Opozita në Prishtinë: Ambasadori amerikan po mban anën e qeverisë

Personi me më shumë pushtet në Kosovë është Ambasadori amerikan, Christopher Dell. Dhe në këtë mes nuk ka ndonjë çudi. Njihet roli i ambasadorëve amerikanë në vende si Kosova e Shqipëria, ku institucionet e brishta apo të munguara krijojnë boshllëqe që duhen mbushur. Dhe institucioni që mund t’i mbushë më mirë se çdokush tjetër është ambasada amerikane, dmth një entitet i largët, i supozuar se don të mirën e Kosovës, dhe që e ka të lehtë të qëndrojë mbi palët.
Mirëpo njerëzit me pushtet, herët a vonë, shndërrohen vetvetiu në target. Kjo po ndodh dhe me ambasadorin Dell në Kosovë, për të cilin po mendojnë se është vënë në mbështetje të qeverisë (duhet të jetë e shkruar në manualet e diplomacisë amerikane që në rrethanat e një karfosjeje të fortë maxhorancë-opozitë, në vende institucionalisht të dobëta e të paqëndrueshme, ambasadorët duhet të bëhen me maxhorancën). Dhe të pakënaqurit, kuptohet, janë në opozitë. Në numrin e sotëm të Zërit të Prishtinës thuhet se “se pas secilës deklaratë ‘me peshë’ të kryeministrit, pason fjala nga Dragodani (është zona e Ambasadës amerikane), e cila shumë shpesh i vë ‘kapak’ qëndrimit të shefit të qeverisë. Madje, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, flitet për “një model pune të kryeministrit, i cili fillimisht koordinohet me Ambasadorin, pastaj del dhe i bën publike qëndrimet e tij, dhe më tej është hera e ambasadorit që t’i mbrojë këto qëndrime”. Po kështu mendojnë dhe shumë politikanë të tjerë të opozitës, dhe analistë që mbajnë anën e kësaj të fundit.
Asnjëherë më parë nuk ka patur në Kosovë një pakënaqësi të tillë ndaj Ambasadorit amerikan. Apo kemi të bëjmë me teprime të medias?
M.N.
Add new comment