Topi ironizon Berishën pas takimit me Ramën: Do thotë se u kompletua faza e katërt e grushtit të shtetit

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, dha një prononcim për mediat pas darkës me kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se është biseduar për çështje të rëndësishme si reforma territoriale dhe ndryshimet kushtetuese.
“Çdo takim duhet të konsiderohet në planin qytetar. Kemi të drejtë të takohemi pavarësisht këndvështrimit të ndryshëm politik. Besoj në politikë kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme që nuk i takojnë interesave personale, por atyre të Shqipërisë, sidomos për çështje të rëndësishme, ndryshime kushtetuese, për reformë administrative territoriale dhe që i takojnë shtetit dhe mbështesin filozofinë politike, pse jo. Mund të bashkëpunojmë shumë mirë.
Shqiptarët duhet të kuptojnë që nuk mund të jemi të ndarë. Kur jemi bashkë mund të realizojmë gjëra të mira, apo jo,” tha Topi.
I pyetur nëse ka nevojë për ndryshime kushtetuese, Topi u përgjigj: “Unë besoj që po. Aq më shumë kur edhe ata që kanë bërë ndryshimet brenda një nate kanë kuptuar që kanë gabuar”.
Ish- presidenti ironizoi edhe ish- kryeministrin, që e ka akuzuar pas 21 janarit se ishte pjesë e puçit të shtetit së bashku me Edi Ramën.
“Për atë që e ka shumë për zemër Facebook-un, do të thotë se është kompletuar faza e katërt e grushtit të shtetit,” tha Topi.
Tema
Add new comment