Dita e parë e shkollës pothuajse e harruar

Të përditshmet tona kishin bërë sot një zgjedhje të diskutueshme editoriale: kishin lënë pas dore lajmin e ditës së parë të shkollës për sezonin 2011-2012. Ndër gazetat e rëndësishme, vetëm tre ishin ndalur në faqet e brendshme tek ky argument, dhe dy prej tyre i kishin kushtuar jo më shumë se gjysmë faqe. Asnjë titull në faqe të parë nuk të çonte tek kjo ngjarje e rëndësishme nacionale. Kush ka marrë gazetat e sotme për t’i lexuar qysh në mëngjez do të ketë mundur të vërë re kontrastin mes faqeve të para të gazetave dhe rrugëve të Tiranës e të Shqipërisë të rimbushura me nxënësit e shkollave, ku binin në sy ata që shkonin për herë të parë: ishin të veshur me uniforma, të shoqëruar nga prindërit, dhe në duar mbanin tufa me lule për mësuesit e tyre. Janë 56 mijë fëmijë që shkojnë në shkollë në klasë të parë këtë vit.
Ja disa të dhëna të tjera me këtë rast: janë gjithsej afro 600 mijë nxënës, që u ulën sot në bangat e shkollës, janë rreth 1/3 e nxënësve të shkollave nëntë-vjeçare që do të bëjnë mësim me turne, ka përqëndrim nxënësish në shkollat me emër të Tiranës, duke lënë kapacitete të pashfrytëzuara të shkollave të tjera nëntë vjeçare e të mesme (një dreq e kupton pse lejohet kjo gjë), etj.
Re.Pu.
Add new comment