Traktati i ri përçan BE-në, Britania vendos veton
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/9577_1_1756.jpg?itok=PFLpJ8Kb)
BRUKSEL – Dështojnë përpjekjet për ndryshimin e traktatit të Bashkimit Europian, për të zgjidhur krizën në eurozonë.
27 vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk ranë dakord për ndryshimin e traktatit të bllokut, për shkak të kundërshtimeve të Britanisë, e cila vendosi veton kundër këtij traktati.
Duke folur pas bisedimeve të gjata në Bruksel, presidenti Sarkozy u shpreh se 17 vendet anëtare të Eurozonës dhe gjashtë të tjerët do të punojnë për një marrëveshje të veçantë.
Franca dhe Gjermania kërkojnë që kjo marrëveshje, që synohet të miratohet deri në mars, të imponojë rregulla të ashpra fiskale dhe disiplinë buxhetore, në mënyrë që të rikthehet besimi i tregut dhe të forcohet euro.
Lëvizja franko-gjermane ka gjetur rezistencën e Britanisë e cila pretendon se traktati i ri redukton sovranitetin e saj kombëtar.
“Nuk do të ishte në të mirën e interesave të Britanisë së Madhe që të marrë pjesë në traktatin e kolektiv dhe si rrjedhojë, kemi vendosur veton kundër.”, -tha kryeministri britanik Cameron.
Liderët europianë, duke folur sot herët në samitin e BE-së në Bruksel, thanë se vendet e Bashkimit Europian që nuk e përdorin euron do të ftohen që t’i bashkohen traktatit të ri, në rast se ato dëshirojnë më vonë t’i bashkohen kësaj valute.
Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy tha se gjashtë vende të tjera, që janë aktualisht jashtë eurozonës, pritet që t’i bashkohen traktatit të ri, duke bërë që numri total i nënshkrimeve të arrijë në 23.
Ballkanweb.com
Add new comment