Tension në veri, Forcat Speciale kosovare marrin dy pika kufitare
Forcat speciale tëPolicisë së Kosovës pas disa orë përplasjesh me serbët lokalë në veri të vendit dhe pa miratimin e BE-së kanë marrë nën kontroll dy pika të kalimit kufitar. Pikën kufitare të Bërnjakës policia kosovare ka mundur ta “pushtojë” mbrëmë vonë, ndërsa atë të Jarinjës mëngjesin e sotëm. Forcat speciale, pavarësisht kundërshtimeve dhe bllokadave serbe dhe me vendim të qeverisë së Kosovës, kanë ndërhyrë në këto dy pikat, të cilat kishin mbetur të vetmet që nuk zbatonin embargon mes dy vendeve. Sipas dëshmitarëve kamionët serbë të mallrave hynin në Kosovë në mënyrë të pakontrolluar dhe pa paguar kurrëfarë dogane apo takse. Aksioni, siç i deklaroi Radios Europa e Lirë ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, u ndërmor mesnatën e së hënës dhe përfundoi mëngjesin e sotëm. Aksioni policor u shoqërua me një situatë të tendosur për shkak të rezistencës së serbëve lokalë nga përplasjet, ku u lënduan edhe tre policë kosovarë. Pika e Bërnjakut u mor shpejt, por njësitë speciale u bllokuan për disa orë nga serbët lokalë që të merrnin kontrollin edhe në Jarinjë. Ministri i Brendshëm Rexhepi i tha REL-it se kjo shënon një shtrirje të sovraniteti të shtetit të ri. Ka reaguar ndërkohë edhe Përfaqësuesit Special i BE-së për Kosovën Gentilini që e ka etiketuar operacionin si jo të dobishëm dhe pa miratimin e BE-së. “Ai nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-ja nuk e ka miratuar atë", ka thënë Fernando Gentilini. "Është thelbësore që situata të qetësohet tani dhe të kthehemi ku kemi qenë. EULEX-i është i gatshëm t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në këtë", ka thënë Gentilini për të shtuar se "dialogu është e vetmja mënyrë që të zgjidhet çështja e vulave të doganave dhe të rivendosë tregti të lirë në të dy drejtimet". "Veprimet unilaterale nga njëra palë apo tjetra nuk mund ta zgjidhin problemin", ka thënë Gentilini sipas Radios Europa e Lirë.
Add new comment