Gjirokastër: “Aleanca Kuqezi” bën thirrje për mosdeklarimin e etnisë dhe fesë
“Aleanca Kuqezi” kremtoi dje 131 vjetorin e Kuvendit të Gjirokastrës. Fjalimin kryesor në aktivitetin përkujtimor të zhvilluar në qytetin e gurtë e mbajti udhëheqësi i aleancës, Kreshnik Spahiu. Kuvendi i Gjirokastrës u mbajt më 23 korrik 1880. Aty morën pjesë kryesisht krerët shqiptarë myslimanë e të krishterë të Beratit, Përmetit, Vlorës, Labërisë dhe Çamërisë, por edhe përfaqësues nga krahina të tjera. Krahinat që nuk dërguan dot përfaqësuesit e tyre i miratuan vendimet e kuvendit me shkrim. Punimet e kuvendit i drejtoi Abdyl Bej Frashëri. Çështja themelore që u trajtua aty ishte shmangia e copëzimit të trojeve shqiptare dhe autonomia e Shqipërisë nga perandoria osmane.
Kreshnik Spahihu theksoi se Kuvendi Gjirokastrës është një ngjarje historike që duhet të përbëjë burim frymëzimi për shqiptarët e sotëm, trojet e të cilëve ende janë të kërcënuara nga orekset shoviniste të fqinjëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që të mos e deklarojnë etninë dhe përkatësinë fetare në censusin e ardhshëm të popullsisë. Sipas ligjit të aprovuar kohët e fundit mbi censusin, deklarimi rreth etnisë dhe fesë nuk është i detyrueshëm për shtetasit. Gjithashtu, Spahiu iu përgjigj tërthorazi sulmeve të fundit të Berishës ndaj aleancës, duke theksuar se politika nuk duhet të përzihet me aktivitetin e “Aleancës Kuqezi”, pasi kjo e fundit qendron mbi politikën e ditës dhe sheh vetëm nga e ardhmja e kombit.
Kuvendi i Gjirokastrës, i përkujtuar dje nga Aleanca Kuqezi, pasoi Kuvendin e Prizrenit, i cili kishte themeluar “Lidhjen e Prizërënit” në 10 qershor 1878. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që, në rast se qeveria e Stambollit do të shtrëngohej të zbatonte rezolutën e Konferencës së Berlinit, ose në rast se Greqia do të orvatej t’i merrte me dhunë tokat shqiptare që asaj i qenë premtuar, “Lidhja e Prizërenit” do të shpallte menjëherë një qeveri të përkohshme kombëtare. Me formimin e saj do të merrte fund sundimi osman në Shqipëri. Sapo të shpallej qeveria e përkohshme shqiptare, do të pushoheshin nëpunësit turq dhe do të zëvendësoheshin nga nëpunës shqiptarë pa dallim feje. Të ardhurat shtetërore do të administroheshin nga qeveria e përkohshme për nevojat e “Lidhjes së Prizrenit”. Menjëherë do të hartohej një kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë e personit, të pasurisë dhe ushtrimin e lirë të fesë.
Qeveria e përkohshme do të merrte të gjitha masat për të vendosur rendin dhe qetësinë shembullore në mbarë vendin. Për këtë qëllim, do të dënoheshin me rreptësi jo vetëm autorët e krimeve, por edhe tradhtarët e vendit. Në të njëjtën kohë do t’i kushtohej një kujdes i veçantë ushtrisë kombëtare, në radhët e së cilës do të inkuadroheshin të gjithë nizamët, rezervistët dhe oficerët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane.
Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që Shqipëria të mos kalonte përtej caqeve të një shteti autonom nën sovranitetin e sulltanit. Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë autonome dhe Perandorisë Osmane do të kufizoheshin në minimum. Sulltani do të kishte vetëm një të drejtë: të emëronte guvernatorin e përgjithshëm të Shqipërisë, kurse Shqipëria detyrohej t’i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor në të holla dhe të ndihmonte me një kontigjent të caktuar ushtarësh shqiptarë në rast lufte me shtetet e huaja. Për kompensim Perandoria Osmane do të detyrohej ta mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm.
Lidhur me rezolutën e Konferencës së Berlinit të 1 korrikut 1880, Kuvendi i Gjirokastrës mbajti të njëjtin qëndrim që kishte përcaktuar më parë “Lidhja e Prizrenit”. Shpalli se shqiptarët nuk kishin punë me Thesalinë, por ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht një copëtim të Shqipërisë së Jugut (të Epirit). Kuvendi shprehu gatishmërinë e shqiptarëve për t’u hedhur menjëherë në front, në qoftë se ushtritë greke do të shkelnin kufirin. Kuvendi vendosi të merrte edhe masa konkrete ushtarake për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, duke ngritur për këtë qëllim ushtrinë kombëtare.
Për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta njihte de jure autonominë e Shqipërisë, udhëheqësit mendonin të tërhiqnin në veprime luftarake shtresat e gjera popullore dhe ta vinin Portën e Lartë para faktit të kryer. Sipas tyre, fakti i kryer do të siguronte në të njëjtën kohë edhe mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin trazira të brendshme, që do ta dobësonin më shumë Perandorinë Osmane. Ata mendonin të siguronin mbështetjen e tyre duke tërhequr simpatinë e opinionit botëror në favor të kryengritjes çlirimtare dhe duke dhënë prova se shqiptarët ishin të përgatitur për të organizuar shtetin e tyre kombëtar.
Kuvendi i Gjirokatrës zë një vend të rëndësishëm në historinë e “Lidhjes së Prizrenit”. Ai shënoi një shkallëzim të mëtejshëm të luftës për autonominë e Shqipërisë dhe shtroi për herë të parë, në shkallë kombëtare, krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare. Me vendimet e tij, Kuvendi i Gjirokastrës ua parashtroi edhe njëherë Fuqive të Mëdha përgjigjen kategorike se shqiptarët nuk do të lejonin në asnjë mënyrë copëtimin e territoreve të atdheut të tyre. Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës pjesëmarrësit u shpërndanë përsëri në viset e tyre, me qëllim që të mobilizonin forcat ushtarake për të mbrojtur tërësinë e trojeve shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare. Tërheqja e shtresave të gjera të popullsisë në platformën atdhetare të krahut radikal të “Lidhjes së Prizrenit”i dha shtytje lëvizjes autonomiste. Pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës në mjaft krahina të Jugut u rritën veprimet e popullsisë për dëbimin e nëpunësve turq nga administrata lokale dhe për kthimin e saj në administratë shqiptare.
E.Z.
Add new comment