Ish-presidenti Mojsiu vijon me kritika për klasën politike

Postuar në 29 Korrik, 2011 05:38

Alfred Mosiu është një ish-president shumë aktiv. Nuk lë rast “pa ndërhyrë” nga pozitat e ish-presidentit në jetën politike të vendit. Në një intervistë të tijën të dhënë sot për Shekullin, ai gjen rast të ritheksojë shqetësime të vjetra e të reja. “Kanë kaluar tre vjet nga dita e ndryshimit të kushtetutës, dhe akoma nuk e kuptoj se pse u arrit në atë përfundim e pse u punua me aq ngut”, thotë ai i ngacmuar nga mea culpa e Edi Ramës lidhur me atë moment. Pak më poshtë, ndërsa rreket të komentojë zgjedhjet në Tiranë, fillimisht bën një kritikë në adresë të institucioneve zgjedhore (“mënyra se si veproi KQZ-ja është e pakuptueshme dhe e paimagjinueshme; rregullat e lojës nuk mund të ndryshojnë gjatë lojës”, shprehet ai), e më pas i mëshon qartë idesë, se “kur flet drejtësia, të tjerët duhet të heshtin”, duke lënë të nënkuptohet, se vendimet e institucioneve duhet të respektohen edhe kur gjykohen si të gabuara.

Përpara disa ditësh, zoti Mojsiu, tok me ish-presidentin Meidani, patën një takim me presidentin Topi. Besohet se kanë dashur t’i shprehin solidaritet pas sulmit që i bëri kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë. Nuk është hera e parë që i gjenden pranë pasardhësit të tyre në Presidencë.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.