Televizioni serb si pre mediatike politike

Postuar në 15 Tetor, 2012 02:40

Televizioni serb është pjesë e shërbimit publik të Radio-Televizionit të Kosovës. Me emërimin e paradokohshëm të drejtorit të këtij kanali televiziv në gjuhën serbe është vendosur themeli i emetuesit të parë publik, i cili pas vitit 99 i shërben në mënyrë speciale i shërben serbëve në Kosovë. Dhe përderisa ky kanal televiziv në gjuhën serbe bëhet kthesë e jetës mediatike dhe shoqërore të serbëve në Kosovë, shumë punëtorë mediatikë dhe politikë po angazhohen kundër krijimit të këtij kanali televiziv, me argumente nga sferat e tyre personale të interesit.

Pas emërimit të paradokohshëm të drejtorit të kanalit televiziv në gjuhën serbe, shumë serbë kanë reaguar, duke shfaqur mosbesim, frikë, refuzim. Nuk e dinë se a do të jetë ky televizion i pavarur apo promovim i qeverisë, se a do të raportohet për Kosovën si shtet apo ndryshe, se interesat e kujt mbrohen, çka do të ndodhë me televizionet në enklavat serbe, se a do të jetë prioritet i kanalit televiziv serb qëndrimi i Prishtinës apo Beogradit, se a do të jetë lajmi lajm, apo porosi e dikujt, etj.

Kështu është iniciuar një luftë financiare, patriotike dhe politike kundër kanalit të ri televiziv serb, edhe përkundër faktit se ky kanal madje ende nuk ka as frekuencën e tij. Kush qëndron prapa kësaj fushate?

Në enklavat serbe ekzistojnë televizionet lokale private serbe, të cilat e dëshirojnë rrjetin e televizioneve të tyre dhe nuk dëshirojnë shërbim publik. Në përpjekje për të mbrojtur interesat e tyre, televizionet private janë paraqitur si kundërshtare, e jo si partnere apo konkurrencë, e një kanali televiziv që nuk ekziston ende. Në këtë luftë po përdorin sensacione të ndjeshme patriotike, në mënyrë që shikuesit serbë t’iu besojnë pa menduar fare. Më saktë, ato akuzojnë televizionin e ri serb se do të jetë i Thaçit (Hashim Thaçit, kryeministrit të Kosovës). Por ata nuk e konsiderojnë si të rëndësishme që shikuesve të tyre t’ua shpjegojnë se ata me dëshirë marrin dhe pranojnë paratë e Thaçit për TV projektet e tyre.

Në anën tjetër kemi politikanë, të cilët janë të mendimit se shërbimi publik është në shërbim të tyre, që t’i promovojë ata, që të jetë institucioni i tyre mediatik. Politikanë të këtillë nuk lexojnë ligjet, në të cilat shkruan se Kuvendi (e jo partitë politike) themelon shërbimin publik dhe se siguron funksionimin e pavarur të tij.

Si pasojë e kësaj, çështja e TV kanalit serb është e ndjeshme për tri arsye. Së pari bëhet fjalë për frikën e njerëzve, të cilët për dekada me radhë kanë qenë dëshmitarë dhe viktima të manipulimeve mediatike, të cilat na çuan deri tek urrejtja dhe luftërat. Kohë të gjatë është jetuar në rrethana, në të cilat televizioni ka qenë qendër e pakushtëzuar e rrymave politike dhe e patriotizmit.

Së dyti, televizioni serb nuk kuptohet si konkurrencë, pluralizëm mediatik, koncept i shërbimit publik, i cili ka një mision të definuar me ligj, por shihet ose si pengesë, ose si mundësi për realizimin e interesave të ndryshme. Ndjeshmëria e tretë ka të bëjë me mosbesimin shumëvjeçar të serbëve në shërbimin aktual publik të Kosovës dhe përcaktimin e tyre që më me dëshirë të shikojnë televizionin e Serbisë.

Por si filloi çdo gjë?

