Thaçit nuk i bën goja të flasë serbisht, por serbëve u dërgon mesazhe përdëllimtare

Postuar në 28 Nëntor, 2011 12:39

Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug. Është treguar shumë i kujdesshëm, dhe ka folur me tone empathike për serbët e veriut të Kosovës. Ai ka folur si të ish një prej tyre, ka marrë rolin e shtetarit të urtë e të shtruar, që s’di të vërë re vicklat e tekat e shtetasve të vet, madje që i mirëkupton këto teka. “Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët në veri….Unë do të jem pranë qytetarëve tanë në veri. Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme t'i ndihmojë ata dhe të përballet me të gjitha problemet e tyre. Unë dua të takohem me ta dhe të flasim, për të rënë dakord dhe për të filluar zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve”, i tha ai Tanjug-ut.

Në fund të bisedës, gazetari i Beogradit i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës që serbëve të veriut t'u dërgojë një mesazh në gjuhën serbe. Thaçi është kapur disi i papërgatitur. Nuk ka folur serbisht asnjë fjalë, ndonëse është në gjendje të formulojë ndonjë frazë në atë gjuhë. Por lumin ka ditur ta hedhë: “Edhe pse unë nuk mund t'iu drejtohem në gjuhën serbe, unë po iu flas nga thellësia e zemrës dhe shpirtit tim, kur iu them që të kthehen kah Prishtina, që të mos jetojnë në të kaluarën, që të punojmë së bashku dhe së bashku të ndërtojmë një shtëpi të përbashkët dhe ajo është Kosova sovrane”, tha ai, dhe aty për aty, për të rritur forcën bindëse të mesazhit, shtoi me ton përdëllimtar se “po u thosh atyre çfarë i diktonte zemra, si kryeministër, por mbi të gjitha si një njeri dhe si një prind, që i kuptonte plotësisht dhe donte t'i ndihmonte”.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.