Pronari i gazetës Independent rreh kundërshtarin gjatë debatit televiziv
Miliarderi rus Alexander Lebedev, pronar i dy gazetave britanike, Independent dhe Evening Standard, goditi me grusht një tjetër miliarder gjatë një debati televiziv për krizën ekonomike. Sipas AP-së, një klip i emisionit që do të transmetohet sot, u shfaq në websajtin e kanalit televiziv NTV (jo ai shqiptari, kuptohet), ku Lebedev, një ish-agjent i KGB-së i dha një të djathtë në fytyrë një baroni të pasurive të patundëshme, Sergei Polonsky. Lebedev e hodhi Polonsky-n nga karrigia duke i dhënë edhe një tjetër goditje teksa ai po binte nga platforma e studios televizve, por kjo e fundit nuk e kapi.
Në blogun e tij Lebedev u justifikua për sulmin duke thënë se Polonsky u soll në mënyrë agresive dhe kërcënuese gjatë debatit. "Në një situatë kritike nuk ke shumë zgjidhje. Nuk shoh pse duhet të jem unë që ta marr goditjen e parë. Unë vetëm sa e neutralizova", tha pronari i gazetave britanike Independent dhe Evening Standard.
Polonsky, u ngrit shpejt pas goditjes dhe nuk dukej i lënduar, por më vonë publikoi në internet foto që tregonin një çarje në krah dhe pantallonat e grisura.
L.A.
Add new comment