Britanikët vlerësojnë policinë e tyre
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/1815_bp6.jpg?itok=UGLCvqKm)
Situata është e qetë, tanimë, në Britaninë e Madhe. E siç ndodh gjithnjë në rrethana të tilla, është hera e vlerësimit dhe e gjykimit të asaj që ka ndodhur. Një anketim i realizuar nga the Guardian/ICM thotë (anketime të tjera nga agjenci të tjera kanë nxjerrë në shesh të njëjtën gjë), se publiku britanik miraton më shumë sjelljen e policisë e më pak atë të politikës gjatë ditëve të trazirave. Nuk e kanë vetëm me kryeministrin David Cameron; e kanë dhe me kryebashkiakun e Londrës, Boris Johnson. Sjellja e të parit gjatë ditëve të fundit (i la pushimet në ditën e tretë të ngjarjes, u kthye në Londër, dhe përdori një gjuhë të ashpër kundër autorëve të trazirave) u miratua nga 30% e njerëzve, ndërsa sjellja e Johnson-it nga 28%. Shefi ad interim i policisë metropolitane, Tim Godwin, u vlerësua nga gati 50% e të pyeturve. Vetëm 27% patën mendim jo të mirë për reagimin e policisë.
Duhet thënë se në Britaninë e Madhe, ashtu si në shumë vende të tjera të Europës, e në ndryshim nga Shqipëria, qeveria është një gjë e policia është një gjë tjetër. Ato koordinojnë punën mes tyre, por policia drejtohet nga profesionistë. Madje, në një moment, Tim Godwin-i iu përgjigj fort kritikave të dala nga qeveria në adresë të policisë, duke pickuar kryeministrin e ministren e brendshme, që nuk ishin gjatë ngjarjes në Londër.
E.G.
Add new comment