman, ish-redaktori mbretëror i News of the World, i cili u burgos për përgjime dhe tani punon me turne tek Star. Ndërkohë, të famshmit dhe gazetarët e respektuar të gazetave iu bashkuan zhurmës për rregullim më të shtrënguar të shtypit – ose të paktën të seksioneve më të pista e më erudite të shtypit. Hugh Grant fitoi duartrokitje të ngazëllyera në Question Time kur tha, “Nuk jam për rregullimin e shtypit të zakonshëm, shtypit normal. Por është çmenduri që shtypi tabloid të lihet i parregulluar.” Yasmin Alibhai-Brown e Independent madje sugjeroi në një debat në radion BBC, që ndoshta gazetarët duhet të kërkojnë licencë – nga shteti – përpara se të raportojnë e të shkruajnë. Kur u pyet Alan Rusbridger i Guardian për çështjen e licencimit, në një debat mbi gjurmimin e telefonave nga tabloidet, ai tha vetëm që “nocioni i licencimit të shtypit nga shteti” e bënte të ndihej “në ankth.” “Por, do isha i interesuar të dëgjoja edhe pikëpamje të tjera,” pati shtuar.
Një redaktor gazete që ndihet vetëm “në ankth” për licencimin e gazetave prej shtetit, në vend që të ndihet, le të themi, i inatosur apo i indinjuar, mund të dojë t’i bëjë vetes pyetjen nëse është në profesionin e duhur. Gazetat dikur kërkonin një licencë nga autoritetet, por ai sistem u braktis në fund të shekullit të 17-të, pasi u pa si shkelje e rëndë kundër lirisë së shtypit dhe lirisë së mendimit. Siç shprehej poeti John Milton në Areopagitica, një artikull pasionant kundër licencimit zyrtar të shtypit: “Dhe, nëse të gjitha erërat e doktrinës lihen të lira mbi tokë, ashtu qoftë edhe e Vërteta në fushëbetejë, veç dëm do t’i bënim duke e licencuar e ndaluar, duke dyshuar në forcën e saj. Lëreni të vërtetën të përballet me Gënjeshtrën; e di kushdo që po të përballet e vërteta dhe gënjeshtra lirshëm në fushë të hapur, veç e Vërteta mund të fitojë.”
Është dëshmi e vetëvlerësimit të ulët të shtypit fakti që tani komentatorë seriozë mund ta diskutojnë edhe haptas idenë e ringjalljes së sistemit të vdekur prej kohësh të kontrollit të qeverisë mbi shtypin. Ndikimi i skandalit të përgjimit të telefonave, i kryqëzatës anti-Murdoch të ndjekur prej gazetarësh të respektuar, i luftës dërrmuese për atë që tani quhet gjerësisht si ‘kultura e tabloideve,’ ka qenë i tillë sa tani kemi një situatë ku policia bastis shtëpitë dhe zyrat e hakerave; ku gazeta 168-vjeçare, të adhuruara prej një numri të pamat njerëzish, mund të zhduken brenda natës; dhe ku po të kërkosh të rregullosh, ndëshkosh, madje edhe licencosh shtypin, ka më shumë mundësi të marrësh lëvdata e duartrokitje sesa fytyra të skandalizuara.
Nuk ka më asnjë dyshim që skandali i përgjimit të telefonave do të ketë, e në fakt ka që tani, një efekt drithërues dhe homogjenizues mbi shtypin britanik. Nuk është më thjesht një hetim gazetaresk plus policor për rastet e ndryshme të përgjimit të telefonave nga News of the World. Është një luftë kulturash, e kryer prej një seksioni të medias dhe shoqërisë – krahu i respektuar – kundër atyre që shihen si moralisht inferiorë dhe të trashë. E ka kapërcyer tashmë kufirin e të qenit një hetim gjakftohtë për sjellje të pretenduara kriminale dhe është shndërruar në një betejë supermoralizuese midis atyre që janë të mirët, liberalët, dhe të drejtët kundër atyre që shihen si të degjeneruar e perversë. Përfundimi i këtij sulmi kundër “kulturës tabloid” mund të jetë vetëm shtrëngimi i mëtejshëm i këmishës së forcës mbi shtypin, në mënyrë që të ketë vetëm një mënyrë të denjë dhe të përgjegjshme për të bërë gazetari.
Tani mund të shihet se deri në ç’masë kryqëzata morale anti-Murdoch ka të bëjë me zhdukjen e asaj që të fismit e shohin si mënyrë e keqe të menduari dhe shkruari dhe kjo shihet në mënyrën se si kryqëzorët enden lirshëm midis dënimit të krimeve të pretenduara në News of the World dhe dënimit të “kulturës” në News of the World, e të tjera gazeta këtij standardi.
Në fakt, pas mbylljes së News of the World, Peter Wilby në Guardian iu tha lexuesve (lexo kryqëzorëve) të mos flenë mbi dafina dhe ta kthejnë vëmendjen e tyre tabloid-urryese nga Daily Mail – një gazetë as nuk është përmendur si e përfshirë në përgjime të mëdha telefonash. “Mail, me kureshtjen e vet të sëmurë, në disa drejtime, është edhe më keq se tabloidet e Murdoch,” u shpreh ai. “Ka qenë armike konsekuente e politikave liberale … [dhe] mbetet thellësisht armiqësore ndaj shkencëtarëve që paralajmërojnë për ngrohjen globale.”
Kundër ideve liberale dhe jo aq Green sa duhet? Hiqeni qafe! Zhdukeni. Dërgojeni në të njëjtën varrezë ku News of the World, mallkimi i intelektualëve kudo, qelbet erë. Tekefundit, siç u shpreh Medhi Hassan në New Statesman, me këto gazeta që “shumica prej nesh nuk kishin asfare të bënin.” “Shumica prej nesh” – çfarë zgjedhje interesante fjalësh. Është e qartë që ai, dhe bravo i qoftë, s’ka fare turp, nuk i referohet miliona njerëzve që kënaqeshin duke lexuar News of the World dhe që ende lexojnë Daily Mail, por veç atij tarafit të vockël të miqve e kolegëve të vet.
Kur një gazetë mund të demonizohet thjesht se ka thënë diçka që nuk i shkon për shtat “politikave liberale,” pikëpamjeve që ka Guardian dhe mes shoqërisë së respektuar kozmopolitane, atëherë e dimë që kjo ka të bëjë me shumë më tepër se sa thjesht zbulimin e një krimi. Kur mbyllja e një institucioni 168-vjeçar si News of the World mund të përshëndetet me ngazëllim të pafshehur nga shkruesit e gazetave, atëherë e dimë që kemi të bëjmë me më shumë se sa ekspozimin e një veprimtarie të pretenduar kriminale. Tani, kjo është një kryqëzatë lakuriqe, e pamëshirshme morale kundër gazetave që guxojnë të mendojnë a të sillen ndryshe nga ata që popullojnë shoqërinë e respektuar. Intoleranca e kryqëzatës po sheh rritje. Në këtë përpjekje për të “pastruar” gazetat, për të rregulluar “shtypin e papërshtatshëm,” për të shtypur botimet joliberale dhe jo-Green, për të cilat “shumicës prej nesh” nuk ia ndjen fare sido që të vijë puna, kush do të jetë viktima e radhës?
Marrë nga Mapo
Comments
Kam kohe qe po i urrej keta

