Egjyptianët e kanë seriozisht: Duan demokraci. Por Pranvera do kohë të vijë.

“Ky është revolucioni i dytë. I pari dështoi, sepse kështu desh qeveria dhe autoritetet ushtarake që kanë marrë vendin nën komandë qysh nga momenti që ra regjimi i Mubarakut.” Ky është thelbi i asaj që mendojnë e besojnë egjyptianët që dalin e protestojnë në sheshin Tahrir prej së premtes. Ka qenë një projekt qeveritar për të njohur me kushtetutë një lloj imuniteti të ushtarakëve e për t’i lënë këta jashtë kontrollit parlamentar që ka provokuar e zemëruar qytetarët e Kajros, të cilët i dhanë dum punës edhe njëherë duke dalë me qindra mijra në atë shesh e duke demonstruar se nuk kanë ndërmend të pajtohen me pushtetin e pakontrolluar të kastës militare. Kjo e fundit reagoi ashpër ndaj protestave, dhe bilanci njihet. Mbi 40 të vdekur në Kajro, gati 2000 të plagosur, dhe pas kësaj ploje, erdhi dorëheqja e qeverisë dhe – kjo po raportohet në këto orë – një tërheqje nga pushteti i Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura (“ushtarakët janë duke menduar modalitetet e kësaj tërheqjeje”, thuhet duke mbajtur për çdo rast një rezervë të madhe).
Situata vijon të jetë e tensionuar dhe e ndezur edhe në këtë moment. Nuk dihet a do të mbahen zgjedhjet, e nuk dihet si do zhvillohen e çfarë do prodhojnë (në rast se do mbahen). Me sa duket, ka qenë herët të flitej për një Pranverë Arabe.
Re.Pu.
Add new comment