PS-ja bëhet e gjallë për WikiLeaks-Albania

Postuar në 30 Gusht, 2011 02:31

Më së fundi, duke marrë shkas nga publikimi i kabllogramëve të ambasadës amerikane në Tiranë nga WikiLeaks, një përfaqsues i PS-ë, Ilir Beqja, i kërkoi publikisht prokurorisë të fillojë një hetim ndaj kryeministrit Berisha për shpërdorim të fondeve shtetërore dhe rrezikimin e jetës së njerëzve. Kërkesa lidhet me këmbënguljen e Berishës për hapjen e tunelit të Kalimashit dy ditë para zgjedhjeve të qershorit 2009, përkundër këshillës së drejtuesve të kompanisë ndërtuese Bechtel-Enka për hapjen e tunelit në tetor të atij viti. Sipas kabllogramëve të publikuar nga WikiLeaks-i, në 17 prill të vitit 2009 ambasada amerikan njoftohet se vetë presidenti i Bechtelit, Michael Adams, është përpjekur të bindë Sali Berishën të mos e hapë tunelin e rrugës Durrës-Kukës në 27 qershor, dy ditë para zgjedhjeve, pasi kjo mund të ishte e rrezikshme dhe mund të rriste koston e rrugës të paktën me 15 milionë euro të tjera. Sipas një zyrtari të lartë të Bechtel-it, ministri Olldashi dhe drejtori i përgjithshëm besonin se hapja e tunelit duhej shtyrë për në tetor, por askush nuk kishte guximin t’ia çonte këtë mesazh kryeministrit. Bechtel thotë se e kuptonte presionin në të cilin ndodhej Berisha, duke iu referuar deklaratës së Edi Ramës i cili pak ditë më parë kishte akuzuar kryeministrin se kishte gënjyer me afatet e rrugës dhe që ajo tani do të inaugurohej nga një kryeministër socialist. Ashtu siç u parlajmërua nga zyrtarët e Bechtel-it hapja e parakohshme e tunelit më vonë çoi në shembjen e tij, që i kushtoi buxhetit jo 15 milionë euro, por gati dyfishin e kësaj shume. Ambasada shkruan se kostoja e rrugës u rrit nga shumë arsye, një prej të cilave ishte dëshira e Sali Berishës për të patur një tunel të drejtë në të gjithë shtrirjen e tij, ndryshe nga sa ishte projektuar që tuneli të ishte i drejtë vetëm në 500 metrat e para nga të dy anët. “Për ironi”, shkruan ambasada, “pak kohë më vonë qeveria nuk pranoi të rriste shpenzimet për sigurinë e rrugës duke mos pranuar të ndërtojë gardhet rrethuese të sigurisë, çka lejon fshatarët e zonës dhe gjënë e gjallë të lëvizin lirshëm në rrugë me automjetet që ecin me 120 kilometër në orë.”

E.Z.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.