Bulqizë, minatorët në grevë urie 1400 m nën tokë
Pas pesë ditë protestash në dyert e institucioneve në Tiranë, minatorët e Bulziqës janë kthyer në qytezën e tyre ku kanë marrë edhe vendimin ekstrem të një greve urie në galeritë e nëntokës. Fillimisht, mëngjesin e sotëm, ata bllokuan zyrat e kompanisë ACR dhe nuk lejuan që punonjësit e administratës të futeshin aty. Më pas, kur kompania iu përgjigj negativisht kërkesave të tyre, u mor vendimi ekstrem. Sipas Luan Nikës, sekretar i Sindikatës së Minatorëve, greva do të zhvillohet në nivelin 14 të minierës, 1 400 metra nën tokë. Kompania ACR ka gjetur një formë origjinale për të shprehur refuzimin e saj ndaj kërkesave të minatorëve duke u shpërndarë atyre fletushka ku arsyetohej refuzimi i kushteve të minatorëve për rikthmin në punë. Minatorët e Bulqizës protestuan pa sukses në kryeqytet para kryeministrisë dhe ministrisë së Ekonomisë në përpjekje për të bindur qeverinë që të negocionte me ACR për plotësimin e kërkesave të tyre. Paralelisht me protestën e Tiranës zhvillohej një tjetër edhe në qytezën e tyre, në Bulqizë, e cila ka nisur 20 ditë më parë. Minatorët kërkojnë rritjen e pagës në masën 20%, përmirësim të kushteve të punës, rritjen e sigurisë në miniera, uljen e moshës së pensionit dhe miratimin e statusit të minatorit.
Add new comment