Berisha i bën Fazlliçit “një mbrojtje pasionante”.
Në një kabllogram të datës 5 nëntor të vitit 2008, përshkruhet takimi që kryeministri Berisha ka patur me amerikanin Stuart E. Jones, zëvëndësndihmës i sekretarit shtetit, në prani të ambasadorit John Withers. Kabllogrami është hartuar nga ky i fundit, i cili dëshmon në vijimësi për përshkrime të ngjyrosura, për fraza të përpunuara në pikëpamje stilistike e për forcë vëzhguese që bie në sy. Aty thuhet se Berisha ka shpjeguar “zbehtas” sulmet që bënte ato kohë ndaj Kryeprokurores Ina Rama. Ka shumë gjasa që me fjalën “zbehtas” ambasadori të kuptojë një si pafuqi të kryeministrit tonë për të shpjeguar përpara të huajve tonet e forta dhe akuzat e rënda që lëshon për konsum të brendshëm.
Por pjesa më interesante e bisedës mbetet ajo që ka patur lidhje me Gërdecin, dhe me mikun e Berishës e të familjes së tij, Damir Fazlliçin. Withers-it i ka bërë përshtypje që Berisha nuk i ka thënë zëvëndësndihmësit të sekretarit të shtetit idenë e rëndësishme, që kish përcjellë ato ditë, dmth që fajet përt Gërdecin i ka pasur ushtria. Në fund, ish-ambasadori amerikan në Tiranë nuk ka mundur të mos vëzhgojë që “Berisha i lodhur dhe me shëndet jo të mirë” në atë takim gjeti entusiazmin për t’i bërë “një mbrojtje pasionante” (kjo e fundit është frazë e Withers-it) Damir Fazlliçit. “Hetimi i Prokurorisë ndaj Fazlliçit nisi pa prova, dhe se tentuan ta ndalnin në aeroport e t’i ngrinin asetet”, citohet të ketë thënë Berisha në atë takim. Eshtë e vetmja here në jetën e tij që Berisha merr në mbrojtje një biznesmen. Ky është serbi i Bosnjës Damir Fazlliç, për të cilin Berisha ua ka thënë socialistëve atëmot, se “ua sjell dhe në parlament po të doni”.
Re.Pu.
Add new comment