Arrestimi i komandantit të Gardës, një ngjarje që po komentohet nga të gjithë

Bob Hand, këshilltar në komisionin amerikan të Helsinkit, flet për 21 janarin dhe në mendje ka katër të vrarët. I intervistuar nga Zëri i Amerikës, ai shpreson që arrestimi të finalizohet me gjykimin e fajtorëve, në mënyrë që “i gjithë ky proces të çojë në një besim më të madh te sistemi gjyqësor në Shqipëri”. Kur gazetarja i flet për kritikat e kryeministrit në adresë të kryeprokurores, zoti Hand futet më thellë, duke dëshmuar se e di për ç’kritika bëhet fjalë, dhe e di se janë më shumë se kritika. “Të ngresh akuza për grusht shteti apo të kërcënosh se do të ndjekësh ligjërisht zyrtarët pasi të jenë larguar nga posti, kjo sigurisht nuk është e dobishme”, thotë ai, duke nënvizuar se me këtë sjellje, “kryeministri nuk do të bëjë tjetër, veçse do të krijojë më tepër mosbesim në aftësinë që ka për të drejtuar Shqipërinë”.
Ka një qortim dhe për Ramën. I pyetur mbi komentin e këtij të fundit lidhur me arrestimet (“duhet arrestuar Berisha e Basha”, tha Rama), Bob Hand thotë: “Ai ka të drejtë të shprehë pikëpamjen e tij, por mendoj se ai duhet të kuptojë se të jesh në opozitë do të thotë të kesh edhe disa përgjegjësi. Ai është një udhëheqës politik, drejton një krah të caktuar në politikën shqiptare që ka përfaqësim në popullatën e vendit. Bashkë me këtë vjen edhe nevoja për një sjellje të përgjegjshme.”
E.G.
Add new comment