Zhvlerësohet leku, emigrantët sjellin më pak valutë

Viti i ri duket se do të nisë me një euro të fortë ndaj monedhës kombëtare. Muaji dhjetor filloi me një euro, që po humbiste vlerë, duke i dhënë përparësi terrenit që po fitonte leku. Kur dhe pritej që në tregun e këmbimit të monedhave në vend të rritej disi sasia e euros, dhe rrjedhmisht të ulej vletra e saj, ndodhi e kundërta. Në fillimt të muajit dhjetor, Banka e Shqipërisë dha kursin e këmbimit prej 138 lekë e 25 qindarka, ndërkohë që vlera në fund të muajit ishte rreth 70 qindarka më e lartë.
Pas ulje ngritjeve dhe pasigurive, që monedha e përbashkët pati gjatë tre muajve të fundit të këtij viti, ekspertët parashikojnë një kurs këmbimi më të qetë, por me tendenca rritëse për monedhën europiane. Duket se viti 2012 do të njohë rritje të vlerës së euros, por sipas parashikimeve me ritme të ngadalta rritëse. Ekspertët si arsye kryesore në këtë parashikim japin rënien e remitancave në vend dhe ardhjen e emigrantëve me më pak euro gjatë festave të fundvitit.
Momentet kur leku mund të fitojë epërsi ndaj monedhës europiane, parashikohet të jenë muajt e verës, gjithmonë nëse do të ketë një sezon të suksesshëm turistik. Përsa i përket parashikimeve afatshkurta, muaji janar do të ketë një euro me vlerën mbi 139 lekë.
Një tjetër zhvillim jo i mirë për monedhën shqiptare është dhe vlerësimi i vazhdueshëm i dollarit. Vetëm gjatë muajit, që po lëmë pas, një dollar u rrit në vlerë me 6 lekë. Në fillim të muajit Banka e Shqipërisë kishte kursin 101 lekë e 52 qindarka për dollarin, ndërsa të premten e fundit të vitit vlera arriti në 107 lekë e 54 qindarka. Ekspertët thonë se 2012-ta do të jetë viti i dollarit.
Florian Papadhimitri
Albanian Screen
Add new comment