Presidenca më në fund pranon se ka patur ftesë nga ambasada kosovare

Para ca ditësh, Shekulli, duke iu referuar burimeve zyrtare nga Presidenca e Republikës (këto burime nuk ishin specifikuar), pretendonte se Presidenti Topi nuk kish marrë ftesë për në veprimtarinë e përurimit të Ambasadës së re të Kosovës në Tiranë. Nga presidenca kujtohen tri ditë më pas për të saktësuar e përgënjeshtruar lajmin e dhënë. Ja thelbi i reagimit të vonuar të Presidencës:
“Nisur nga disa keqkuptime dhe komente kontradiktore të paraqitura ditët e fundit nga disa media vizive e të shkruara, [sqarojmë publikisht se] “Presidenti i Republikës ka marrë ftesë për në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë si dhe për në pritjen që do të organizohej më pas në Hotel ‘Sheraton’ ditën e premte, më 17 shkurt 2012, [dhe] në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të një gjendjeje virale, Presidenti i ka komunikuar në telefon me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Kosovës, zotin Gani Veselaj, të cilin e ka uruar edhe njëherë për Festën e Pavarësisë së Kosovës, duke e falenderuar njëkohësisht edhe për ftesën.”
Një dreq e merr vesh pse e kanë vonuar kaq shumë këtë njoftim të thjeshtë. Një reagim i shpejtë do t’u vinte fre të gjitha spekullimeve. Apo u ka interesuar që këto spekullime të bëheshin?
Re.Pu.
Add new comment