Të reja që mësuam nga Wikileaks: Withers i paanshëm

Postuar në 05 Shtator, 2011 12:19

John Withers ka qenë ndoshta ambasadori më kontroversial i periudhës së tranzicionit në Shqipëri. Ai është parë nga e djathta si mbështetës i hapur i Edi Ramës e socialistëve, ndoshta në një shkallë të tillë që komunistët shihnin ambasadorin Rajerson si mbështetës të demokratëve në fillimvitet ’90. Por teksti i kabllove diplomatike të ambasadorit amerikan të lë kuptosh se ai ka qenë i barazlarguar nga palët. Të paktën në raportimet për Departamentin e Shtetit. Në listën e deputetëve të përfolur si mbështetës të krimit apo edhe gjysmanalfabetë janë, bujarisht, sa deputetë të së majtës aq edhe të së djathtës. Withers është i ashpër sa me Berishën aq edhe me Ramën. Për këtë të fundit thotë se dëshiron të kontrollojë gjithçka, ndërsa për të parin se është autoritar. Withers pranon se Rama nuk kishte një platformë politike, por e ndërronte kredon e aksionit politik disa herë duke krijuar kështu shkëputje me elektoratin. Sa i takon Berishës ai raporton për fije të dukshme e të padukshme që e lidhin familjen e tij me vendimet e mëdha që merren në Shqipëri. John Withers ka zhgënjyer ndoshta shumë me raportimet, por edhe me komentet që shoqëronin kabllogramet për analistët e State Department në Washington. Ka befasuar sidomos me atë se ai nuk kishte ndonjë stimë të madhe për protagonistët e politikës shqiptare. Për të ishin të gjithë njëlloj.

L.A.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.