Ardian Hoxha këmbëngul: Vonesa e Gjykatës së Lartë është e qëllimshme

Në fillim ishte Ardian Hoxha, që i bëri një letër publike Presidentit të Republikës, ku denonconte vonesën prej një muaji të zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë e ku bënte një lidhje mes kësaj vonese dhe arratisë së të akuzuarit nr. 1 në këtë proces, Ilir Kumbaros. Pastaj ishte kryegjyqtarja Shpresa Beçaj që u përgjigj duke garantuar se gjykata ka demonstruar maksimumin e korrektesës e të profesionalizmit në këtë çështje, por duke mos shpjeguar arsyet e shkeljes së ligjit lidhur me afatin e zbardhjes së vendimit.
Sot ishte sërish Ardian Hoxha që reagoi, duke bërë një saktësim rrethanash që atë e kanë çuar tek dyshimi mbi një vonesë të qëllimshme të zbardhjes së vendimit. Ai bën në thelb këtë arsyetim: “Vendimi i Gjykatës së Lartë u mor më 14 tetor 2011. Zbardhja e vendimit do duhej të bëhej brenda datës 14 nëntor (ligji ka përcaktuar një afat një mujor për zbardhjen e vendimeve të Gjykatës së Lartë). Por zbardhja, faktikisht, është bërë në mes të dhjetorit, me një muaj vonesë. Nga ana tjetër, ish marrë vesh se Gjykata e Londrës do ta shqyrtonte rastin e ekstradimit të Ilir Kumbaros në datën 1 nëntor, por duke qenë se nuk kish në dorë vendimin e arsyetuar e të zbardhur, shqyrtimi i kësaj çështjeje u shty me një muaj, për në 1 dhjetor. Kjo kohë i shërbeu Kumbaros për t’ia mbathur”.
Ardian Hoxha hedh poshtë tezën e rastësive të njëpasnjëshme. “Rastësi ishte edhe vrasja e babait tim, pa lënë asnjë gjurmë? Rastësi janë edhe ndërhyrjet në këtë process gjyqësor? Rastësi është që ky proces ka zgjatur mbi 16 vite? A ka diçka tjetër që nuk është rastësi?”, pyet ai.
M.N.
Add new comment