Piramida në pritje të ruspave?
Është miratuar ligji mbi ndërtimin e parlamentit të ri në vendin ku sot rri e ashtuquajtura Piramidë, dhe pritet që të firmoset nga Presidenti i Republikës. “Po, ligji më ka ardhur, dhe me të po merren ekspertët juridikë që punojnë për mua”, mësohet t’u ketë thënë Presidenti Topi një grupi të shoqërisë civile, që kish kërkuar takim me të në emër të të gjithë atyre që janë organizuar kundër idesë për prishjen e Piramidës. “Si qytetar e kam shprehur qëndrimin tim në raste të tjera”, ka shtuar ai në të njëjtin takim, “por lidhur me ligjin nuk kam akoma një qëndrim timin; më duhet ta shoh me kujdes, e më pas do të shprehem si President në mënyrat, në format e në afatet kohore që parashikon kushtetuta”.
Kohët e fundit është rritur ndjeshmëria publike e politike lidhur me këtë çështje. Zërave të shumtë lokalë, të cilët insistojnë tek ruajtja e trashëgimisë dhe e traditës, u janë shtuar dhe ato të disa diplomatëve, të cilët janë vënë në mbrojtje të Top-Medias. Në mjediset e Top-channel-it janë parë të bëjnë vizita ambasadori amerikan dhe ai i BE-së. Në fund të vizitave nuk kanë bërë asnjë deklaratë, por vetë vizita e tyre ka qënë një mesazh. Ka pak gjasa që maxhoranca të tërhiqet, megjithatë. Për pasojë, Piramida është në pritje të ruspave.
E.G.
Add new comment