Xhufi: Mungon Qosja? Mund të bojkotojmë “100-vjetorin“

Nuk mund të pajtohem as me politika selektive, dhe as me impostime politike të Konferencës. Mosftesa për Prof. Rexhep Qosen përbën në vetvete një arsye serioze për të rishikuar pozicionin tonë ndaj këtij aktiviteti, së cilës i shtohet edhe shqetësimi për një politizim të mundshëm të saj në frymën e zbulimeve të 'Historibërësit të Madh'". Kjo ka qenë deklarata që ka bërë dje, historiani i njohur Pëllumb Xhufi, sa i takon mosftesës së akademikut Rexhep Qosja në aktivitetin për 100-vjetorin. Lajmi i bërë publik nga "Gazeta Shqiptare" të premten e kaluar ka pasur jehonë në mesin e intelektualëve, të cilët janë habitur nga 'diskriminimi' ndaj një emri të madh. Profesor Xhufi, një ndër të ftuarit kryesorë të Akademisë Solemne, na tregon bisedat e para mbi të ftuarit, në të cilat ai vetë ka qëlluar të marrë pjesë, duke u treguar kritik ndaj vendimit të akademisë dhe duke e cilësuar atë si një klub politik, çka edhe vetë historiani deklaron ta ketë kuptuar, e madje e ka denoncuar, sepse e ka provuar edhe në lëkurën e tij.
Mbas bërjes publike të skandalit nga "Gazeta Shqiptare", edhe prof.Arben Puto e ka kritikuar rëndë Akademinë e Shkencave. Nga ana tjetër, Xhufi bashkohet me Puton edhe në një tjetër moment: rikonsiderimin e pjesëmarrjes në atë Konferencë. Për historianët, mosftesa e Qoses bën që ata të rishikojnë pozicionin e tyre ndaj këtij aktiviteti. "Shtohet edhe shqetësimi për një politizim të mundshëm të tij në frymën e zbulimeve të 'Historibërësit të Madh'", -vëren Xhufi në intervistën e mëposhtme.
Profesor Xhufi, ju jeni një ndër të ftuarit kryesorë të Akademisë Solemne që do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Akademinë e Shkencave. Kur iu ka ardhur ftesa dhe cilët emrat u diskutuan?
Mua m'u paraqit ideja për organizimin e një tubimi akademik me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë këtu e muaj më parë. Me disa kolegë drejtues të Akademisë u bisedua që atë kohë për listën e studiuesve që do të ftoheshin. Sigurisht, emrat e Ismail Kadaresë e të Rexhep Qoses ishin të parët që u artikuluan nga të gjithë ne.
Pra, në fillim, emri i Rexhep Qoses është diskutuar si pjesëmarrës?
Po, dhe nga ndonjë koleg u shpreh droja se mos, për shkak të debateve që kanë pasur kohët e fundit këta dy personalitete, pjesëmarrja e njërit do mund të shkaktonte mospjesëmarrjen e tjetrit. Unë shpreha mendimin se përkundrazi, Kadareja dhe Qosja janë aq të mëdhenj, sa të kapërcejnë mbi kundërshtitë dhe debatet e tyre, që në fund të fundit kanë qenë edhe një shkollë e vërtetë për të gjithë ne.
Madje, bashkimin e të dyve në këtë aktivitet të rëndësishëm, e konsiderova suksesin më të madh, më të madh edhe se vetë aktiviteti shkencor, që mund të realizonte ajo Akademi, e cila me sa duket nuk ka rast tjetër të rikthehet në nivelet e lavdive të shkuara. Pra, u shpreh ndonjë "merak" nëse do ta toleronin Kadareja dhe Qosja praninë e njëri-tjetrit.
Ndërsa puna në fakt qëndron ndryshe. Qosja mënjanohet për shkak të kritikave ndaj qeverisë...
Tani marrim vesh që profesor Qosja as që është ftuar, dhe që arsyeja qenka krejt tjetër, "hatërmbetja" e Kryeministrit ndaj kritikave të ashpra (e pas meje më se të merituara) që dijetari i madh nga Kosova i ka bërë kryeministrit të vogël nga Shqipëria. Nëse sendet vihen në këtë plan, unë jam i bindur se edhe prania e z. Kadare do të jetë po aq e papëlqyeshme për z. Berisha. Kjo histori meskine po na tregon që Akademia jonë e Shkencave jetoka dhe vdiska, gëzoka dhe u dëshpëroka sipas humoreve të Kryeministrit. Që Akademia jonë është kthyer në një klub politik, këtë unë personalisht e kam kuptuar, e kam denoncuar, madje edhe e kam provuar në lëkurën time.
Si e shihni sakrifikimin që i është bërë Rexhep Qoses?
Të sakrifikosh Prof. Qosen për dr. Berishën edhe në një rast si ky, është si të zgjedhësh vesin në vend të virtytit, të zgjedhësh antishkencën në vend të shkencës. Z. Berisha, me breshëritë e deklaratave që ka lëshuar gjatë muajve të fundit, ka hequr edhe "linjat programatike" të veprimtarive për 100-vjetorin, përfshi edhe ato të Konferencës së Akademisë së Shkencave. Ka deklaruar se "heronjtë" e luftërave të Rilindjes e të Pavarësisë nuk ishin idealistët e mëdhenj që kemi mësuar tash e 100 vjet, por ishin përfaqësuesit e atyre bejlerëve e çifligarëve, që siç e dimë nuk vunë asnjë gur për këtë vend; ka deklaruar se Revolucioni i Qershorit ishte një grusht shteti i urryer, kurse ardhja e Zogut nga Beogradi për të rrëmbyer pushtetin me bajonetat, paratë dhe trupat serbe, ishte një "revansh demokratik". Sipas Kryeministrit, Fan Noli, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri me shokë ishin "bashibozukë", kurse Ahmet Zogu ishte "demokrati më i madh i Ballkanit", i vetmi mbret që e kishte për zemër demokracinë, e sidomos zgjedhjet e lira! Sipas tij, Abdyl Frashëri është një figurë e "pompuar", e pamerituar, ndërkohë që Lidhja e Prizrenit paska pasur "të tjerë heronj", d.m.th. pashallarët që iu bashkuan Lidhjes për sa kohë ajo "e mbajti mirë" me Sulltanin.
Në pozicionin që keni, si mund të protestoni ndaj këtij vendimi?
Duke peshuar të gjitha këto, detyrohem edhe unë, si Prof. Arben Puto, të rikonsideroj eventualisht pjesëmarrjen në atë Konferencë. Sepse nuk mund të pajtohem as me politika selektive, dhe as me impostime politike të Konferencës. Mosftesa për Prof. Rexhep Qosen përbën në vetvete një arsye serioze për të rishikuar pozicionin tonë ndaj këtij aktiviteti, së cilës i shtohet edhe shqetësimi për një politizim të mundshëm të saj në frymën e zbulimeve të "Historibërësit të Madh".
Ballkanweb.com
Add new comment