Konsensusi për Presidentin, formë e re e pazarit

Zgjedhja e Presidentit të ri, ngërçi i rradhës në politikë shqiptare, ka frymëzuar zërat që kërkojnë konsensus, nisur edhe nga suksesi ’i papritur’ i zgjedhjes së Avokatit të Popullit me 127 vota.
Edhe Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Karola Holtkemper iu është bashkuar dje zërave të diplomatëve të huaj në Tiranë që kanë apeluar zgjedhjen me konsensus të Presidentit të ri të Republikës.
Nga qyteti i Burrelit, ku ishte për vizitë, Holtkemper, iu përgjigj gazetarëve se
"Presidenti duhet të zgjidhet sipas rregullave. Shqipëria e ka një Kushtetutë ku përcaktohet qartë se si zgjidhet presidenti, por ne mbështesim një konsensus mes palëve për të gjetur një emër që ka cilësitë e vecanta për të qenë president". Këtë apel përsëriti pak ditë më parë edhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wolfarth i cili u mbërthye me dashuri pas termit ‘konsensus’ në zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Duket se palët (shqiptare) po kapen disa pas fjalës ’konsensus’ e disa pas fjalës ’kushtetutë’ në lidhe me zgjedhjen e presidentit, por historia jonë na tregon që realisht po flasin për dy forma të ndryshme të pazarit. Sepse ‘konsensusi’ që kërkon Holtkemper nuk ka lidhje me konsensusin e aplikuar alla-shqiptar. Konsensusi do të nënkuptonte një marrëveshje mbi një platformë të përbashkët për të mirë të vendit, ndërsa faktet kanë treguar që në Shqipëri funksionon si formë alternative pazari. Për ta dhënë me një shembull të thjeshtë, është si puna e disa dyqaneve, që e ngrenë çmimin e një rrobe për t‘i bërë 70% ulje dhe që me ndërhyrje nga pronari të ulin edhe 10% të tjera, dhe klienti e merr aq sa ç’ishte më parë. Këto janë ato dyqane që mbajnë tabelën‚ Skonto’ gjatë tërë vitit.
K. Cukali
Add new comment