Vodhën 6 milionë euro me rimbursimin e TVSH, nën akuzë 8 ish-zyrtarë të Tatimeve.

Postuar në 01 Maj, 2014 16:07

Tetë ish zyrtarë të Tatimeve akuzohen nga Prokuroria për vjedhjen e 6 milionë eurove me një skemë mashtruese rimbursimi të TVSH-së.
Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën Penale gjashtë ish-zyrtarë të Tatimeve dhe dy administratorë të kompanive private të dyshuar se janë përfshirë në një skemë mashtrimi me kompani fantazmë që mendohet se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 6 milionë euro.

Hetimi ka arritur në përfundimin se dy administratorët Mirjan Beneja dhe Gjergj Tupe në bashkëpunim me zytarë të Drejtorisë rajonale të Tatimeve Tiranë kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vlerat e rimbursimit të TVSH për 13 kompani të cilat ekzistonin vetëm fiktivisht dhe nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet.

Të akuzuarit janë: Ismail Muça, ish-drejtori i Drejtorisë rajonale; Afërida Hysa ish-drejtore e sektorit të kontrollit; Laurent Vata, përgjegjës i sektorit të kontrollit; dhe Edmond Osmani, Gramoz Milushi dhe Kujtim Metalia inspektorë kontrolli në Drejtorinë rajonale të Tatimeve.

Zyrtarët akuzohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, falsifikim dokumentash dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Prokuroria pretendon se abuzimet kanë ndodhur për periudhën shkurt-tetor 2013 dhe këto janë shumat e rimbursuara në mënyrë të paligjshme nga kompanitë fiktive me emrat:

“Lumturia”, “F7M”, “Sheng Da Ana”, “Ventura”, “Nam Kong”, “Hong De”, “Tai Ping Jang”, “Asteriks 03”, “Be Ni Sa”, “Tong Da Horizont”, “Tirana Imp-exp”, “Arlindi Trade” dhe “4 plus M”.

Prokuroria ka theksuar se nga kontrolli i Ministrisë së Financave është konstatuar se ka patur verpime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare, ku 13 prej tyre janë aktivizuar e më pas shitur duke përfituar rimbursimin e duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disaditore.
Pas blerjes së kompanive dhe transferimit të kapitalit, përfaqësuesit e rinj, Begeja dhe Tupe, kanë bërë kërkesë për likuidim të tyre pranë adminitsratës tatimore, duke nisur në këtë mënyrë proçedurat e çregjistrimit.

Në përfundim të kontrollit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur në vite në vlera të mëdha, kanë bërë çregjistrimin në organin tatimor rajonal, si dhe shpalljen e famlimentit.

Prokuroria ka vënë në dukje se zyrtarët e Tatimeve kanë miratuar programet e kontrollit për të gjitha këto subjekte, ndërkohë që kontrollet janë kryer nga inspektorët të cilët në përfundim nuk kanë depozituar analizën e dokumentacionit financiar që pasqyron faktet se nga 2008 deri më 2013 kompanitë nuk kanë ushtruar veprimtari.

Sapo janë depozituar shumat e konsiderueshme të rimbursimit, ato janë tërhequr nga bankat dhe janë ndarë mes të pandehurve.

  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.