Letër Ministrit të Arsimit: Po hakmerren për motive politike

Më poshtë vijon një letër, që një mësuese me përvojë nga qyteti i Korçës, dërgon në adresë të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafajt. E kemi marrë nga Shqip-i në një version të shkurtuar. Kjo letër ngre një çështje të madhe, për të cilën është diskutuar pa fund, dmth çështjen e emërimeve me logjikë klienteliste e partiake në administratën publike, e sidomos në shkolla. Ministri e kaloi dje këtë moment në Komisionin parlamentar, duke thënë se nga nëntori emërimet do bëhen me konkurs (avaz i vjetër ky; s’merret vesh pse s’morën masa që ta fillonin qysh nga shtatori); por deri atëherë, kjo zonjë ka nevojë të vërë në vend dinjitetin e vet. Kthejini një përgjigje, zoti ministër, kësaj letre, e cila është shkruar me një gjuhë shumë korrekte dhe në të cilën lexohet besimi që kjo mësuese ka ende tek funksionarët e lartë shtetërorë, konkretisht tek ju! Nga redaksia
I nderuari zoti Ministër, unë që po ju shkruaj quhem Ana Sulejman Verushi (Zhuri), lindur në qytetin e Korçës, më 01.07.1959. Kam përfunduar Fakultetin e Shkencave Natyrore – dega Biologji-Kimi, në vitin 1982 dhe kam një përvojë të gjatë pune në shkollat e mesme (gjimnazet) e ndryshme të vendit si “Shefqet Guzi”, Gramsh, nga viti 1982-1993, më pas zëvendësdrejtore po në këtë shkollë nga viti 1993-1996. Nga viti 1996-2004 kam qenë mësuese në gjimnazin “Themistokli Gërmenji” – Korçë, për një vit, 2004-2005, zëvendësdrejtore dhe më pas edhe drejtore e Drejtorisë Arsimore Rajonale Korçë (mars 2005-nëntor 2005). Nga viti 2005 deri më sot kam vazhduar punën si mësuese pranë gjimnazit “Themistokli Gërmenji”....
.....[Po jua shkruaj këtë letër, pasi] vetëm një ditë para fillimit të mësimit më është komunikuar lëvizja nga shkolla (gjimnazi) “Themistokli Gërmenji” për në shkollën e mesme të bashkuar në fshatin Plasë të rrethit të Korçës.
Shtysa që më detyron për t’Ju drejtuar me këtë letër nuk është lëvizja apo refuzimi prej meje i vendit të punës, por mungesa e një motivimi zyrtar të kësaj lëvizjeje dhe mbi të gjitha, fyerja e dinjitetit tim për punën dhe rezultatet e arritura gjatë viteve. Në rrugë jozyrtare lëvizja ime është motivuar si “teknike-administrative”.
Unë e di, zoti Ministër, se përballja me këto çka ju parashtrova është një preokupim që do kohën dhe energjinë e vet, por jam e bindur se duke ushtruar detyrën tuaj kushtetuese dhe shprehur vullnetin tuaj, Ju mund të ndikoni t’i kthej vetes dinjitetin, tek kolegët besimin se zëri i një mësuesi me përvojë dhe me rezultate në punë nuk mund të hidhet poshtë dhe mbi të gjitha, tek nxënësit figurën e mësuesit që ata kanë njohur.
Do të doja shumë t’i besoja deklaratës së DAR lidhur me këto lëvizje se, asnjë prej tyre nuk ka pasur sfond politik, por mënyra, mungesa e transparencës, motivimi i padrejtë i lëvizjes sime dhe mbi të gjitha, fakti që vetëm unë jam dërguar në një shkollë të bashkuar në fshat nuk më lënë të besoj veçse që përfshirja ime si anëtare e këshillit bashkiak si përfaqësuese e koalicionit të majtë të ketë ndikuar në të.
I nderuar zoti Ministër, Ju drejtohem ju me shpresë dhe besimin se duke i parë gjërat nga një sy më gjakftohtë dhe racional, do të mund të ndikoni në vendimin e padrejtë ose të nxituar që kanë marrë drejtuesit e arsimit në qytetin tim.
Me respekt, Ana Verushi
Add new comment