Buxheti e nis keq, të ardhurat në janar 2012, më pak se një vit më parë

Buxheti i shtetit e ka nisur me tregues negativ që në muajin e parë të zbatimit të tij realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Ministria e Financave ka publikuar sëfundmi treguesit fiskal për muajin janar 2012, në të cilat vërehet një ulje e të ardhurave si edhe shpenzimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar këtyre treguesve, mësohet se gjatë janarit 2012, buxheti i shtetit ka realizuar rreth 25.5 miliardë lekë të ardhura dhe ka kryer rreth 24 miliardë lekë shpenzime, ndërsa në janar 2011, u realizuan 27 miliardë lekë të ardhura dhe 25.4 miliardë lekë shpenzime.
Dy zërat kryesorë të cilat duket të kenë ndikuar drejtëpërdrejtë në mosrealizimin e të ardhurave janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi Fitimin. Në janar 2012 deklarohet se janë mbledhur rreth 8.4 miliardë lekë nga TVSH-ja kundrejt 8.7 miliardë lekëve që u mblodhën në janar 2011. TVSH-ja gjithashtu është një tregues i drejtëpërdrejtë i konsumit në vend. Nga tatimi mbi fitimin ndërkohë raportohet se u mblodhën 1 miliardë lekë në janar 2012 kundrejt 1.3 miliardëve në janar 2011.
Treguesit në fjalë flasin për një ngadalësim tjetër të ritmeve të rritjes së ekonomisë së vendit, sinjale të cilat janë dhënë gjatë vitit të shkuar edhe nga INSTAT në publikimet për Prodhimin e Brendshëm Bruto.
S.E.
Add new comment