Në Dhërmi gazetat kushtojnë aq sa duhet të kushtonin
Në Dhërmi, as në verë kur ky fshat fillon e del jashtë vetes duke u kthyer në një pothuajse qytet, nuk ka një pikëshitje gazetash. Por një gazetashitës e ka. Është një burrë, ndoshta në të pesëdhjetat, i vogël për nga trupi, por jo nga energjitë. Ai bredh lart e poshtë me një krah gazetash që i përcjell sa në njërën dorë në tjetrën. Kur i kërkon MAPO-n, Panoramën, Shqip-in, Gazetwn Shqiptare apo Shekullin, të thotë se ka vetëm Shekullin dhe…Sportin Shqiptar. Nuk më vijnë të tjerat, të thotë. Merr këto të dyja dhe i zgjat 100 lekë të reja. E ke një ndjesi të turbullt se ato duhet të kushtojnë diçka më shumë se çmimi prej 20 lekësh të vendosur prej botuesit. Gazetashitësi fut metalikun 100 lekësh në xhep dhe vazhdon pa qeder të të shpjegojë se ai është pika ambulante e shitjes.
E kupton se e ka kripur me nja 130 përqind çmimin e të përditshmeve dhe, ndoshta, do të marrë edhe nja 20 përqind të tjera nga sektori i marketingut të tyre. Tek rehatohesh para kafesë së mëngjesit dhe u hedh një sy titujve e kupton se nuk ke paguar shumë, por aq sa duhet të paguaje për dy të përditshme. Kujton se para shumë vitesh ka patur një betejë të ashpër mes botuesve të mëdhenj në vend për çmimin e gazetave të përditshme dhe je i lumtur që, pavarësisht çmimit, zakoni i mëngjesit, kafe e gazeta, mund t’i shtohet luksit të një mëngjesi plot diell e det.
L.A.
Add new comment