Kam kohe qe po i urrej keta nensoje te gazetarise. E dini pse ?!

Me thoshte nje shok para ca ditesh : Keta gazetaret kur jane nen efektin e 'viagres' ate 'kaq' e bejne 'kaaaaaaaq' dhe kur nuk e perdorin ate 'kaaaaaaq' e bejne 'kaq'.

Humbi besimi tek pushtetet; Ndac tek pushteti i pare, ndac tek pushteti i dyte, ndac tek pushteti i trete e ndac tek pushteti i katert...Humbi besimi tek politika!

E vute re nje nate ate Zhejin sesi qahesh nga taksimi ?! 'Pse ne do te financojme 'rilindjen' thosh. Marrin nga nje thes para dhe u dhimbet t'i japin shteti nje qese; ndersa fukarai merr nje qese dhe gjysmen ja jep atij...

Pushtet pusht!!!

oh ju lutem boll me kete

oh ju lutem boll me kete argument per Murdoch. Ai vetem shtyp i lire nuk eshte: ai eshte shtypi qe i ben lavazh trurit te njeriut qe te mendoje qe eshte i lire dhe pastaj te shkoje te votoje ate qe do Murdoch. me se famshmi: Clinton ne Amerike dhe Blair ne Britani. ky me gjoja shtyp i lire financohet fuqimisht qe te fokusohemi aty ku i intereson atyre qe financojne dhe jo aty ku jane problemet e verteta ne kohen ku jetojme. artikull i lire shume, ne kuptimin "cheap stuff"

Add new comment