Vjedhja e energjisë, sërish arrestime OSHEE:Prerje të energjisë debitorëve.

Ndërsa Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vijon aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe të ndërprerjen e shërbimit për debitorët, policia ka nisur edhe procedimet penale për 5 persona në zonën e Paskuqanit.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme është ndërprerë energjia edhe për 500 abonentë të cilët rezultonin debitorë.
OSHEE në bashkëpunim me komisariatin Nr.5 ka paditur Dylber Dafku, Pjeter Marku, Xhevair Marku, pronarë të vilave disa-kateshe të cilët janë furnizuar me energji elektrike pa pasur kontrate me OSHEE-në.
Bëhet e ditur se ata kanë përfituar energji elektrike në mënyrë abuzive, duke vjedhur ne rrjetin e shpërndarjes. Po sot u penalizuan për vjedhje të energjisë elektrike edhe abonentët Karafil Lika dhe Latif Shini, përfaqësues të subjekteve private në këtë zone.
Aksionet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ne terren po vijojnë në mënyre të përditshme, në mënyrë që të gjithë abonentët debitorë të drejtohen pranë sporteleve të kompanisë për të kryer pagesat e prapambetura.
OSHEE deklaron se aksionet për t’i dhënë fund abuzimit me energjinë elektrike do të vijojnë në mënyrë të pandalshme, çdo ditë të javës, përfshirë edhe të shtunën e të dielën.
Durrës, OSHEE: Penalizohen 11 subjekte dhe 350 debitorë
Drejtoria Rajonale e Durrësit në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, deklaron se nga aksioni i ditës së sotme u bënë prerjet e lidhjeve të paligjshme për 11 subjekte private debitore të cilët kanë refuzuar të paguajnë energjinë elektrike. Këta abonentë kanë akumuluar debi të konsiderueshme të energjisë elektrike, ndaj ndërhyrja me prerjen e lidhjeve te furnizimit ka qenë një mase e domosdoshme.
Gjate ditës së sotme punonjësit e kompanisë kanë ndërhyre duke shkëputur rreth 350 lidhje debitorë të energjisë elektrike në këtë zonë, si në abonentë familjarë ashtu edhe private.
Aksionet për prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike si dhe te kontratave debitore do të vijojnë çdo ditë në rajonin e Durrësit. Nesër puna e specialisteve te OSHEE do te përqendrohet në zonën e Shkozetit dhe përgjatë autostradës.
Add new comment