Taksa për në Apolloni, Komuna: Hyrja në park 500 lekë

Komuna Ndermenas ne Fier ka vendosur një tra në hyrje të parkut të Apolonisë. Të gjithë vizitorët e parkut detyrohen të paguajnë nga 500 lekë, me justifikimin e parkimit të automjetit. Këtë taksë komuna e ka vendosur pa kuorimin e këshilltarëve të saj. "Në këshillin e komunës Ndërmenas nuk është marr asnjë vendim me shumicë votash, sepse dhe ligji e përcakton mbi përcaktimin e tarifave vendore që duhet një shumicë votash me 3/5. Me kompetencën time po ju them që në këshillin e Komunës Ndërmenas, edhe nëse është marr një vendim i tillë, është marr në mënyrë abuzive sepse kështu i ka interesuar kryetarit të komunës", tha Petrit Morina, anëtari i këshillit të komunës. Sipas drejtorit të parkut kjo është një goditje e fortë që i jepet turizmit në qarkun e Fierit dhe administrata e parkut do të ndjekë gjithë rrugët ligjore për heqjen e kësaj takse abuzive. "Ka një pretendim për një taksë parkimi, po kjo është tërësisht abuzive për faktin se këtu është një zonë monument kulture, është një park arkeologjik. Njerëzit vijnë për të vizituar këto monumente dhe parkimi është falas. Ne jemi të vendosur ta çojmë këtë problem deri në fund dhe të ndjekim të gjitha hapat ligjore, sepse është në pikëpyetje imazhi turistik i qarkut të Fierit dhe prej vendeve më të rëndësishme arkeologjike të të gjithë Shqipërisë", tha Marin Haxhimihali. Studiuesi i Apolonisë Ilir Gjika e ndjehet i fyer nga kufizimi i mundësisë për të vizituar parkun. "Kemi një vit e gjysëm që udhëtojmë në vendet e komunitetit europian dhe na buzëqeshin në traun e doganave pasi japim pasaportat e shtetit shqiptar. Në qytetin tënd, në periferi ku je rritur dhe jep kontributin intelektual, të përballesh me dy tra është absurditet", u shpreh Ilir Gjika, Historian dhe studiues i Apolonisë. Në bazë të ligjit e drejta e administrimit dhe mirëmbajtjes së parkut arkeologjik i takon administratës së tij, ashtu sic ndodh në 10 parqet arkeologjike që ka Shqipëria. Në bazë të rregullores së Ministrisë së Kulturës për funksionimin e parqeve arkeologjike, hyrja në to është falas, po ashtu edhe parkimi i automjeteve të vizitorëve. Albanian Screen
Add new comment