Përrallat e Berishës, episodet e Lubonjës, dhe shifrat kokëforte

Postuar në 27 Shtator, 2011 06:40

Në një koment të botuar në gazetën “Panorama” Fatos Lubonja kritikon ashpër përrallat që tregoi Berisha në SHBA mbi mënyrën se si po e përballon Shqipëria krizën ekonomike që sillet rreth saj. Lubonja shkruan për Berishën se “ai tentoi të na japë edhe një faqe pozitive të kësaj krize: shqiptarët që kanë humbur punët në Greqi apo Itali po kthehen në Shqipëri dhe po i investojnë në vendin e tyre kursimet që kanë bërë në këto vende.”  Për t’iu kundërvënë kësaj thënie të Berishës, Lubonja shkruan: “Le të ndalemi për një çast në deklaratën e tij se shqiptarët e mbetur pa punë jashtë po kthehen dhe po investojnë këtu. Këtë vit pata rastin të vizitoj Veriun e Greqisë. Një nga gjërat që më befasoi ishte numri jashtëzakonisht i madh i shqiptarëve që takova atje. Pothuaj të gjithë punonin ose në ndërtim, ose në shërbime të tilla si kamerierë, kuzhinierë, pastrues nëpër shtëpi e hotele. Grekët vetë të thoshin se ndërtimet atje i kishin bërë duart e shqiptarëve. Në një fshat të gadishullit Pilion, Murizi quhej, kishte 80 shqiptarë të shpërngulur të gjithë nga i njëjti fshat i Peshkopisë. Nuk mund mos të të lindte mendimi se ndoshta krimi më i madh i klasës politike shqiptare që ka qeverisur këta 20 vjet është moskrijimi i kushteve që shqiptarët t’i derdhin energjitë në vendin e tyre, për të mirën e tyre, së bashku me ndjenjën e neverisë për ata sharlatanë pseudopatriotë që ndërkohë që me çka bëjnë në Shqipëri i detyrojnë shqiptarët të punojnë si shërbëtorë të grekëve, me fjalë hiqen sikur mbrojnë interesat e tyre duke manipuluar ndjenja e retorika nacionaliste antigreke me gjuhën e Enver Hoxhës. Është e vërtetë se një pjesë e emigrantëve nuk i kanë humbur lidhjet me Shqipërinë, por është edhe më e vërtetë se shumica e tyre nuk e shohin të ardhmen e tyre apo të fëmijëve të tyre në Shqipëri. Po ashtu, kur bëhet fjalë për investime, thuajse i vetmi investim është ndërtimi i ndonjë shtëpie, apo i ndonjë kafe-bari, apo restoranti. Por këto nuk prodhojnë para. Ato kërkojnë para.”

Më tej Lubonja sjell edhe këtë episod tjetër në funksion të kritikës ndaj thënies së Berishës: “Para disa kohësh isha në Bathore, ku, siç dihet, banojnë edhe shumë njerëz të ardhur kryesisht nga Veriu. Kur i pyeta disa se me çfarë jetonin në atë vend, përgjigjja që më dhanë shumica ishte se jetonin me ato çika para që u dërgonin vëllezërit apo motrat nga emigracioni. Nëse këta do të kthehen në Shqipëri, me çfarë do të hanë këta që janë këtu? Si mund të thuash se kthimi i këtyre do të sjellë investime në Shqipëri? Çfarë do të investojnë në Bathore këta njerëz po u kthyen? Çfarë mundësish të tjera u ka krijuar qeveria për të investuar, përveçse i ka lënë të zaptojnë toka buke për të ndërtuar shtëpi e kafe-bare? Asgjë ose thuajse asgjë, është përgjigjja.”

Për t’i ardhur në ndihmë Lubonjës në argumentimin e tij, që është kryesisht episodik, po ofrojmë grafikun e mësipërm, i cili tregon lëvizjet disavjeçare të çmimit të euros në tregun valutor shqiptar (Sipas FMN-së, rreth 90% e shkëmbimeve të jashtme tregtare e financiare të Shqipërisë kryhen në euro.) Grafiku na thotë se  çmimi i euros ishte i qëndrueshëm në nivelin rreth 125 lek gjatë periudhës korrik 2004 - janar 2009. Por dy vjetët e fundit, ka patur një rritje të vazhdueshme, duke arritur tani pothuaj në nivelin 141 lekë. Në qoftë se do të ishte e vërtetë ajo që thotë Berisha, çmimi i euros do të kishte rënë, jo të ngrihej. Kjo sepse kërkesa për euro në treg ka mbetur pothuaj konstante (importet shqiptare nuk kanë pësuar ndonjë luhatje të ndieshme dy vjetët e fundit), ndërkohë që rritja e ofertës së eurove nga shqiptarët që kanë humbur punët në Greqi apo Itali dhe që, sipas Berishës, po i investojnë në vendin e tyre kursimet, do të kishte sjellë ulje të çmimit të euros në treg. Për më tepër, sipas përrallave të Berishës, oferta për euro në treg duhej të ishte rritur edhe nga rritjet prej 300% të investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe të numrit të turistëve të huaj në dy vjetët e fundit!!!  E.Z.

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Po ju kujtoheni kur shkruan Lubonja episodet e tij (qe tja kujtoni pastaj) per te nxjerre argumentat kokeforte?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.