Vdekja e Leka Zogut bën unifikimin narrativ të medias shqiptare

Vdekja e Leka Zogut është padyshim një ngjarje e përmasave kombëtare, e prandaj për të kanë folur të gjitha mediat elektronike dhe online në publikimet e ditës së sotme. Por të çudit fakti që kjo ngjarje është raportuar pa pikë kreativiteti, me plot ‘përtesë’, e në mënyrë pothuaj identike. Speakeret e televizioneve kanë lexuar të njëjtin tekst që fillonte me frazën “Ndërron jetë pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu i Parë” e që kish për titull “Shuhet Leka Zogu i Parë”. Këtë gjë bënte Top-channel, Tv Klan, Balkanweb.com, Panorama, Shekulli, Tema, Ora News, Vizion Plus, Koha Ditore, Kosova Sot, Zëri, etj. Ka qenë shpërndarë me sa duket një tekst i përgatitur nuk dihet se ku e nuk dihet nga kush, dhe mediat kanë zgjedhur të lexojnë atë; ndonjëra sosh “më puntore” ka punuar pakëz mbi këtë tekst, duke i bërë ndonjë ndryshim sa për të dhënë idenë rrenacake të një teksti alternativ. Vetëm Deutsche Welle në gjuhën shqipe dhe Zëri i Prishtinës kishin një lajm të vetin (Zëri duke ju referuar Panoramës së Tiranës).
Dy paragrafë të plotë gjenden në fund të shumicës së raportimeve; janë të njëjtë me pikë e me presje:
“Prej kohësh, për shkak të shëndetit të përkeqësuar, favorizuar dhe nga anoreksia, Leka Zogu i Parë ishte tërhequr thuajse plotësisht nga jeta aktive politike dhe shoqërore. Në vend të tij funksionet publike kryhen nga i biri, Princ Leka dhe drejtuesit e Partisë së Legalitetit, të cilët janë pro monarkisë. Vitet e fundit 73-vjeçari lëvizte vetëm me anën e një karroce me rrota, si pasojë dhe të një dëmtimi në këmbë dhe gjendjes së përgjithshme të përkeqësuar shëndetësore të tij.
Leka Zogu I lindi në 5 Prill të vitit 1939 në Tiranë. Është djali i Ahmet Zogut, i shpallur Mbret i Shqipërisë në ato vite. I ardhur prej dy ditësh ne jetë në prill të 1939 familja mbreterore nis një jetë të re në mërgim. Ai shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të 1993, me një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat. Pretendenti i Fronit bëri një përpjekje të parë për të ringjallur dhe ushqyer idenë e monarkisë në ato vite. Ai u rikthye përfundimisht, së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri pas 5 vjetësh në qershor të vitit 2002.”
Re.Pu.
Add new comment