Edi Rama: Le të falenderojmë ambasadorët dhe le t’u gjendemi pranë familjeve të viktimave të 21 janarit

Postuar në 18 Janar, 2012 13:34

Ky është një shënim i kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, dy ditë para një vjetorit të ngjarjes së 21 janarit. Ai ndihet i inkurajuar nga apeli dhe mbështetja e ambasadorëve në favor të hetimit të paanshëm, ndoshta dhe nga intervista me gjuhë të drejtëpërdrejtë e ish-ambasadorit Withers; në të njëjtën  kohë, nuk do që të kalojë pa u vënë re dëshmia tronditëse e këtyre ditëve e bërë për programin e Artan Hoxhës nga i vëllai i Hekuran Dedës, njërës prej viktimave të terrorit të regjimit më 21 janar 2011. Ja shkrimi i Edi Ramës:

Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe posaçërisht të familjeve të dëshmorëve të 21 janarit, i shpreh mirënjohje botës demokratike që përmes trojkës së ambasadorëve foli sot qartë për drejtësinë e munguar për vrasjen e Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Pa qëndrimin e qartë dhe të hapur të botës demokratike, në mbështetje të palëkundur të një hetimi e drejtësie në përputhje me Kushtetutën e me ligjin për krimin e vrasjes së të katër protestuesve të pafajshëm, nuk ka asnjë gjasë që ai krim makabër të ndëshkohet.

Duke i falenderuar të tre miqtë dhe partnerët e mëdhenj të Shqipërisë për ndjeshmërinë e lartë të fjalëve të tyre sot në kërkim të drejtësisë së munguar të 21 janarit e në adresë të familjeve të viktimave, i bëj apel opinionit publik të dëgjojë edhe dëshminë tronditëse të vëllait të Hekuran Dedës.

Eshtë dëshmia e një familjeje të këputur shqiptare, e cila sot e gjithë ditën jo vetëm qan djalin, vëllain, babain e xhaxhain e vrarë të plot nipave e mbesave, po dhe vuan deri në palcë bashkë me drejtësinë e munguar për 21 janarin e me fyerjet e turpshme ndaj tij pas vdekjes, edhe ofertën rrënqethëse të dikujt që trokiti në derën e shtëpisë së tyre në emër të Sali Berishës.

Shqipëria merr sot përditë prova tronditëse të rrëshqitjes drejt një realiteti pa shtet, pa drejtësi, pa institucione dhe të vendosjes së një regjimi metodash e teknikash mafioze për të asgjësuar lirinë, demokracinë, opozitarizmin. Dëshmia e sotme e vëllait të Hekuran Dedës është një tjetër provë e kësaj rrëshqitjeje dhe e dyfytyrësisë shpërfytyruese të këtij regjimi, të cilit opinioni publik duhet t’i vihet përballë demokratikisht përpara se sa të jetë shumë vonë. Në radhë të parë duke u ndërgjegjësuar plotësisht se tanimë s’është më në lojë e majta apo e djathta dhe asgjë tjetër që ndan natyrshëm individët, forcat shoqërore e grupet e interesit në një vend demokratik, po vetë fati i Shqipërisë demokratike.

Me besimin e madh tek mençuria e largpamësia e popullit shqiptar që do të dijë të reagojë me votë ndaj barbarizimit të përditshëm të pushtetit, si edhe tek mbështetja e miqve e partnerëve të patjetërsueshëm ndërkombëtarë për shqiptarët e Shqipërinë në rrugën e demokracisë e të integrimit europian, Partia Socialiste fton çdo qytetar në homazhin e 21 janarit, ora 11.00 në vendin e tragjedisë. Për të kujtuar dëshmorët, për të respektuar familjet e tyre, për të nderuar traditën më të mirë shqiptare në një përvjetor si ky.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.