Protesta masive rinore në Kili
Dhjetra mijra nxënës e studentë kilianë kanë zhvilluar protesta ditët e fundit, duke qëlluar me gurë policinë dhe duke bllokuar trafikun në Santiago e disa qytete të tjera të vendit. Këto protesta vijnë pas 4 muajsh të mbushur me akte të mosbindjes civile nga nxënësit dhe studentët e shkollave dhe universitete publike. Në qendër të pakënaqësisë së protestuesve, është sistemi arsimor kilian, i cili, sipas tyre, favorizon arsimimin e mirë të fëmijve të shtresave të pasura në kurriz të atyre të shtresave të varfëra. Presidenti Pinjera e ka pranuar nevojën për refromimin e sistemit arsimor kilian, por ende s’ka ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim një vit e gjysëm pas ardhjes së tij në fuqi. Vjet, pas një misioni të suksesshëm shpëtimi për 33 minatorë të ngujuar aksidentalisht në një minierë kiliane, niveli i aprovimit të kilianëve për Pinjerën ishte 60%. Ndërsa sot është në nivelin 26%. Protestat aktuale i kanë rrënjët në ideologji - nga njëra anë, qeveria e qendrës së djathtë nuk do të ndërhyjë në ekonomi, dhe nga ana tjetër, udhëheqësit rinorë besojnë se pabarazia në shoqëri sinjalizon për nevojën e një modeli të ri ekonomik. Të dhënat e FMN-së për 20 vjetët e fundit, tregojnë se Kili ka patur një rritje mesatare ekonomike prej 6% (e cila do të vazhdojë edhe këtë vit) me papunësi dhe inflacion të ulët. Ndërkohë, OKB-ja e rendit Kilin ndër vendet amerikano-latine me pabarazinë më të madhe të të ardhurave për qytetarët e tij. E.Z.
Add new comment