Milionat enigmë të PD-së për lobim në Amerikë

Partia Demokratike dhe qeveria shqiptare kanë shpenzuar miliona lekë për të mundësuar thjesht takime dhe shtrëngime duarsh me zyrtarë amerikanë, bën me dije agjensia “Lajmifundit”. Partia në pushtet rezulton se ka nënshkruar disa herë kontrata me kompani amerikane në fushën e lobimit për të “blerë” qëndrimin pozitiv amerikan ndaj reformave të qeverisë dhe situatës politike në vend. Agjensia “Lajmifundit” disponon të dhënat për kompaninë “BKSH & Associates” që është kontraktuar nga Partia Demokratike për konsulencë politike në vitin 2009 dhe ka kryer lobim për një periudhë gjashtë mujore që përfundonte qershorin e vitit 2009 kur dhe ishin përcaktuar zgjedhjet parlamentare. Vlera e kësaj kontrate është deklaruar zyrtarisht në shumën 120 mijë dollarë. Agjencia rreshton 18 kontakte të ndërmarra nga “BKSH & Associates” për llogari të Partisë Demokratike, për të mundësuar takime të Kryeministrit Berisha e Kryetares së Kuvendit Topalli me senatorë amerikanë. Kontrata në fjalë është e firmosur nga Partia Demokratike, ndërsa ka dhe kontrata të tjera të firmosura nga Qeveria, si ajo e 2007-s me “Ridge Global, LLC”, që u kushtoi taksapaguesve shqiptarë nga fondi i buxhetit të shtetit 479,973 USD, ajo 6 mujore me Patton Boggs” me vlerë 275,000 USD (2010), apo ajo me Podesta Group” prej 720 mijë USD (2011), etj.
Lobimi është një praktikë e njohur në Amerikë. Por, enigma është se ku i gjen PD paratë për të shpenzuar miliona për lobim.
Për sa i përket kontratave qeveritare, pyetja tjetër që lind është se çfarë të mirash ka sjellë lobimi qeveritar për vendin? A duhet qeveria të lobojë për imazhin e vet, apo për interesa strategjike të Shqipërisë e qytetarëve të vet si pronat e çamëve, korridori 8, apo hyrja në BE?
k.c.
Add new comment