Asociacionet e gazetarëve të serbëve të Kosovës në fillim të negociatave për statusin e Kosovës kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare një TV kanal të pavarur serb, i cili do të kishte frekuenca kombëtare. Këtë si aspekt të rëndësishëm për ruajtjen dhe integrimin e serbëve e kuptoi Marti Ahtisari, prandaj televizionin e vendosi në planin e tij për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Në këtë mënyrë televizioni serb u bë kategori kushtetuese dhe filloi procesi i definimit të themeleve institucionale, se kush do ta financojë dhe gjëra të ngjashme.

Pas debateve të papajtueshme, me praninë e të gjitha palëve të interesuara, të gazetarëve, medieve lokale serbe, politikanëve, përfaqësuesve ndërkombëtarë, ekspertëve për medie, u vendos që për shkak të kushteve ekzistuese shoqëroro-financiare kanali i pavarur televiziv të jetë pjesë e shërbimit ekzistues publik. Kështu, mosmarrëveshjet e mëdha për mënyrën e financimit, të drejtimit, selisë, rolit, kanë kontribuar që kanali i ri televiziv serb të bëhet pjesë e RTK-së. Dikush këtë e ka kuptuar si kompromis, e dikush si zgjidhje të imponuar dhe të padrejtë. I gjithë procesi është udhëhequr nga faktorët ndërkombëtarë, ndërsa në hartimin e bazës ligjore kanë ndihmuar ekspertët evropianë.

Duke shpjeguar funksionimin e TV kanalit serb, ligji për RTK-në parasheh pavarësinë dhe objektivitetin e këtij televizioni. Kjo mund të jetë një përgjigje ndaj disa dyshimeve, por jo edhe eliminim i plotë i tyre.

Për këtë arsye është me rëndësi se çfarë do të jetë politika redaktoriale, duke pasur parasysh se po hyhet në tregun tashmë të stërmbushur mediatik, me kualitet të dyshimtë, malverzime për interes, me vijë të padukshme ndërmjet raportimit faktik dhe komenteve, si dhe shikimit tradicional të disa televizioneve. Vetëm një televizion profesional mund të fitojë besim dhe të luftojë për shikuesit e vet. Pse besoj në këtë? Dëshirojmë të mësojmë nga shembujt pozitiv, ngase ka.

Në SHBA, vendin me numër të madh të televizioneve komerciale me ndikim global, shumë njerëz besojnë në shërbimet publike. Kam pasur mundësinë që të vizitoj korporatën për emetim publik dhe të bindem se sistemi amerikan i shërbimit publik dallon nga ai evropian, i afërt për ne. Por besimi në shërbimin publik është tejet i madh. Pasi që të kenë shikuar të gjitha spektaklet, debatet e ashpra, emisionet sfiduese teknologjike, shikuesit që kanë dëshirë që të informohen me saktësi i kthehen emisioneve të shërbimit publik. Ngjashëm është edhe në Evropë, me shërbimin britanik dhe botëror, BBC, më pas me atë gjerman, francez, ku shërbimet publike ndoshta nuk janë më aktualet, por nga aspekti informativ janë më të fuqishmit, ngase qytetarët ju besojnë më së shumti.

Kështu edhe televizioni i ri serb, apo siç e quajnë tashmë RTK2, ka obligim më të madh dhe mundësi të shumta, si për shkak të faktit se është kategori kushtetuese, pjesë e shërbimit publik, si dhe për shkak të rolit të veçantë në jetët e serbëve në Kosovë.

Aspekti shoqëror i kanalit televiziv është i rëndësishëm, pasi që nënkuptohet se roli i tij do të jetë që t’i kontribuojë stabilizimit të komunitetit serb. Krahas rolit informativ dhe edukativ, ai do të ketë edhe mision të veçantë për krijimin e hapësirës publike për serbët, të cilët duhet të flasin për jetën e tyre në Kosovë.

Më tutje, faktori financiar është pothuajse vendimtar, pasi që ka qenë e domosdoshme që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme. Fondet nga buxheti i përbashkët, për të cilat tatime paguajnë edhe serbët, e edhe shqiptarët, si dhe bashkësitë tjera, janë opsioni më stabil i financimit.

Aspekti i tretë i rëndësisë së këtij televizioni më trimëron në veçanti, e ky opsion është bashkëpunimi. Puna e përbashkët, shkëmbimi i informatave, hapësirës, ideve, atmosfera e relaksuar e punës e kolegëve serbë dhe shqiptarë mund të kontribuojë në uljen e tendosjeve, si dhe fillimit të komunikimit të hapur në shoqërinë e përçarë etnikisht.

