WikiLeaks, Pango, Top-channel, dhe një qyfyre me Topallin

Postuar në 05 Shtator, 2011 04:32

Në një intervistë të gjatë dy faqëshe në gazetën Mapo, të lajmëruar në faqe të parë me titullin “Kabllot për mua, thashetheme pazari”, Ylli Pango i rikthehet ngjarjes, që i dha një kthesë të fortë jetës e karrierës së tij, dmth përgjimit që Top-channel-i (Top Kanal, e quan ai) i ka bërë kohë më parë bisedës që ka bërë nga pozicioni i ministrit të Republikës me një vajzë të porositur për të bërë rolin e hallexheshës. Shkak është një përcaktor që diplomatët amerikanë (më saktë, ambasadori Withers) ia japin në një prej kabllogrameve. “Predator seksual”, e quajnë; dhe “plagjiator librash”, gjithashtu.

Në këtë intervistë, ku mungon emri i intervistuesit, Pango merret gjerë e gjatë me Top-channel-in, me Filip Çakulin, të cilin e quan në stilin berishian çakall, me gjyqin që ka hapur kundër të dyve (e që, sipas tij, do ta fitojë; ka fituar në shkallën e parë, në fakt), i etiketon nënvizimet e ambasadës në adresë të tij si “informacione keqdashëse që bien era meskinitet e hakmarrje e ulët”, lëshon konsiderata të mira për kryeministrin, etj, etj. Të gjitha këto e të tjera paraqesin një lloj interesi, pasi Pango ka kohë që s’flet për publikun, por në këtë intervistë të tërheq vëmendjen edhe shpjegimi që ai u bën marrëdhënieve të veta me PD-në e me eksponentë të saj, sidomos me Jozefina Topallin. Në një moment tregon një anektodë për këtë të fundit, e cila qysh në krye të herës, sipas Pangos, ka qenë e terrorizuar nga ideja e KOP-it e nga fakti që mund të mbetej në hije e pas dore prej kësaj shpikjeje të Berishës. “Kur u formua KOP-i dhe u përhap fjala, se këta të KOP-it do të jenë qeveria e ardhshme, Jozefina shkoi te Berisha dhe shumë e mërzitur e pyeti se përse ajo nuk ishte përfshirë në KOP”, rrëfen Pango në mënyrë ironike.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.