Zhdukja e të riut në kanione, denoncohet personi që mblidhte para tek Shpella e Pëllumbasit.

Komuna Bërzhitë ka denoncuar në polici shtetasin Behar Duqi, i cili akuzohet për mashtrim dhe mbledhje të të ardhurave abuzive, pasi u merrte nga 50 lekë të gjithë personave që vizitonin Shpellën e Pëllumbasit, në kanionet e Erzenit.
Sipas Bashkisë së Bërzhitës, shtetasi Behar Duqi u shkarkua para dy vitesh si punonjës i bashkisë dhe tashmë rezulton se u kërkonte para në emër të bashkisë, personave që vizitonin Shpellën e Pëllumbasit.
Pak ditë më parë një i ri u zhduk në ujërat e kanioneve të lumit Erzen, ku kishte shkuar për ekskursion me një grup shokësh. Operacioni i kërkim-shpëtimit nga palombarët e RENEA-s për gjetjen e Erjon Alizotit, ka vijuar prej dy ditësh, por ende nuk ka asnjë gjurmë nga i riu.
18-vjeçari ra në një nga kanionet, në vendin e quajtur Skurran, 30 metra poshtë Shpellës së Pëllumbasit, matanë malit të Dajtit, dhe për fatin e tij gjithçka mbetet pezull. Pjesëtarët e grupit që ndodheshin me të, arritën të shpëtonin një tjetër të ri që ra në kanion, i cili ndodhet në spital, nën kujdes mjekësor.
Kanionet e lumit Erzen vizitohen sidomos në fundjavë, kryesisht nga të rinj, që organizohen në grupe. Ekspeditat e kësaj natyre organizohen nga persona të specializuar dhe njohës të mirë të zonës, të cilët porosisin vizitorët për të gjitha masat që duhet të marrin, si dhe për vështirësitë e mëdha që mund të hasin gjatë shijimit të bukurive të kanioneve.
Add new comment