Televizioni serb do të ketë një rol më tepër, do të bëhet iniciues ideator i lindjes së konceptit të ri të serbëve të Kosovës, të cilëve shikimi kritik për botën do t’iu hap shtigje të reja. Për këtë arsye është me rëndësi të bëhet një televizion, i cili nuk do të pasqyrojë vetëm profesionalizëm, por i cili do të diskutojë gjithashtu edhe për të gjitha dyshimet në lidhje me ekzistencën e tij.

Kur të fillojë punën, televizioni serb do të hasë në një terren të pasur, të larmishëm dhe interesant, në të cilin profesionalizmi shpesh harrohet. Do të përballet me popullaritetin e pakalueshëm të disa televizioneve, me dezinformata, manipulime, me synimin e shumë njerëzve që të kenë qasje objektive në informata, për t’i dhënë më pas atyre ngjyrime patriotike, me media që në mënyrë jopopullore luftojnë për shikuesit serbë. Do të ketë politikanë, të cilët do të ushtrojnë trysni, që do të kërkojnë punësimin e fëmijëve dhe familjarëve të tjerë. Do të ketë gjithçka. Do ta presë një terren i njohur.

 

*EXPRESS

Comments

Submitted by Dori (not verified) on

<p>Anamari,</p><p>Uroj qe ky kanal te krijohet dhe te jet i pavarur. Uroj qe te jap lajme sa me objektive e emisjone sa me te kendshme. Uroj gjithashtu qe qytetaret Serb ta ndjejne vehten sa me rehat ne shtepite e tyre e ne vendin e tyre ne Kosove. I uroj te gjith kosovareve (qofshin serb, shqiptare apo te tjere) qe te kene nje jete te mire e te rrealizohe si individ dhe shoqeri.&nbsp;</p><p>Keto urime me siper ju a jap nga zemra dhe jane te verteta se e kaluara eshte ajo qe eshte dhe nuk ndreqet por per te ardhmen ka gjithmone shprese. Por po te jemi pak realist ky televizjoni Serb i kosoves, nqs do te jete publik do te kete te gjitha problemet qe kane televizjonet publike ne Shqiperi, Serbi apo Kosovo. Problemi kyesore eshte qe ato ne thelb nuk jan te pavarur por jan shprehje e axhendes politike ne pushtet. Por edhe sikur te ishte vertet i pavarur sa mendoni ju qe jane Serbet ne Kosove te cilet jan gati te bashkjetojne dhe te normalizojne rraportet me popullaten Shqiptare te Kosoves (mos me keqkupto dhe shqiptaret anasjelltas nuk mendojne qe jan shum)? Pra po te ishte vertet i pavarur ky televijon do te ndiqte preferencat e shikuesve te vet, te cilet nuk jan te interesuar qe te degjojn lajme &#39;lajm&#39;, si tip mund te ishin ato te BBC. Keta shikues jan me te interesuar te degjojne lajme jo objektive qe mbajne gjalle identitetin e tyre serb ne rraport kundershtar me identitetin shqiptar (e njejta gje vlen dhe anasjelltas). Pra keto vite dhe disa te ardhshme do te jene te veshtira sidomos sa te harrohet mir e kaluara e sa te punohet me gjeneratat e reja.&nbsp;</p><p>Gjeja me e mire do te ishte sikur ky televijon te krijohej sa me shpejt dhe sebashku me shumicen e televijoneve te tjera (publike apo private) te punonin per afrimin e komuniteteve.</p><p>Kosova si toke do ngeli toke, dhe do vi nje dite ndoshta shum e larget, kur nuk do kete me njerez qe e kan aq te rendesishme per te qene ose serb ose shqiptare (myslyman apo te krishtere). Per njerezit qe jetojne ne kosove eshte me mire qe te mesojne te jetojne bashk me njeri-tjetrin sepse nga kjo do kete vec te mira. Urrejtja sjell dhune dhe hakmarrje. Dhuna dhe hakmarrja vetem dhimbje dhe shkaterrim. Pra nuk eshte as llogjike as e vlevshme te urresh.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.