Një bust për A. Gumën ndan palët në Himarë

Postuar në 06 Gusht, 2011 03:57

Në tetor të vitit të kaluar, në qytetin bregdetar të Himarës, u vra Aristotel Guma, shtetas shqiptar me kombësi greke. Fillimisht, vrasja u duk se ish me sfond nacionalist e anti-grek, gjë që u theksua dhe nga kryeministri Berisha në deklaratën e tij të parë mbi ngjarjen. Por gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të autorëve të vrasjes, gjykatat shqiptare dolën në përfundimin se e gjitha kish qenë një aksident.

Një vit më pas, organizata Omonia është përgatitur ta përkujtojë në mënyrën e vet këtë ngjarje. Sipas gazetës Panorama, është porositur një bust i Gumës në Greqi, dhe këtë bust duan ta ngrenë në qendër të Himarës. Kërkesa e tyre ka mbërritur në Këshillin Bashkiak, dhe pritet një vendim i këtij organi. Kryetari i Bashkisë së qytetit, ndoshta për shkak të ndjeshmërive të natyrës etnike që egzistojnë aty, është treguar shumë i kujdesshëm në një intervistë të tijën për gazetën e Hysenbelliut. Gjatë gjithë bisedës me gazetaren Ilnica, thotë vetëm fraza të tilla, si “ka procedura të sakta për këtë gjë”, “e vendos Këshilli me votim të fshehtë”, “mendimin tim do ta jap në momentin dhe në formën e duhur”, etj. Ndërsa Kryetari i Këshillit, Stefan Kokëdhima, është i prerë në qëndrimin e tij: “ka ardhur një kërkesë, por as që kemi marrë mundimin ta lexojmë; një bust i tillë rrezikon paqen, e krijon probleme për Himarën”.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.